Analisti Fatos Lubonja i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24”, ka deklaruar për ndërtimet mbi Teatrin Kombëtar duke thënë se kjo qeveri po bën gjëra të reja për të fituar para.
Lubonja tha se i vetmi qëllim i fshehtë i ndërtimeve aty është, rritja e shifrës së tenderave me të cilët vjedhin.
“Unë kam një kohë të gjatë që e njoh këtë problem. Nuk është hera e parë që flitet për prishjen e teatrit, ka qenë një projekt i hershëm teatrit, qysh kur ishte ministër kulture Rama ka dashur luajë. Ne kemi qenë kundër atëherë, unë kam qenë edhe këshilltar në atë kohë. Pastaj ka pasur një projekt tjetër, kur ishte kryetar Bashkie që donte të prishte teatrin që është një trashëgimi kulturore e Shqipërisë. Dikush mund të thotë që është një ndërtesë e dobët. Është e dobët por është një ndërtesë me arkitekturën e vet, me historinë e vet që edhe po u rikonstrukturua duhet të rrijë ashtu siç është”, tha Lubonja.
“Kryeministri edhe më herët thoshte se është e parikuperueshme, sepse kryeministri do beton dhe beton për të do të thotë para investime. Ai prishi edhe stadiumin Qemal Stafa, thoshte nuk është i bukur apo nuk është i rikuperueshëm. Pra një shtet ruan, rikuperon. Në Itali kur bien tërmetet, ka një parullë: Ashtu siç ishte dhe ku ishte. Kryeministri ynë nuk e njeh fare këtë.
Atje ku u prish një urë osmane, karakteristike. Shqipëria që ndërton gjithë këto pallate, që ka kaq shumë beton ka kaq shumë gurë nuk ka mundësi ta bëjë ashtu atë?! Pse? Sepse ata duan ta bëjnë jo “Ashtu siç ishte ku ishte”, por duan të bëjnë një gjë të re që të fitojnë para. Ta shtojnë sa më shumë atë shifrën e tenderave me të cilat vjedhin. Plus fut edhe ndonjë dëlir të kryeministrit për kullat. Dhe të gjitha këto bashkë kanë sjellë këtë katrahurë që jemi ne sot”, deklaroi Lubonja.
“Unë mendoj se ky është qëllimi i fshehtë, prishja atje për ndërtime, dhe kjo është fasada sepse ky është stili i Edi Ramës, e ka përdorur gjithmonë. Edhe kur prishi kinemanë “17 Nëntori” tha njëherë e ka futur brenda ai arkitekti, pastaj doli që s’ka as kinema. Është një mashtrues i njohur kombëtar dhe ndërkombëtar,” tha analisti Lubonja.