Silvio Berlusconi premtoi se do të deportojë 600 mijë emigrantë ilegalë nga Italia nëse koalicioni i tij i qendrës së djathtë do të fitojë zgjedhjet e 4 marsit, ndërsa tensionet në vend janë shtuar pas sulmit të armatosur të një ekstremisti të djathtë të shtunën e kaluar në qytetin Macerata ku mbetën të plagosur gjashtë afrikanë.
Ish-kryeministri 81-vjeçar tha në një intervistë televizive se emigracioni ishte ‘një bombë sociale gati për të shpërthyer në Itali’ dhe se sulmi në Macerata paraqiste një rrezik sigurie.
“Emigracioni është bërë një çështje urgjente sepse, pas shumë vitesh me një qeveri të majtë, janë 600,000 emigrantë në vend që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë këtu. Ne e konsiderojmë një prioritet absolut të marrim kontrollin e situatës”, tha Berlusconi.
Partia ‘Forza Italia’ e Berlusconit është në aleancë me dy parti të djathta për zgjedhjet e ardhshme në Itali.
Ish-kryeministri italian e ka të ndaluar të garojë për postin e kryeministrit pasi është dënuar për mashtrim taksash por mund të ketë pushtet nëse koalicioni i tij fiton maxhorancën e nevojshme për të qeverisur.
Berlusconi gjithashtu akuzoi BE-në se kishte dështuar të ndihmonte Italinë për sa i përket numrit të madh të refugjatëve që mbërrijnë në vend: “Sot Italia nuk është e rëndësishme në Bruksel dhe në botë. Ne do ta bëjmë të rëndësishme përsëri”, shtoi Berluscon. e.k/dita