Paradoksi në Kosovë s’ka të ndalur. Edhe Gëzim Kelmendit, që është mohues i rregullt i vlerave kombëtare, i ka ardhur rendi që ta mbrojë flamurin kuqezi. Partia Fjala konsideron se “largimi i flamurit kombëtar në Prishtinë është dobësi dhe qyqarllëk i pushtetit aktual qeverisës”
Kreu i Partisë Fjala, Gëzim Kelmendi, që mohon figurën e Skënderbeut, ka gjetur hapësirë që edhe ai të reagojë në mbrojtje të flamurit kombëtar të larguar nga Rrethi i Prishtinës, për t’u vendosur flamuri shtetëror.
“Është dobësi ngase për interesa të ulëta politike dhe personale ofendohet identiteti i shumicës shqiptare të Kosovës. Kjo vepër është e ngjashme me veprën e regjimit të Serbisë që para disa viteve largoj nga qendra e Preshevës lapidarin e dëshmorëve shqiptarë të UÇPMB-së”, thuhet në reagimin e tyre, njofton Klan Kosova.
Sipas partisë Fjala, “kjo vepër e largimit të flamurit kombëtar është qyqarllëk ngase po ky pushtet nuk guxon as me mendu e lëre më me largu flamurin e Serbisë i cili valvitet lirshëm në komunat me shumicë serbe në tërë territorin e Republikës së Kosovës”.
“Këtë situatë e bën edhe më të rëndë fakti se pushteti aktual qeverisës në Kosovë përbëhet nga partitë që thirren në emër të UÇK-së, PDK-AAK dhe Nisma. Ne FJALA i bëjmë thirrje pushtetit qeverisës që mos të luaj me ndjenjat tona kombëtare dhe ta respektoj flamurin tonë kombëtar”, përfundon reagimi./360grade.al