Nga Sokol Shameti
Ivica Daçiçi flet për marrëveshje historike me Kosovën por thotë se Serbia nuk do të pranojë kurrë atë që shqiptarët kanë shpallur në mënyrë të njëanshme.
E ka fjalën për pavarësinë prej një okupacioni gati 90-vjeçar. A thua se ky okupacion u krye me marrëveshje të dyanshme. A thua vendimi i serbëve për t’u vetëshpallur zot në shtëpinë e tjetërkujt, ka pasur ndonjëherë pëlqim të dyanshëm. A thua Serbia i pyeti shqiptarët kur ua mori lirinë më 1912, kur i shfrytëzoi në mënyrë koloniale, i përndoqi, vrau dhe i shkombëtarizoi.
Por në fund të fundit, Daçiçi thjesht na dëshmon me fjalët e tij të vërtetën e asaj ç’ndodhi në Kosovë. Nuk ka pushtues që e pranon me dëshirë çlirimin e atij që ka mbajtur nën vargonj. Nuk ka liri që fitohet me miratimin e atij që ta ka privuar këtë liri.
Mes agresorit dhe të sulmuarit, papajtueshmëria është kusht i domosdoshëm. Veçse për viktimën kjo është papajtueshmëri me pozitën e viktimës, ndërsa në rastin e agresorit është papajtueshmëri me lirinë e tjetrit.
Për sytë e botës, ndryshimi në lloj mes këtyre papajtueshmërive është prova e gjallë e rolit të secilit mes nesh në këtë histori.