Nga Jona Koprencka
Në botën e globalizuar në të cilën jetojmë gjithçka prek gjithkënd. Me ardhjen e shekullit të ri ndarja e krijuar Perëndim-Lindje, vende të zhvilluara- vende në zhvillim ose të botës së tretë duket se e ka humbur vijën ndarëse (britannica.com).
Në këtë përditësim global të fenomeneve të ndryshme, edhe mbi çështjen e ekstremizmit, informacioni nuk mungon. Duket si një term që nuk ka lidhje me harmoninë dhe tolerancën fetare që mbizotëron në vendin tonë, por çdo që ndodh lë shenja edhe në vendet me shoqëri më tolerante.
Fatkeqësisht, ngjarjet e negative janë ato të cilat jo vetëm që zënë më shumë hapësirë mediatike, por edhe influencojnë më tepër. Për të qëndruar në këtë temë, një nga ngjarjet më të diskutuara nga vitet 2000 e deri më sot është ekstremizmi. Një fenomen ky i lënë në hijë, por që pas sulmeve të Kullave Binjake në 11 shtator të vitit 2001 u kthye në kryetemën e sigurisë. Këto sulme të kryera nën petkun e një propagande ekstremiste dhe terroriste sollën në jetë konceptin e ri ‘Luftë mbi Ekstremizmin dhe Terrorizmin’.
Pasojat e këtyre sulmeve, por mbi të gjitha të asaj çka ato sollën më vonë në vitin 2001 do të ishin të paimagjinueshme. Lufta mbi ekstremizmin do të vijonte të bëhej akoma më prekshme në qershor të vitit 2014(www.vox.com), kur Isisi nga një grup rajonal shpalli kalifatin e tij duke u vetëshpallur ‘Shteti Islamik i Irakut dhe i Sirisë’. Nga kjo shpallje zyrtare e një shteti duke propaganduar frymën fetare, situata u ndërlikua akoma më shumë, kur aktivitetet e tij terroriste dhe ekstremiste u përhapën në pjesën tjetër të botës.
Sulme të panumërta në Stamboll, Ankara, Paris, Bruksel, Marsejë, Barcelonë, Londër, San Bernardino etj propagandojnë frymën e ekstremimzit fetar. Të quajtura si kuazë fetare(islame) këto sulme kërkojnë të bëjnë ndarjen ideologjike Perëndim-Lindje dhe përçarje mes Islamit dhe besimeve të tjera.
Kudo ku këto sulme kanë ndodhur është vërejtur një distancim i komunitetit islam dhe i praktikantëve nga ideologjia ekstremiste. Franca, shteti europian, ku jeton një nga komunitetet më të gjëra Islame, ka bërë një punë që vlen të përmendet për mos-stigamatizmin dhe përplasjen e religjioneve, duke organizuar edhe open-day në disa xhami të vendit (le Figaro.fr).
Nga e gjithë panorama e sipërpërmendur normalisht që vendi ynë, Shqipëria, nuk mund të jetë imune. Në mazhorancë popullsia i përket besimit fetar islam dhe normalisht që ekstremizmi është një temë e diskutueshme.
Kjo frymë ka depërtuar edhe në vendin tonë, duke bërë që një numër i caktuar qytetarësh të braktisë familjen dhe vendin e t’i bashkohen kauzës ekstremiste. Edhe pse është një numër relativisht i ulët, në përputhje me numrin e popullatës dhe me të kaluarën tonë, është një shifër që nuk duhet t’i përkiste vendit tonë. Ndryshe nga vendet e tjera, ku është përqafuar kjo ideologji, shqiptarët, i janë bashkuar asaj kryesisht për arsye ekonomike(për shkak se jetojnë në zona të thella ku kanë një ekonomi të ulët). Familjarët ose miqtë e këtyre luftëtarëve të huaj, të kontaktuar nga institucionet shtetërore ose nga media kanë deklaruar se personi në fjalë ka lënë vendin për shkak se i është ofruar një X shumë të ardhurash. Një faktor tjetër që i ka shtyrë këto persona t’i bashkohen kësaj kauze është mosarsimimi, jetesa në zonat e thella dhe mungesa e jetës social-kulturore( pjesa më e madhe e të larguarve, luftëtarëve të huaj, vijnë nga zonë rurale).
Këto janë faktorët kryesor që i kanë shtyrë ata pak shqiptarë t’i bashkohen kësaj ideologjie. Edhe në disa forume të mbajtura nga prezenca e OSBE në Shqipëri është përmendur fakti se në Shqipëri ndryshe nga të gjitha vendet e tjera faktori shtytës kryesor për tu bashkuar më këtë ideologji është ekonomia e dobët (www.osbe.com). Për sa i përket pjesës fetare, shumë e mediatizuar dhe në disa raste pak e kuptuar, nuk ka luajtur rol në përcjelljen e mesazheve të gabuara. Fatmirësisht, ne jemi një vend, gjeografikisht i rrethuar nga popullatë shqiptare dhe ky faktor është mjaft lehtësues në përcjelljen e mesazheve që janë ndërmarrë deri tani në luftën kundër ekstremizmit.
Përpos tolerancës dhe harmonisë fetare për të cilën krenohemi, do të ishte mirë t’i hidhnim një sy historisë. Feja në Shqipëri u bë e lejueshme vetëm pas viteve 1990, kohë në të cilën vendi përqafoi demokracinë. Pas këtyre viteve filloi edhe praktikimi i fesë dhe ndërtimi i kulteve fetare. Në vitet e vështira dhe të errta të diktaturës komuniste, vendi ynë ishte ateist. Besimi në Zot ishte i ndaluar, objektet e kultit, kishat dhe xhamit, u shkatërruar dhe priftërinjtë e hoxhallarët u vranë dhe u burgosën. Në 50 vite diktaturë të flisje për fenë ose të praktikoje ishte e ndaluar. Por, nëse do të shikojmë historinë para vitete të komunizmit do të vëmë re që ekzistonte po e njëjta frymë tolerance për të cilën ne sot krenohemi. Priftërinj dhe hoxhallarë ishin bashkë në vendimet e marrë në Kuvendin e Prizrenit dhe në Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë. “Feja e shqiptarit është shqiptaria’(albavizion.com) shkruan Pashko Vasa, duke e kthyer këtë shprehje në simbolin e bashkëjetesës dhe tolerancës së shqiptarëve.
Me një të kaluar kaq të begatë në konceptin e lirisë së religjioneve dhe bashkëjetesës së tyre ndër shekuj, përqafimi i kësaj ideologjie ekstremiste në kontekstin shqiptar mbetet (nga rastet e vërejtura deri më tani) kryesisht në faktorin ekonomik./americaneye.al