Biznesi i lë kohë qeverisë 15 ditë për të ndryshuar qëndrim mbi këtë çështje. Në të kundërt, paralajmëron se do të nisë protestat në të gjithë vendin
Biznesi i vogël kundërshton me forcë përfshirjen në skemën e TVSH-së, që pritet të ndodhë nga 1 prilli. Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm të Shqipërisë i ka dërguar një kërkesë zyrtare kryeministrit Edi Rama, nëpërmjet së cilës kërkon tërheqjen e qeverisë nga vendimi për përfshirjen e kësaj kategorie tatimpaguesish në TVSH. Biznesi i lë kohë qeverisë 15 ditë për të ndryshuar qëndrim mbi këtë çështje. Në të kundërt, paralajmëron se do të nisë protestat në të gjithë vendin.
Letra zyrtare dërguar qeverisë parashikon 4 kërkesa.
“1. Të anullohet vendimi i Këshillit të Ministrave, i cili vendosi të fusë në skemën e TVSH-së të gjitha bizneset me xhiro vjetore 2 milionë lekë.
- Përmirësim urgjent i klimës ‘armiqësore’ ndërmjet biznesit dhe shtetit.
- Biznesi i vogël dhe i mesëm të kontrollohet 1 herë në vit ose në 3 vjet.
4.Rimbursim i kasave fiskale për të gjithë biznesin, i cili nuk ka përfituar nga ligji i parë për rimbursim.
Për realizimin e pikës së parë i lihet afat qeverisë 15 ditë. Mosrealizimi brenda afatit i pikës NR.1 do të shënojë fillimin e protestave në gjithë vendin deri në realizimin e kësaj pike”, theksohet në letrën e Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm.
Biznesi ankohet për klimë të rënduar
Në letrën dërguar kryeministrit, Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm jep edhe argumentat, mbi bazën e të cilave kundërshton përfshirjen në skemën e TVSH-së. “Në vitin 2015 u mbyllën 26 mijë biznese. Në vitin 2016 u mbyllën 23 mijë biznese. Në vitin 2017 u mbyllën 14 mijë biznese. Në tre vjet 63 mijë biznese”, theksohet në letrën zyrtare. Shoqata vlerëson si shkaqe të mbylljes së bizneseve nivelin e lartë të taksave, më të lartat në rajon dhe Europë; cmimin e lartë të energjisë dhe karburanteve; rënien e fuqisë blerëse; rritjen e korrupsionit; kontrollet e shpeshta dhe selektive; klima e rendit dhe sigurisë, sjellja “armiqësore” e shtetit me biznesin; gjobat e shpeshta dhe të pa përballueshme nga biznesi; ndryshimet e shpeshta të ligjeve dhe rregulloreve për biznesin.
Biznesi paralajmëron rritje çmimesh
Kostot që biznesi do të ketë nga futja në skemën e TVSH-së do t’ia faturojë konsumatorëve. Shoqata paralajmëron rritje të çmimeve në treg, nëse të vegjëlit do të paguajnë Tatim mbi Vlerën e Shtuar. “Jemi kundër pasi rrit shpenzimet e biznesit të vogël dhe të mesëm. Rrit çmimin e produkteve që tregetohen nga kjo kategori biznesi. Favorizon monopolet dhe ul konkurrencën e biznesit në krahasim me bizneset e vendeve të rajonit. Kjo skemë e vendosur nga qeveria shqiptare është kritikuar nga FMN dhe BB dhe nuk zbatohet në 26 vendet e Bashkimit Europian”, thekson Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm. Sipas parashikimeve të saj, nëse përfshihen në TVSH, brenda vitit 2018 do të mbyllen 50 mijë biznese.
Çoroditja
Përfshirja në skemën e TVSh-së duket se ka sjellë amulli te bizneset e vogla me qarkullim mbi 2 milionë lekë. Albert Nasta, kryetar i shoqatës së biznesit të vogël, tha se ky vendim i ka gjetur të përgatitur sipërmarrjet, të cilat nuk kanë njohuri për procedurat e përfshirjes në skemën e TVSH-së. Sipas Nastës, kësaj skeme do t’i duhej minimalisht 2 vite për t’u zbatuar si duhet. Jashtë skeme do të mbeten vetëm bizneset ambulante, ndërsa shtoi se bizneset e vogla, që të funksionojnë duhet të kenë një xhiro ditore prej 50 mijë lekësh, fakt që tregon shtrirjen e gjerë që do të ketë skema.
