Home KRYESORE Arben Imami: Pse Artur Meçollari s’duhet të jetë në grupin negociator

Arben Imami: Pse Artur Meçollari s’duhet të jetë në grupin negociator

Ish-ministri i Mbrojtjes Arben Imami ka lëshuar një deklaratë për shtyp, në lidhje me shkarkimin e Artur Meçollarit.

Deklaratë:

Negociatat midis palëve ndërluftuese bëhen nëpër hotele, negociatat dhe bisedimet mes vendeve fqinjë dhe aleatë, si Shqipëria dhe Greqia , bëhen formale, transparente, ligjore dhe me frymën e bashkëpunimit. Bisedimet në hotelet e Kretës dhe Korçës janë problematike për sa sipër.

Pjesëmarrja në këto bisedime e z. Artur Meçollari në cilësinë e përfaqësuesit të Ministrisë së Mbrojtjes nga njëra anë tregojnë se bisedimet nuk janë aq sportive sa duket nga veshja e dy ministrave të jashtëm, por janë të përfshira edhe në nivel teknik; pra negociatat kanë filluar, në mos edhe kanë mbaruar. Nga ana tjetër përfshirja e Z. Meçollari, i çveshur me vendim ministri për shkelje të ligjit, në këto negociata e cënon besimin e publikut te një proces që edhe deri këtu është jo-transparent.

Por kjo çështje ka nxjerrë në pah edhe dy probleme të tjera:

1. Z. Meçollari ka fituar gjyqin kundër vendimit të ministrit të mbrojtjes sepse Ministria e Mbrojtjes nuk ka mbrojtur interesin më të mirë të vendit dhe as sigurinë brenda Forcave të Armatosura. Duket sheshit se MM, nën drejtimin e Partisë Socialiste, nuk ka paraqitur në gjykatë provat dhe faktet mbi të cilat është mbështetur vendimi i ministrit. Me dosjen që disponon SHIU nuk ka gjykatë që mund të japë vendim kundër vendimit për nxjerrje nga rradhët e ushtrisë të kolonelit në fjalë, i cili në fakt nuk e kishte për herë të parë që largohej nga ushtria për arsye të njohura nga shërbimi i FA.

2. Kryetari i PD është informuar për këtë çështje dhe rëndësinë e saj prej më shumë se një jave, por “ka heshtur si fija e barit” siç do të mund të thuhet metaforikisht. Mosveprimi i tij është i kuptueshëm dhe i shpjegueshëm sepse një veprim i qartë politik në interes të kësaj çështjeje, nuk do të ishte në favor të kryetarit të PS. I vetmi që foli, në fakt si gjithmonë ishte z. Berisha që mesa duket u informua nga media. Por, vetëm në Shqipëri ndodh që dikush gdhin i akuzuar si “spiun” dhe ngryset hero. Në këtë vazhdë, kryetari i PD, i opozitës, nuk u mjaftua që me mosveprimin e tij mbështeti kryeministrin, por sot në mëngjez nëpërmjet deputetit Gjunkshi veproi haptaz dhe u deklarua kundër deputetit Berisha, kundër kryeministrit Berisha si dhe ministrit të mbrojtjes që kishte marrë atë vendim. Përgënjeshtrimi që u bë në një deklaratë tjetër në aksham tregon se edhe z. Basha nuk pati kurajë për të qëndruar haptaz kundër partisë së tij dhe interesit të vendit, por dëmin e bëri.

Share: