Home KRYESORE Kultura e re, motivi për ndryshim. Nga Jeta Katro

Kultura e re, motivi për ndryshim. Nga Jeta Katro

Ngjarjet e bujshme dhe problematike gjatë 2017-ës e përballën vëndin me një sërë dilemash. Cështje si statusi i Shqipërisë, që edhe pse vënd i vogël ka aq shumë probleme të brëndshme sa mjaftueshëm pengojnë rimëkëmbjen e vëndit rrezikojnë sot pranimin e saj në BE. Mungesa e besimit apo garancisë se reformat e arsimit, drejtësisë apo shëndetësisë do mund të realizohen me sukses vazhdojnë të ndikojnë në krijimin e një klime jo shumë shpresëdhënëse. Qëndrimet dhe interpretimet diverse të intelektualëve, tregut mediatik e politik nga ana tjetër nuk është se ofruan zgjidhje të situatave të ndërlikuara. Ato nuk mundën të ofrojnë dihmesë për të sqaruar opinionin publik në raport me pritshmëritë e tij.

Sistemi jo funksional ende prezanton vështirësi reagimi ndaj problemeve kronike. Ekonomia me rritje të ngadaltë, papunësia, fuqizimi oligarkisë, kanabizimi, korrupsioni dhe krimi ende shoqërohen me probleme sociale që degjenerojnë deri në krim njerëzor. Të gjithë vazhdojmë të kemi në kujtesë aktet makabre e antihumane për eliminim fizik barbar të grave gjatë kësaj periudhe, pa lënë mënjëanë dhe ngacmimet seksuale. Ndonëse të përfolura për nëpërkëmbje të statusit dhe të drejtave të gruas, denoncimi i tyre gjithsesi mbetet ende i rallë.

Duket se ka humbur besimi se diçka do mund të ndodhë apo ndryshojë. Edhe pse pati përpjekje për veprim nëpërmjet protestave munguan kauzat e forta, që në shumë vënde të botës prodhuan rezistencë e qëndrim publik që vështirë të injorohej nga pushteti. Bëhet fjalë për kauza, sigurisht jo pseudo kauza, që sjellin lëvizje e që nxisin ndryshime reale të sistemit. Lëvizje që synojnë të kthehen në fuqi të tillë elektorale që sjellin ndryshimin.
Por kauzat lindin nga çështje ndaj të cilave shoqëria ka ndjeshmëri të lartë. Ndjeshmëri që nxit bashkimin e grupeve diverse në mbrotjtje të çështjeve që prekin pothuaj të gjithë. Viti 2017 dhe fillimet e 2018-ës ishin të mbarsura me plot të tilla. E megjithatë munguan lëvizjet për të sjellë ndryshimet në sistemin aktual. Kërkesa për ndryshim ishte dhe ende vazhdon të jetë pasojë e një zemërimi të thellë popullor, të grumbulluar në vite ndaj pa përgjegjshmërisë politike. Komunitetet mesa duket ishin të pa përgatitura për t’u motivuar e nxitur energjinë kolektive për avokatim të çështjeve që domosdoshmërisht kërkojnë një kulturë të re.

Pa një kulturë të re, ku përgjegjësia individuale dhe institucionale nuk lejojnë pengmarrjen e shtetit që ndal zhvillimet demokratike, nuk mund të ecet përpara. Pa një kulturë të re nuk mund të reduktohen problemet dhe pengesat, që historia i risjell të përsëritura. Në kohën e ndryshimeve transformative, gjeneratat e reja e kane te pamundur të bashkëjetojnë me kulturën e vjetër. Aq më tepër kur bëhet fjalë për epokën dixhitale që jetojmë, ku faktori kohë është esencial. Te bashkëjetosh me brezin e kësaj epoke duhet të përshtatesh me kulturën e re.

Duke iu rikthyer temës të vrasjeve të grave apo dhunës ushtruar mbi to, ndonëse nuk është heshtur, mungojnë reagimet potenciale. Protestat e vogla e pa shumë zë, pavarësisht mbulimit të madh nga media sociale apo dhe projekt rezoluta e miratuar nga Parlamenti (4 dhjetor 2017) nuk lenë shumë vënd për optimizëm edhe pse një reflektim pozitiv. Bazuar mbi standardet e sotme do të duhet që këto fenomene të kenë 0 tolerancë. A jemi gati për këtë?

