Shqipëria po ecën kuturu. Nuk ka asnjë ideologji së cilës mund t’i përafrohet rruga që po ndjek Shqipëria. Nuk ka asnjë vizion që mund të përkufizojë drejtimin që ka marrë Shqipëria. Nuk ka asnjë logjikë me të cilën mund të justifikohet si nga ana teorike ashtu dhe nga ana praktike ajo që po ndodh në Shqipëri në jetën politike, ekonomike, sociale, kulturore, sportive, etj.
Askush nuk është në gjendje të tregojë se cilat janë objektivat strategjike dhe operacionale për integrimin e vendit në rajon dhe më gjerë dhe askush nuk mund të tregojë qoftë edhe disa elemente të ndonjë plani veprimi, rrugën që po ndiqet dhe që do ndiqet në të ardhmen e afërt dhe të largët dhe cilat janë e cilat do jenë drejtimet e punëve në nivel kombëtar për të arritur synimet tona si komb. E tërë kjo, nuk ka asnjë kuptim pa aspektet financiare, sepse që të kesh një vizion, mision, objektiva dhe plan veprimi, në fund të fundit, duhet mbështetja financiare.
Të gjitha vendet që sot janë në krye të zvillimeve në nivel ndërkombëtar, e kanë mbështetur çdo gjë në faktorin e brendshëm me ndihmën e faktorit të jashtëm. Në Shqipëri po ndodh e kundërta. Presim që të bëjë ndonjë punë faktori ndërkombëtar dhe ne brenda vendit vetëm presim, e presim, e presim, … Aq shumë jemi duke pritur saqë kemi harruar se ç’farë jemi duke pritur.
Dhe e gjithë kjo gjendje vetëm dhe vetëm për shkak të asaj që ne e quajmë kapitalizëm, por që në fakt nuk është asgjë vetëm një model rrugaçëror i drejtimit të punëve si në nivel qeveritar dhe vendor, ashtu dhe në nivel subjektesh private dhe në nivel fisi, fshati e familjeje, model që nuk ka as principe dhe as bosht ideologjik. Thjesht kuturu. Ky model drejtimi i punëve në Shqipëri ka të bëjë me një jetë politike, ekonomike, sociale, kulturore, sportive, etj, ku suksesi varet nga relatat shumë të ngushta që janë krijuar midis njerëzve të qeverisë, biznesit, drejtuesve të OJF-ve, organizatave kulturore, sportive, etj. Këto marrëdhënie kaq të afërta dhe të paskrupullta shfaqen në jetën e përditëshme në favorizimin në shpërndarjen e lejeve të biznesit, granteve e financimeve qeveritare, reduktimeve tatimore për biznese të veçanta, në forma të ndryshme të ndërhyrjes shtetërore, etj.
Është mjaft e dukshme që në Shqipëri ky farë lloj modeli drejtimi në të tëra aspektet ka ecur paralel me nivelin e nepotizmit. Dhe që të dyja, mënyra e drejtimit dhe niveli i nepotizmit kanë ecur paralel me rritjen e çoroditjes publike në masë të gjerë të individëve që shkojnë kuturu
E tërë kjo maskaradë praktikisht karakterizohet me dominimin e tërë sektorëve fitimprurës në Shqipëri nga disa individë që përfitojnë nga ligjet, rregullat dhe urdhërat e paqarta që jepen me qëllim të tilla nga klasa politike, e cila, dukshmërisht është tërësisht dhe thellësisht e korruptuar. Pothuajse të tërë ata që nuk bëjnë pjesë në lidhjen treshe të çimentuar fort politikë – biznes – media spekulative, që bëjnë gabim të tejkalojnë kufijtë e tyre, kanë patur dhe mund të kenë ndëshkime të papritura, në formën e gjobave, kërcënimeve dhe / ose burgimit.
Në këto kushte kur jeta politike, ekonomike, sociale, kulturore, sportive, shkencore, etj, në Shqipëri, kanë degjeneruar dhe degraduar në formën më të keqe të mundëshme falë korrupsionit galopant, tregu i lirë nuk ka asnjë mundësi zhvillimi dhe ecën kuturu. Në një shtet ku çdo vend pune shikohet si mundësi për mitmarrje dhe ku rrushfetet për zyrtarët e qeverisë konsiderohen si një normë e zakonshme jetese dhe mbijetese dhe ku evazioni fiskal me shifra skandaloze nuk përbën ndonjë problem për biznesin dhe politikën e lidhur me të, është lehtësisht e kuptueshme se qeveria e korruptuar favorizon në mënyrë të dukshme një grup pronarësh biznesi, thjesht për shkak të lidhjeve nepotike, financiare dhe morale që në fund të fundit kanë degjeneruar edhe në lidhje të jashtëligjëshme në të tëra aspektet, ku përpjekjet për ligjshmëri dhe për të vendosur të drejtën legjitime konsiderohen si idiotësi dhe idealizëm shterpë.
Askush nuk është në gjendje që të mohojë se në Shqipëri ka grupe dhe individë me influencë dhe pushtet të pakufizuar që me anë të mekanizmit të vetos kanë qenë dhe janë ende në gjendje të bllokojnë çdo ndryshim që mund të sjellë përmirësim në çdo aspekt të jetës në vend dhe në fakt, fitorja e vërtetë e popullit shqiptar do jetë atëhere kur fuqia e vetos që bllokon risitë të mos ekzistojë, kur të mos ketë individë dhe grupe që të përdorin fuqinë e vetos për përfitime individuale dhe të grupit që përfaqësojnë, në dëm të interesave kombëtare dhe të grupeve shoqërore që përpiqen për të mirën e popullit shqiptar dhe që janë në rrugën e përmirësimit të vazhdueshëm.
Duke përmbledhur sa më lart, Shqipëria nuk është aspak në rrugën e ekonomisë së tregut dhe të kapitalizmit. Ky nuk është kapitalizëm. Lëvizja që po ndodh në Shqipëri është thjesht një vorbull jetësh njerëzish pa bosht që shkojnë kuturu. Vidh të vjedhim. Ha të hamë. Pi të pimë. Kuturis të kuturisim. Si e tillë, kjo lëvizje është lehtësisht e manipulueshme nga individë dhe grupe të caktuara, që kanë patur dhe kanë si synim poshtërimin e shqiptarit dhe zotërimin e pushtetit për të shfrytëzuar burimet njerëzore, financiare dhe natyrore për përfitime personale, pa marrë parasysh asnjëherë interesat kombëtare dhe të qytetarëve shqiptarë.
Rezultati është mëse i evidentueshëm. Një komb në rrudhje. Një ekonomi në shkatërrim. Një shtet në degradim. E tërë kjo si rezultat i mungesës së ideologjisë së drejtimit. I mungesës së njerëzve me shkollë në drejtim. I mungesës së principeve njerëzore në nivelet e larta të jetës politike, ekonomike dhe sociale në vend.
Kuptohet fare lehtë se kjo ka ardhur si rezultat i mungesës së filtrave në bërjen e karierës në çdo drejtim dhe si rezultat i mungesës së procedurave të përgatitjes së pasardhësve me dy pare mend në kokë në këtë vend.
Kjo, në fund të fundit ka bërë që në krye të vendit dhe të drejtimit të punëve të vijnë plot lezet pwr mw shumw se 100 vjet bejtexhinj, kasapë, bojaxhinj, e të tjerë si këta, që e kanë kthyer Shqipërinë në një eksperiment ku qenia njerëzore është kthyer gradualisht në kafshë pylli. Kuptohet fare lehtë se në ç’farë duarsh ka rënë drejtimi i vendit që nga pamja e shesheve dhe qendrave të banuara në Shqipëri, nga përmbytjet që ndodhin sa herë që bie nga qielli një legen shi, nga sasia e drogës që kapet çdo ditë në kufijtë e vendeve fqinje me Shqipërinë, nga bërja VIP nga ana e media e modeleve më të shëmtuara të veprimtarisë njerëzore dhe të mënyrës së jetesës, etj.
Kuturuja është bërë pjesë e jetës së përditëshme e pjesës më të madhe të individëve që përbëjnë shoqërinë shqiptare dhe më e keqja, kjo mënyrë jetese kuturu u është transmetuar edhe fëmijëve që tashmë po bëhen gati që t’ja transmetojnë këtë mënyrë jetesë motrave dhe vëllezërve të tyre më të vegjël dhe, pasi të bëhen prind, edhe fëmijëve të tyre në të ardhmen e afërt, e kështu me radhë.
Kuturuja ka fituar betejën mbi qëllimin e jetës njerëzore. Individi kuturu e ka fituar betejën mbi qytetarin logjik. Homo instictus ka fituar mbi Homo economicus.
Mos u çudisni kur ndonjë ditë do ju vijë dikush t’ju kafshojë krahun a kofshën në mes të rrugës në ditën me diell. Kamikazet kuturu që bëjnë jetë kuturu, që marrin urdhëra kuturu nga shefat kuturu, veprojnë kuturu kundër qytetarit kuturu. Në rastin më të mirë, qeverisja në Shqipëri është e paaftë dhe në rastin më të keq është e lidhur ngushtë me krimin. Shqipëria kuturu. Kuturis të kutirisim.