Përktheu Elona Caslli
Ende e shtunë. Ky takim letrash duhet të marrë fund, Milenë, po na çmend, nuk e mbajmë më mend çfarë shkruajmë, çfarë përgjigjesh marrim e japim dhe gjithmonë ka një drithmë. E kuptoj më së miri çekishten tënde, e dëgjoj të qeshurën tënde, por mbytem në letrat e tua , mes fjalës dhe të qeshurës, pastaj dëgjoj vetëm fjalën, dhe mbi të gjitha unë jam vetë ankthi. Asnjëherë nuk e kuptoj nëse pas letrës së të së mërkurës dhe të enjtes , do kesh ende dëshirë të më takosh. Kuptoj vetëm marrëdhënien që kam me ty (ti më përket edhe nëse nuk shihemi më kurrë) e di këtë gjë sepse është një nga ato gjëra që nuk qëndrojnë tek territori i turbullt i ankthit, por nuk e kuptoj hiç marrëdhënien që ti ke me mua, pasi kjo është një nga ato gjëra që janë peng i ankthit tim. ( Dhe ti nuk më njeh Milenë, ta përsëris që nuk më njeh). Ajo që më ndodh është diçka e përbindshme, bota ime shembet, bota ime rilind, e shikon si je …. (d.m.th.si jam unë) dhe këtë mund ta vërtetoj më së miri. Nuk ankohem për shembjen e botës, bota kishte kohë që shembej, ankohem për rindërtimin e saj, ankohem për forcat e mia të sfilitura, ankohem për ardhjen time në jetë, ankohem për dritën e diellit. Si do ta vazhdojmë jetën? Nëse i pranon letrat e mia, atëherë mos jeto më në Vienë , është e pamundur. Milenë, thelbi nuk është ky; ti për mua nuk je një zonjë, ti për mua je një vajzë, kurrë nuk kam takuar dikë kaq vajzërore sa ti, vajzërisht ti; nuk do të guxoj kurrë ta zgjas dorën time drejt teje vajzë, dorën time të pistë plot me ethe, me thonj, me pasiguri, me dridhje,me zjarr dhe me akull.
F.