Shkurt, mungesa e reagimeve potenciale ka sjellë mungesën e impakteve potenciale në jetën komunitare. Viti 2018 hapet me një tjeter vrasje të bujshme të një 21 vjeçareje apo kacavjerjen nga ballkoni i katit të dytë të një nëne të moshuar, që tenton t’i shpëtojë dhunës të ushtruar nga i biri. E pa imagjinueshme. Gjithsesi, jehona e ngjarjeve të përsëritura brënda një harku të shkurtër kohor ka pësuar ulje ndjeshmërie krahasuar me fundvitin e kaluar.

Gjykoj se dhuna në familje e shoqëri akoma nuk është bërë objekt i një debati e aksioni publik e politik për të nxitur domosdoshmërinë e iniciativave vizionare në këtë drejtim. Pavarësisht se ato ndodhin krahas çështjeve të nxehta politike, që në Shqipëri s’kanë të rreshtur, ato meritojnë vëmëndjen publike dhe politike. E nëse nuk trajtohen seriozisht e në kohë, falë dhe vazhdimësisë së zhgënjimeve, do vazhdojë të thellohet erozioni, sikundër dhe ka ndodhur.

Në denoncimin e ish ministres demokrate të integrimit, znj. Bregu, mbi dhunën e ushtruar në familje, thuhet se tejkalohen të gjitha shifrat e krimeve të tjera, si vepra penale me numrin më të madh të viktimave. Në 2015-ën, shprehet Bregu, vdekjet si pasojë e dhunës në familje barazonin me 37 % të gjithë vdekjeve si rezultat i krimeve, ndersa vetëm 9 muajt e parë të 2017-ës shënojnë 3,600 denoncime për dhunën në familje, 2,000 kërkesa për urdhëra mbrojtjeje dhe 14 gra të vrara. Sipas raportit të KLD-së në 2017-ën janë 6,307 çështje gjyqësore për dhunën në familje në 16 muaj nga 2, 869 vendime të tilla në 18 muaj në 2011-2012.

Shifrat dhe faktet e publikuara, përpos atyre të pa relatura për mungesë vullneti, kulture dhe infrastrukture efikase për mbledhjen dhe përditësimin e tyre, mbeten mëse shqetësuese sidomos në raport me numrin e popullatës në vënd. Ka ardhur koha që përgjegjësia e abuzuesve të trajtohet seriozisht, respektivisht sipas llojit të akuzës. Përgjegjësia për t’i denoncuar ata edhe kur i përkasin strukturës së lartë shtetërore është vetëm e jona. Këto ditë në SHBA, si pasojë e dëshmisë të 175 grave dhe vajzave u dënua me 175 vite burg për abuzim seksual dhe pornografie Larry Nassar, mjek i gjimnasteve, atleteve e notareve, një pjesë e tyre fituese olimpiadash. Dhe jo vetëm, pasi MSU (Michigan State University) është në proçes të rivendosjes së përgjegjësive mbi rastin në fjalë.

Faktet tregojnë qartazi se edhe tek ne gratë vazhdojnë të përballen rëndë me problemin e dhunës në familje, që është ndër treguesit signifikativ të një shoqërie të dhunshme. Këtë për fat të keq e provon dhe Indeksi i parë Global për Gruan, Paqen dhe Sigurinë , nxjerrë nga Instituti i Georgetown. Sipas një raporti të tij të fundit “Shqipëria renditet e fundit në rajon përsa i përket ofrimit të sigurisë, paqes, barazisë ekonomike, sociale e politike. E renditur në vënd të 60 nga 153 ekonomi të marra në ekzaminim, shihet se është shumë më poshtë se fqinjët rajonalë, ku Kroacia dhe Serbia performojnë më mirë duke u renditur në vëndin e 24. Ndjek më pas Maqedonia, në vënd të 38-të, dhe Bosnja në vënd të 50-të. Ndërsa, për kategorinë e sigurisë, gratë shqiptare janë pjesë e konsiderueshme e përqindjes së dhunës në familje, ku 44 % e grave shprehen të pasigurta në komunitetin e gjërë”.

