Përktheu Elona Caslli
Gjysma e ditës sime kalon mes kompjuterit lapsit dhe makinës së shkrimit.
Me kalimin e kohës do të bëhet gjysma e shekullit.
Banoj në qytete të huaja dhe ndonjëherë
flas me të panjohurit për gjëra pa vlerë.
Dëgjoj shumë muzikë: Bach, Mahler, Šostakovič, Chopin.
Tek muzika gjej tre elementë: forcën, dobësinë dhe dhimbjen.
Elementi i katërt nuk ka emër.
Lexoj poetë të gjallë dhe poetë të vdekur.
Prej tyre mësoj forcën shpirtërore, besimin dhe krenarinë.
Përpiqem t’i kuptoj filozofët e mëdhenj, por në përgjithësi,
arrij të kap vetëm pjesëza të atyre mendimeve të çmuara.
Më pëlqen të bëj shëtitje të gjata nëpër rrugët e Parisit
dhe t’i shoh të ngjashmit e mi, që frymëzohen veçse nga xhelozia
lakmia dhe inati.
Më pëlqen të shoh monedhën prej argjendi,
teksa kalon nga dora në dorë
dhe ngadalë humbet forma e saj të rrumbullakët
dhe profili i perandorit vjetërohet.
Anash, rriten pemët që nuk shprehin asgjë
përveç përsosmërisë mospërfillëse me ngjyrë të gjelbër.
Mbi fusha fluturojnë andej këtej zogj të zinj
që presin të duruar porsi vejusha spanjolle
Nuk jam më i ri, por ka edhe më vjetër se unë.
E dua gjumin e thellë, kur nuk ka
xhiro të shpejta me biçikletë në fshat,
kur plepat dhe shtëpitë treten si re të grumbullura në qiellin e kthjellët.
Ndonjëherë pikturat në muzeume më flasin
dhe atëherë ironia zhduket menjëherë.
Më pëlqen shumë ta shoh fytyrën e gruas sime.
Çdo të diel i telefonoj babait.
Një herë në dy javë dal me miqtë,
sepse kështu i mbetemi besnikë njëri-tjetrit.
Vendi im shpëtoi nga një e keqe.
Do të doja të kishte edhe një çlirim të dytë.
A mundem unë ta jap ndihmën time për këtë gjë?
Nuk e di.
Nuk jam biri i vërtetë i detit,
ashtu si shkroi për veten Antonio Machado,
por jam bir i ajrit, i mendrës dhe i violinçelit.
Jo të gjitha rrugët e botës së lartë
kryqëzohen me shtigjet e jetës,
që tani për tani
më përket.