Nga Kasem Seferi
Në qoftë se çdokush i fushës politike dhe diplomatike në vendet e Ballkanit Perëndimor mendon se integrimi në BE nuk është, thjesht, një dëshirë për t’u arritur, atëhere duhet të thellohet në origjinën e marrëdhënieve ndërmjet këtyre vendeve në të kaluarën historiko – politike (më saktë, ndikimit të fuqive të mëdha (perandori dhe/ose mbretëri) në rajon në shumë drejtime.
E madhja Edith Durham, në veprën e saj (shumë kujtime, analiza dhe parashikime), mbi të gjitha ka trashur mendimin e saj në lidhje me konceptin e shtetit të madh në Ballkan.
Dy perandoritë e shekullit të 19 – të, Austro – Hungaria dhe Rusia, në projektet e tyre për hegjemoni, kishin projektuar ndarjen e Ballkanit në dy pjesë:
- Bosnjë – Herzegovinë, Mal i Zi, Shqipëri, Maqedoni deri Selanik për Austro – Hungarinë
- Serbi, Bullgari, Turqia Europiane deri në Stamboll për Rusinë.
Në heshtje dhe me perspektivë, në kancelaritë e dy perandorive kjo ndarje ishte planifikuar para Luftës Ruso – Turke, pikërisht në atë kohë kur në shumë vise shqiptare u bë një genocid i paparë.
Ngjarjet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, u treguan këtyre dy fuqive të mëdha se faktori shqiptar nuk mund të lihej mënjanë.
Përpunuan në mënyrë diplomatike Perandorinë Turke dhe arritën ta shuajnë, në kohë të konsiderueshme, idenë e një shteti shqiptar në një territor dhe me një popullsi tejet të konsiderueshme.
Lufta Ballkanike e gjeti Shqipërinë si një shtet të pakonsoliduar dhe jo në gjendje për të qenë i aftë të negociojë si çdo shtet tjetër ballkanik, ose më saktë Bullgaria, Serbia, Greqia.
Që prej kohës së bisedimeve të famshme për ndarjen e tregjeve, veçanërisht, në mesin e Afrikës nga Oqeani Atlantik deri në Oqeanin Indian, ose më saktë, koha kur i famshmi Bismark la si trashëgim për Shqipërinë “një shprehje gjeografike“, që nga historianët është interpretuar gabimisht.
Ka një dokumentar historik, ku trajtohet ajo çfarë thuhet në paragrafin e mësipërm, ku padyshim, ishte edhe përfaqësuesi turk, i cili nuk tha asgjë jo vetëm për zotërimet e Perandorisë Turke në Ballkan, por për të gjitha zotërimet.
Nga kjo ligështi e politikës dhe diplomacisë së Perandorisë Turke, u trajtuam si aleatë të saj gjatë Luftës Ballkanike dhe, për këtë arsye, Shqipërisë iu shkëputën disa “llokma“ të mëdha.
I referohem Atit të Shtetir Shqiptar, Ismail Qemal Bej Vlora, në kujtimet e tij kur thotë se me shkëputjen e trojeve më të pasura shqiptare, Shqipërisë i mbetën ca male të zhveshur … .
Duke iu rikthyer edhe njëherë çështjes së koncept të shtetit të madh, nuk më ngelet tjetër vetëm se t’i referohem Zonjës Edith Durham që ve në dukje me një saktësi të çuditëshme se gjatë qëndrimit të saj disa vjeçar në vendet e Ballkanit qarkullonte ideja: “Bullgari e Madhe e Mbretit Ferdinand“; “Serbi e Madhe“ (ku klanet pretenduese mbretërore Obrenoviç dhe Karagjorgjeviç copëtonin njëri tjetrin duke hedhur koka, këmbë, duar dhe trupa të gjymtuar nga pallati mbretëror), “Serbi e Madhe“ e Malit të Zi dhe “Megallo Idea“.
Përpjekja e Konte Çianos dhe Jugosllavisë së Karagjorgjeviçëve për ta ndarë Shqipërinë nuk u arrit për arsye që njihen mirë.
Italia fashiste iu vërsul Shqipërisë duke përfshirë dhe Kosovën, më pas iu vërsul Greqisë të cilën nuk e mposhti deri sa ndërhyri Gjermania naziste.
U krijua parakushti/preçedenti i “Shqipërisë së Madhe”, që vazhdon edhe sot si një reptil mitik i historisë së re në Ballkan.
Erdhi Lufta e Dytë Botërore dhe me mbarimin e saj na çuan me përdhunë në lindjen sovjetike.
Integrimi në BE (ose më saktë ndikimi i familjes europiane origjinale), ndikimi Rus, ndikimi Turk, ndikimi Amerikan.
Sa “mami“!
Cila është më e mira?
Xhelozia/interesi sjell vetëm sherr.
Në kujtimet e vizitës së tij në vitin 1959, Hrushovi shkroi dhe shumë shkurt këto më përmblidhen me fjalët se varfëria në Europë pas Luftës së Dytë Botërore ishte e arsyeshme, por në Shqipëri varfëria është me shtresime historike, Shqipëria ndodhet në një vend ku kryqëzohen intersat e fuqive të mëdha dhe se Shqipëria ka shumë armiq.
Më kujtohet një shaka tejet e hollë e Ferdinand Radit në lidhje me shkencëtarin e madh rus Lomonosov: “Asgjë nuk humbet, çdo gjë transformohet“.
Ja ku jemi:
BE – ja;
Rusia;
Turqia;
SHBA – ja.
Kush është “mamia“ më e mirë që përkujdeset për ne?!
Po me “mamitë“ e tjera çfarë marrëdhëniesh do të mbajmë (në qoftë se na e duan të mirën”?!
Këto duhet të zgjidhë politika shqiptare në Shqipëri, Kosovë dhe më gjërë.
Nuk më duket me vend të kujtoj konstatimet e të madhit Indro Montaneli në librin e tij “Një dhe njëmijë“, ku thotë se ndasia është e keqja e shiptarëve, por besoj, shpresoj dhe ëndërroj jo e Shqipërisë.
Le të zgjedhim “kryemaminë“ dhe të merremi me “mamitë“ e tjera për të mira që na ofrojnë.
Nga dy të mirat, zgjedhja i takon më të madhes.
Nga dy të këqiat, zgjedhja i takon më të voglës.
Ata që kanë marrë përsipër t’i dalin për zot popullit dhe vendit në dy “shtyllat“ e mësipërme të hipin dhe të shohin në “horizontet“ e politikës ndërkombëtare.
Kasem Seferi