Sigurisht ka patur dhe realizime pozitive në vënd si rrjedhojë e projekteve shtetërore apo aksioneve të përbashkëta të ndërmara nga shoqata të grave. Ishin vite kur shoqatat shqiptare, një pjesë e mirë e tyre, nuk i kalonin buxhetet prej 20-30 mijë Euro apo dollarë në vit për nisma të rëndësishme në interes të komunitetit. Ishin projekte që e çuan vëndin hapa përpara gjatë periudhës së tranzicionit. Në kohët e sotme flitet dhe raportohet për buxhete mbi 150 e 200 mijë euro apo dollarë në vit për shoqata me infrastruktura të konsoliduara (përfshirë këtu dhe shoqata të grave), dhe ende përballemi me situatat e cituara si më sipër. Vlerësimi i aktivitetit të tyre bazuar mbi monitorimin e impakteve konkrete në dobi të komuniteteve, dhe jo raportimeve të tyre, tashmë është dhe testi real i veprimtarisë së tyre.

Cudit po ashtu vazhdimësia e intensitetit të lartë të ndjeshmërisë ndaj çështjeve të politizuara në favor të interesave të politikës dhe jo asaj komunitare. Interesa që i bëjnë partitë politike të mos rreshtin së politizuari çdo aspekt të aktivitetit ekonomik, social e politik sipas tyre në emër te komunitetit. Janë përpjekje për të mbajtur gjallë me çdo lloj çmimi frymën mbështetëse të bazës së tyre. E deri diku ja kanë arritur qëllimit. Kjo ndodh dhe në vënde të tjera, madje shumë më të zhvilluara se ne. Por në këto vënde situata të tilla kanë sjellë forma të reja rezistence. Kanë sjellë lëvizje të reja që kanë kthyer zemërimin në strategji dhe aksione. Lëvizje që kërkojnë të dëgjohet zëri i protestuesve që nuk largohen nga fushëbeteja deri sa të kenë vëmëndjen e shoqërisë dhe autoriteteve vendimarrëse. Për ta, ajo çka ndodh apo do ndodhë në vënd varet dhe prej tyre. Veprimet e guximshme dhe besimi ne forcat e tua ofrojnë ndryshimin hap pas hapi, edhe pse ndonjëherë të ngadaltë.

I tillë ishte Marshimi i Grave i koordinuar në 21 janar 2017 në shumë vënde të botës pothuaj në të njëjtën kohë, e që solli sëbashku me miliona, jo vetëm gratë por dhe partnerët e familjet e tyre, si dhe përfaqësues të shumë e shumë komuniteteve, por jo atij politik. Ishte aksion që tregoi fuqinë e grave dhe komuniteteve për të avancuar më tej të drejtat humane e për të çuar përpara ndryshimet sociale afatgjata. Ishte aksion që lindi lëvizje të reja, ndër të tjera # MeToo në SHBA, ku gratë dhe vajzat nga fusha e artit, sportit dhe modës, guxuan të flasin me zë në kor, ashtu si nuk kishin folur kurrë më pare duke nxitur jo vetëm marrjen e përgjegjësive, por dhe të masave ndëshkuese ndaj tyre.

Ndihet kështu era e një kulture të re, që këtu në SHBA, por dhe shumë vënde të tjera në botë, ka sjellë nisma të tjera, ku në pararojë qëndrojnë vajzat dhe gratë e reja. Të çliruara nga paragjykimet, ato kanë vendosur të organizohen dhe përmirësojnë statusin aktual në fushat më kritike të jetës së tyre. Kjo në solidaritet dhe me shoqata të grave apo figura të spikatura të grave e homologëve meshkuj nga fusha e artit, medias e politikës. Ftesa e aktoreve me emër sot në botë në industrinë e Hollivudit për të patur në krah aktiviste të lëvizjes së gruas në dhënien e çmimeve të Globit të Artë ishte mëse domethënëse.

Jemi në një moment ku ende mund të mësojmë bazuar mbi një kulturë të re. Për më tepër të nxisim të rinjtë e të rejat të jenë pararojë të nismave e lëvizjeve për ndryshim. Janë ata ura lidhëse e brezave, para e më pas tyre, për një të ardhme ndryshe. Cdo përpjekje që synon të përmirësojë apo godasë padrejtësinë sjell shpresën dhe besimin mbi ndryshimin. Veçse, që të sjellësh një sistem që respekton dhe vlerëson përvojat, punën dhe integritetin duhet të përgatitesh e të dish si të organizohesh e të luftosh për ta bërë atë realitet. Mesazhi i proverbit afrikan “Nëse doni të ecni shpejt shkoni vetëm, por nëse doni të shkoni larg, shkoni sëbashku” besoj se është i duhuri për të inkurajuar e nxitur përgjegjësitë, mundësitë dhe një kulturë të re në komunitet.

Washington DC, 13 Shkurt, 2018

Share: