Home KRYESORE ‘Mafia e tokës’, Lamallari: Do ketë arrestime të tjera…

‘Mafia e tokës’, Lamallari: Do ketë arrestime të tjera…

Zv/ministri i Brendshëm, Besfor Lamallari, të martën në darkë është shprehur në lidhje me abuzimin e pronave në bregdet se ekzistojnë disa hetime për raste të tjera, ku në ditët në vazhdim do të ketë edhe arrestime.

Llamallari deklaroi në studion e emisionit ‘Opinion’ se ka disa hetime për prona të tjera, hetime të cilat për momentin janë në zhvillim.

Ai u shpreh se janë gjetur dhe identifikuar provat materiale, të cilët kanë falsifikuar dokumentet, kanë plotësuar në mënyrë fiktive Aktet e Marrjes së Pronës në Pronësi, bazuar mbi ligjin 7501 në disa vite të ndryshme.

“Përpara se të bëhej ndarja e tokës, më parë ka ndodhur falsifikimi i dokumenteve, duke ndryshuar zërin e kadastrës. Pra nga tokë ranore, është kaluar në tokë A dhe më pas është ngritur një komision fiktiv që ka bërë ndarjën e tokës”,- tha Lamallari

Lidhur me tjetërsimin e pronave në Spille, ku sot u proceduan penalisht 23 persona, ku mes tyre është dhe kryetari i Bashkisë Rrogozhinë, Beqir Nuredini. Lamallari tha se ka dhe qytete të tjera dhe rastet janë në hetim e sipër.

“Ka një paligjshmëri dhe të gjithë personat që kanë përfituar në mënyrë të paligjshme me dijeni. Sepse ka pasur dhe raste kur banorët nuk kanë qenë në dijeni. Madje edhe në kundërshtim edhe me ligjin 7501, ka pasur persona që kanë përfituar tokë nga ndarja e komisioneve fiktive dhe nuk kanë qenë persona që kanë jetuar në këtë zonë” , tha Lamallari.

I pyetur nga Lorenc Vangjeli se cilat janë qytetet e tjera ku janë shtrirë hetimet, zëvendësministri tha se; “bëhet fjalë për zona bregdetare, ranishte, si toka bujqësore, por një zonë konkrete nuk mund të them, pasi identifikohen personat dhe janë ende në hetime e sipër. Ka dhe prona të tjera dhe hetimet po kryhen”.

“Më vjen keq janë në hetim dhe nuk mund të shprehen për çështjet që janë në hetim. Mund të them vetëm mekanizmin që është konstatuar. Janë bërë akte fiktive, shitblerje fiktive, blerësi më pas ka kërkuar njohjen si pronar dhe regjistrimin në hipotekë. I gjithë mekanizmi që është bërë është se ka një sërë zyrtarësh dhe ish-zyrtarësh të përfshirë në këtë veprimtari kriminale”, -tha zv/ministri i Brendshëm.

Share: