Nga Dr. Enriko Ceko
Indeksi i demokracisë, zhvilluar nga Economist Intelligence Unit (EIU) dhe që synon matjen e gjendjes së demokracisë në vendet e ndryshme të botës, fillimisht është publikuar për herë të parë në vitin 2006 dhe më tej është llogaritur për çdo vit, përfshirë edhe Shqipërinë.
Indeksi bazohet në 60 indikatorë të grupuar në pesë kategori që janë procesi zgjedhor (1), pluralizmi (2), liritë civile (3), funksionimi i qeverisjes (3), pjesëmarrja politike (4) dhe kultura politike (5), që në fund të fundit masin pluralizmin, liritë civile dhe kulturën politike dhe mbi këtë bazë të këtyre tre karakteristikave vendet klasifikohen në katër kategori që janë: demokraci të plota (1), demokraci me të meta (2), regjime hibride (3) dhe regjime autoritare (4).
Demokracitë e plota janë vende ku liritë qytetare dhe liritë themelore politike jo vetëm që respektohen, por gjithashtu përforcohen edhe nga një kulturë politike e favorshme për lulëzimin e parimeve demokratike. Këto kombe kanë një sistem të vlefshëm kontrolli dhe balancimi pushtetesh të pavarura, vendimet e të cilëve zbatohen. Qeveritë në këto vende funksionojnë në mënyrë adekuate dhe media është e lirë dhe e pavarur. Në këto vende ka vetëm disa probleme të kufizuara të funksionimit të demokracisë, por gjithëshka është në përmirësim të vazhdueshëm.
Demokracitë me të meta janë ato vende ku zgjedhjet janë të drejta dhe të lira dhe liritë themelore civile nderohet, por mund të kenë çështje të ndryshme që tregojnë se demokracia ka probleme (p.sh. shkelje të lirisë së medias). Sidoqoftë, këto vende kanë gabime të rëndësishme në aspekte të tjera demokratike, duke përfshirë kulturën politike të pazhvilluar, nivelet e ulëta të pjesëmarrjes në politikë dhe çështjet e funksionimit jo të plotë dhe jo të mirë të qeverisjes.
Regjimet hibride janë vende ku ekzistojnë parregullsi në zgjedhje duke i penguar rregullisht ato që të jenë të drejta dhe të lira. Këto vende zakonisht kanë qeveri që ushtrojnë presion mbi kundërshtarët politikë, pushtet gjyqësor jo të pavarur dhe kanë nivel të lartë korrupsioni, presion të hapur ndaj medias, sundim anemik të ligjit dhe gabime të theksuara juridike dhe në sferat e kulturës politike, që është e të pazhvilluar, kombinuar me nivel të ulët të pjesëmarrjes së qytetarëve në politikë dhe në çështjet e funksionimit të qeverisjes.
Regjimet autoritare janë vende ku pluralizmi politik është zhdukur ose është jashtëzakonisht i kufizuar. Këto vende shpesh janë diktatura absolute ku mund të ketë disa institucione konvencionale të demokracisë por me rëndësi të vogël, ku shkeljet dhe abuzimet e lirive civile janë të zakonshme, zgjedhjet (nëse ndodhin) nuk janë të drejta dhe nuk janë të lira, mediat shpesh janë në pronësi shtetërore ose kontrollohen nga grupet e lidhura me regjimin në pushtet, gjyqësori nuk është i pavarur dhe prania e censurës është e dukshme, së bashku me shtypjen e hapur të kritikës ndaj qeverisjes.
Tabela e mëposhtëme jep numrin e vendeve dhe përqindjen e popullsisë botërore sipas tipit të regjimit për vitin 2017.
Tipi i regjimit | Pikët | Numri
i vendeve |
Përqindja e
popullsisë botërore |
Demokraci të plota | 8 ≤ s ≤ 10 | 19 | 4.4 |
Demokraci me të meta | 6 ≤ s < 8 | 57 | 44.3 |
Regjime hibride | 4 ≤ s < 6 | 39 | 17.7 |
Regjime autoritare | 0 ≤ s < 4 | 52 | 32.3 |
Shqipëria renditet midis vendeve me regjim hibrid. Regjimet hibride janë krijuar kryesisht në shumicën e vendeve në zhvillim, veçanërisht që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Ata quhen hibride sepse ato kombinojnë tipare demokratike (p.sh., zgjedhje të shpeshta dhe të drejtpërdrejta) me ato autokratike (p.sh. represioni politik), por në rastin e Shqipërisë theksoj se regjimi hibrid është më afër diktaturës se sa afër demokracisë me të meta dhe padyshim shumë larg demokracisë së plotë.
Shkaqet e shfaqjes, kushtet e qëndrueshmërisë dhe tranzicioni nga hibriditeti drejt diktaturës apo drejt demokracisë, janë çështje shumë të rëndësishme që lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me të ardhmen e demokracisë në vendin tonë, në rajon dhe më gjerë.