Duke qenë se bizneset e vogla nuk kanë njohuritë e duhura në lidhje me TVSH-në, Nasta tha se përfshirja në mënyrë të nxituar të këtyre bizneseve në skemë do të pasohet me vendosjen gjobave, të cilat do të jenë dhe më të larta se me parë, duke qenë se tani bizenset do të jenë të përfshira në një kategori tjetër.
Aktualisht bizneset e vogla duhet të nisin procedurën e inventarizimit të mallrave në magazinë. Ahmet Gjinishi, kontabilist, tha se bizneset e vogla janë akoma të paorientuar me skemën e re. Në rast se bizneset e vogla nuk fillojnë që tani me inventarizimin e mallrave me TVSH, do t’iu duhet që pas datës 1 prill të paguajnë TVSH për mallrat që kanë blerë pa TVSH nga data 1 janar deri në 30 mars. Thënë ndryshe do t’iu shtohet një kosto prej 20 për qind.
Sipas zotit Gjinishi përveç TVSH-së, bizneseve do t’iu shtohen edhe kosto administrative. Deri më tani bizneset e vogla nuk kanë pasur një ekonomist. Gjinishi përllogarit një kosto shtesë minimale prej 30 mijë lekësh për të. Gjithashtu ai thotë se biznesve do t’iu lindë nevoja për të blerë dhe programet financiare si Bilanc, Alfa apo Financa 5, të cilat ushtojnë rreth 50 mijë lekë.
Gjinishi thotë se aktualisht asnjë biznes që ai ka në portofolin e tij të klientëve nuk ka ndërmarrë hapa për të kryer procesin e inventarizimit të mallrave me TVSH dhe se një pjesë e tyre po shpresojnë që në datën 1 prill, i gjithë malli që kanë në magazina të inventarizohet si mall me TVSH. Deri atëhere mbeten në pritje të ndonjë vendimi të dytë nga administrata tatimore.
Si do të bëhet deklarimi
Tatimet njoftuan se tatimpaguesit, të cilët kanë realizuar një qarkullim mbi 2.000.000 (dy milionë) lekë, për vitin kalendarik 2017, si dhe ata që parashikojnë të realizojnë këtë qarkullim gjatë këtij viti, nga data 1 Prill 2018 duhet të regjistrohen me përgjegjësinë tatimore të TVSH-së (tatimi mbi vlerën e shtuar).
Çdo tatimpagues i regjistruar për TVSH-në, duhet të komunikojë me shoqërinë e autorizuar që e ka furnizuar me pajisjen fiskale për të bërë ndryshimin e shkallës tatimore të TVSH brenda dates 31 mars 2018, për qëllim të lëshimit të kuponit tatimor me TVSH; Çdo tatimpagues i regjistruar për TVSH-në brenda datës 31 mars 2018 duhet të furnizohet me faturat tatimore me TVSH, të përdorshme për çdo shitje mbi 40.000 (dyzet mijë) lekë, ose kur blerësit do t’i kërkojnë një të tillë. Paraprakisht këta tatimpagues duhet të përpilojnë (inventarizojnë) listën e mallrave stok të specifikuar në sasi dhe në vlerë. Ky inventar duhet të dorëzohet në Drejtorinë Rajonale, brenda dates 31 mars 2018. Çdo mall i përfshirë në inventar duhet të jetë i justifikuar me faturë tatimore të blerjes me TVSH, i blerë jo më parë se 12 muaj nga data që është bërë regjistrimi në TVSH.
Ky proces i jep të drejtën çdo tatimpaguesi, që në muajin e parë kur bëhet subjekt i regjistruar në TVSH, të njohë TVSH-në e zbritshme për mallrat e inventarit gjendje në datën e regjistrimit në këtë regjim.
Ndryshimi i përgjëgjësisë tatimore mbështetet në ligjin nr.92/2014 datë 24.07.2014, “Për TVSh-në në RSH”, i ndryshuar neni 117 dhe VKM nr.652, datë 10.11.2017 “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin Nr.953, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave “Për Dispozitat Zbatuese të ligjit nr.92/2014, “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, neni 2, pika 1, i cili përcakton se kufiri minimal për regjistrimin e tatimpaguesve në skemën e TVSH-së, është qarkullimi prej 2 000 000 (dy milionë) lekë në një vit kalendarik./Standard.al