Home KRYESORE Arrestimet “VIP” dhe Vettingu/ Juncker, Hahn dhe Mogherini zbarkojnë në Tiranë

Arrestimet “VIP” dhe Vettingu/ Juncker, Hahn dhe Mogherini zbarkojnë në Tiranë

Shqipëria është shumë pranë hapjes së negociatave me Bashkimin Europian. Teksa vendimi pritet të jepet në qershor, javën e ardhshme do të zbarkojnë në Tiranë krerët më të lartë të BE për të monitoruar punët e qeverisë. Në përbërje të delegacionit të lartë të Brukselit është Presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, si dhe komisioneri Johannes Hahn.

Sipas informacioneve, vizita e zyrtarëve të BE do të fokusohet në dy çështje kryesore: Nxitja e luftës ndaj korrupsionit dhe zbatimi i reformës në drejtësi. Mësohet se fillimisht ata do të njihen me reformat e ndërmarra nga ana e qeverisë, sa i takon rekomandimeve të kërkuara nga BE. Ndërsa aspekti tjetër, ku do të fokusohet vizita e tyre ka të bëjë me arrestimet “VIP” dhe zbatimi i vetingut, për të cilat si Bashkimi Europian, ashtu edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë të shohin rezultate konkrete.

Madje, sipas informacioneve mësohet se gjatë takimit që treshja e zyrtarëve të lartë të BE do të kenë me kryeministrin Edi Rama do t’i ofrojnë këtij të fundit mbështetjen e Brukselit sa i takon pikërisht arrestimeve “VIP” dhe zbatimit rigoroz të reformës në drejtësie, sidomos procesit të vetingut. Mesazhi i Junckerit Lidhur me vizitën e paralajmëruar të delegacionit të lartë të Brukselit, në përbërje të së cilit do të jenë Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, si dhe komisioneri Johannes, dje kanë dhënë detaje edhe disa gazeta prestigjoze.

Gazeta Daily News zbuloi se mesazhi kryesor i vizitës së Juncker pritet të jetë zgjerimi i unionit me vendet e Ballkanit para samitit të Sofjes së 17 Majit.

“Mesazhi kryesor i vizitës së presidentit Juncker është esenca e strategjisë së Komisionit Europian të 6 shkurtit për qasjen e Bashkimit Europian ndaj rajonit të Ballkanit, jo vetëm për rëndësinë gjeostrategjike të rajonit, por edhe lidhur me 6 prioritetet specifike ku mbështetet kjo strategji. Do të jetë një oportunitet për presidentin Juncker të bisedojë me liderët e vendit, klasën politike dhe shoqërinë civile, për t’ju shpjeguar strategjinë tonë. Ky është një moment i rëndësishëm, pasi të gjithë liderët do të mblidhen më pas së bashku me presidentin Juncker dhe kryeministrin bullgar Borisov në samitin e Sofies të 17 majit”, thuhet në njoftimin e Daily News.

KE do të rekomandojë hapjen e negociatave Reformat e qeverisë janë përgëzuar dje edhe nga Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn. Gjatë një intervistë për “Die Welt” mbi perspektivën e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE, Hahn është shprehur se KE-ja do të rekomandojë hapjen e negociatave të pranimit për Shqipërinë deri në verë, ndërkohë që vlerësoi reformat e ndërmarra nga qeveria.

“Së shpejti, më së largu deri në periudhën e verës, Komisioni Europian do t’i rekomandojë vendeve anëtarë që të çelen negociatat për anëtarësim me Shqipërinë dhe ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Ne besojmë se të dy vendet kanë ndërmarrë reforma të rëndësishme në të shkuarën dhe janë të kualifikuara për këtë hap. Shqipëria ka bërë shumë në luftën kundër krimit të organizuar”, deklaroi ai.

Në përfundim, komisioneri Hahn deklaroi se viti 2025, data referuese por jo garantuese për anëtarësimin e Serbisë dhe Malit të Zi, krijon një presion pozitiv në mbarë rajonin. Ndaj Hahn vlerësoi procesin e negociatave si mjet fuqizues për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë dhe sundimit të ligjit në vendet e Ballkanit Perëndimor./publik.live

Share: