Home KRYESORE Policia e shtetit shpreh keqardhje: Sulmi i Bashës ishte…

Policia e shtetit shpreh keqardhje: Sulmi i Bashës ishte…

Policia e Shtetit shpreh keqardhjen për sulmin e pakuptimtë të kryetarit të Partisë Demokratike, lidhur me operacionin e suksesshëm të kapjes së një ngarkese me kokainë, e cila rezulton të jetë sasia më e madhe e kapur ndonjëherë në vendin tonë.

Operacioni është kryer në bashkëpunim me Hetimin Doganor, që në bazë të analizës së riskut ka sinjalizuar Policinë e Shtetit, për një dyshim të arsyeshëm lidhur me mjetin që transportonte drogën e ardhur nga Kolumbia, përmes Italisë e Maltës.

Ky operacion është një sukses i padiskutueshëm i agjencive ligjzbatuese shqiptare, që është finalizuar falë bashkëpunimit intensiv me Hetimin Doganor dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Në këtë rast, i gjithë operacioni nga fillimi në fund është kryer pa asnjë përfshirje të partnerëve tanë ndërkombëtarë. Prandaj është jo vetëm e pakuptueshme, po edhe denigruese ndaj Policisë së Shtetit dhe jo vetëm, që një drejtues i opozitës të angazhohet në një sulm tërësisht absurd, pikërisht në rastin më të mirë për të vlerësuar e përgëzuar punën e policisë e të agjencive të tjera ligjzbatuese të Shqipërisë.

Lufta e Policisë së Shtetit kundër krimit te organizuar e trafikut te drogës, ka hyrë në një fazë të re, ku rezultatet janë të dukshme e konstante dhe do të konsolidohen në vazhdim. Duke e konsideruar përfshirjen e Policisë së Shtetit, në shënjestrën e luftës politike si të dëmshme jo vetëm për trupën e policisë, po për mbarë shoqërinë Policia e Shtetit hedh poshtë çdo akuzë dhe insinuatë politike në adresë të saj dhe i siguron qytetarët se do të vijojë të zbatojë e të mishërojë forcën e ligjit për një Shqipëri të sigurtë, me rend e qetësi të garantuar për të gjithë.

Share: