Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico ofroi një shpërblim prej 1 milion eurosh për këdo që ka informacione për vrasjen e një gazetari investigativ në vend.
Media vendase raportojnë se në shënjestër të gazetarit Kuciak ishin edhe zyrtarë të kabinetit të kryeministrit, por ky i fundit tha se nuk duhet fajësuar askush pa prova, sidomos pasi opozita fajësoi drejtpërdrejtë partinë qeverisëse SMER për vrasjet. Ndërkohë, shefi i policisë sllovake Tibor Gaspar tha se ka shumë mundësi që vrasja të ketë lidhje me hetimet që gazetari po kryente.
Sipas mediave, Kuciak po hetonte devijimin e fondeve të BE-së në pagesa të rremë për një skemë taksash mes Sllovakisë dhe shtetasve italianë që kanë lidhje me Ndrangheta. Vrasja e tij shkaktoi një reagim të ashpër publik dhe nisjen e organizimeve për protestë antikorrupsion. Analistët thonë se vrasja e Kuciak është një këmbanë alarmi edhe për vetë BE-në, pasi vetëm pak muaj më parë, në një tjetër vend të unionit pikërisht në Maltë, u vra gazetarja Daphne Caruana Galizia, e cila gjithashtu hetonte korrupsionin në nivele të larta politike dhe qeveritare./360grade.al