Përderisa presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov ka kërcënuar se nuk do ta nënshkruajë Ligjin për përdorimin e gjuhëve, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti pohoi se shqipja do të zyrtarizohet edhe pa nënshkrimin e tij.
Askush s’e bllokon dot gjuhën shqipe, ka potencuar Ahmeti në një deklaratë ekskluzive për RTK-në.Ahmeti deklaroi se Ligji për përdorimin e gjuhëve, i miratuar nga Kuvendi i Maqedonisë, është një e arritur historike për shqiptarët dhe me këtë ligj është mbyllur një kapitull shumë i rëndësishëm i Marrëveshjes së Ohrit.“Është një e arritur e madhe, një e arritur vërtetë historike për shqiptarët në Maqedoni, por edhe për shqiptarët që jetojnë në hapësirat e veta në Kosovë dhe në Shqipëri. Kjo gjuhë do t’ju shërbej të gjithë shqiptarëve, po ashtu është edhe në dobi të bashkëqytetarëve tanë maqedonas, sepse çdo i dyti banorë i këtij vendi flet ndryshe nga gjuha e bashkëqytetarëve tanë maqedonas. Ligji i miratuar është në dobi të stabilitetit dhe të paqes. Me këtë ligj është përmbyllur një kapitull shumë i rëndësishëm i Marrëveshjes së Ohrit,e cila erdhi si rezultat i sakrificës dhe rezistencës së popullit shqiptar. Për këtë gjuhë ka heronj, ka dëshmorë që kanë dhënë jetën në vitin 2001”, ka theksuar Ali Ahmeti për RTK-në.
Lidhur me paralajmërimet e presidentit maqedonas Ivanov, se nuk do ta dekretojë Ligjin, Ahmeti theksoi se Ivanov është i obliguar ta nënshkruaj Ligjin, në të kundërtën e shkelë Kushtetutën e këtij vendi.“Zotit Ivanov i kam bërë një porosi që ai ta dekretonte Ligjin, që në votimin e dytë. Ai nuk mundi ta tejkaloj veten për të qenë një përfaqësues legjitim i të gjithë qytetarëve të këtij vendi. Me votimin në lexim të tretë që është bërë në Kuvendin e Maqedonisë, zoti Ivanov e ka detyrim kushtetues ta dekretojë ligjin, sepse në të kundertën ai shkel kushtetuten dhe ligjet e këtij vendi. Vllerësojmë se tani më ai mban qendrim politik dhe antishqiptar. Ligji do të hyjë në zbatim, e nënshkruajti apo nuk e nënshkruajti Ivanovi”, ka shtuar tutje Ahmeti.Veprimin e ashpër të opozitës maqedonase gjatë miratimit të ligjit, Ahmeti e cilësoi si një reagim të VMRO-DPMNE-së për t’u arsyetuar para votuesve të saj.“Reagimi në Kuvend i opozitës nuk do t’i ndihmoj VMRO-DMNE-së të përmirësoj imazhin e saj e as te elektorati i vet, e as nuk do t’i shërbejë VMRO-së që të përmirësoj imazhin tek shqiptarët në Maqedoni. Nuk kam pritur të votoj e as të aplaudoj VMRO për ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe. Konsideroj se një reagim i tillë i opozitës maqedonase ndodhi për t’u arsyetuar përpara votuesve të saj”, nënvizoi Ahmeti.