Personalisht, me shumë shqetësim vërej se në Shqipëri ka një rënie të dukshme të pjesëmarrjes cilësore të qytetarëve në procesin politik (1), ka dobësi në funksonimin e qeverisjes (2), ka rënie të besimit te institucionet (3), rënie e besimit te subjektet politike (4), rritje të influencës së subjekteve që nuk janë të zgjedhura (5), rritje e distancës midis elitës politike, ekspertëve dhe qytetarëve (6), përkeqësim i lirisë së medias (7), erozion i lirive civile (8), përkeqësim i lirisë së fjalës (9), etj.
Por më e keqja është se pushtetarët arrogantë bëjnë përpjekje maksimale për shfaqjen e një imazhi të gënjeshtërt për gjendjen politike, ekonomike, sociale, kulturore, sportive, mjedisore, etj, në vend, dhe kjo realizuar me një marketing të shfrenuar dhe demagogji që do e kishte zili çdo diktator në çdo cep të globit. Kjo të shtyn të mendosh se Shqipëria e ka një këmbë në demokraci por tërë trupin duke anuar drejt diktaturës dhe kjo është fatkeqësia më e madhe që mund t’i ndodhë një kombi që aspiron për një jetë më të mirë.
Paralelisht me arrogancën e pushtetit shfaqet mendjemadhësia e opozitës, që me luftën imagjinare kundër qeverisjes, përpiqet që të ushtrojë presion ndaj qeverisjes për çështje që nuk janë pjesë e jetës së përditëshme të qytetarëve të Shqipërisë.
Arroganca e pushtetit, që bashku me mendjemadhësinë e opozitës, kombinohen me varfërinë e tejskajshme të shumicës së popullsisë dhe me injorancën e thellë që është përhapur pothuajse në tërë territorin e vendit. Kur flas për varfërinë mjafton që të theksoj se pothuajse 25% e popullsisë mbijeton me vetëm 100 lekë në ditë për person dhe më shumë se 50% e popullsisë mbijeton me vetëm 400 – 500 lekë në ditë për person.
Kur flas për injorancën kryesisht e kam fjalën për faktin se pothuajse 75% e popullsisë së vendit është e pashkolluar në aspektin funksional të edukimit,që do të thotë se dhe pse popullsia ka shkollë (zyrtarisht), në të vërtetë një pjesë e mirë e popullsisë vetëm di të lexojë e të shkruajë, por jo të kuptojë atë që thuhet midis rreshtave të librave dhe gazetave.
Në këto kushte, shumica qytetare shqiptare është bërë pre e individëve me pushtet të hapur dhe të fshehtë, individëve që kanë vënë para në mënyrë të paskrupullt në vitet pas rënies së regjimit komunist, e individëve me karakteristika diktatoriale dhe rrugaçërore, e tipa të tjerë si këta, që kanë formuar grupime të fuqishme si nga ana politike ashtu dhe nga ana ekonomike, që janë në gjende të bëjnë gjithshka për të mos prishur statuskuonë që mbizotëron në vend (dhe në rajon).
Ata pak qytetarë që e kuptojnë gjendjen e krijuar dhe që kanë ende mundësi finaciare të përballojnë jetësën e vështirë, dhe që kanë investuar diçka në këtë vend nuk bëjnë asgjë tjetër veçse mbyllin gojën dhe nuk kanë guxim të krijojnë grupime serioze, që mund të bëhen fillesa të mendimit demokratik apo të bëhen opozitë e vërtetë përballë klasës politike dhe ekonomike aktuale. Pjesa tjetër që nuk ka asnjë shpresë për të ardhmen e vendit dhe të fëmijëve të tyre, ikin nga sytë këmbët, për një jetë sado pak më të mirë, qoftë kjo dhe në kampe refugjatësh kudo qofshin ato.
Në këto kushte, presioni ndërkombëtar, që kërkon ndryshimin e statuskuosë, drejt zhvillimeve demokratike, duket se nuk gjen terren, kjo edhe pse ndërkombëtarët, edhe pse në dukje me dëshirë të mirë, duke mos e patur aspak idenë se si funksionon truri i shqiptarit, e kanë shumë të vështirë që të gjejnë partnerë të vërtetë vendas në vend, për të hapur rrugën drejt zhvillimeve demokratike.
Nën këto kushte, Shqipëria është shumë më shumë afër diktaturës se sa afër demokracisë dhe nëse vazhdohet kështu, pas një farë kohe jo shumë të gjatë, mos ju vijë çudi kur diktatura do ju duket më e mirë se sa demokracia false dhe iluzive që kemi krijuar këto vite, sepse gjithmonë kemi votuar dhe vazhdojmë ende të votojmë tipa dhe grupe tipash që nuk kanë asgjë të përbashkët jo vetëm me demokracinë e parimet e saj por që nuk kanë as edhe ndonjë lidhje me Shqipërinë, me shqiptarët dhe me interesat e kombit tim.