Home KRYESORE Çfarë di për Saimir Tahirin? Flet për hetuesit italianë Nezar Seiti, financieri...

Çfarë di për Saimir Tahirin? Flet për hetuesit italianë Nezar Seiti, financieri i Habilajve

Ekstradimi i tij nga Shqipëria në Itali përfshiu vendin në një valë debatesh pasi konsiderohej si person kyç për të ndihmuar hetimet e nisura nga Krimet e Rënda për Saimir Tahirin. Tashmë Nezar Seiti ka dëshmuar në Prokurorinë e Katanias. Seiti ka dhënë shpjegime dhe hollësira në organin e akuzës së Katanias, dëshmi që do t’i vihet në dispozicion edhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Në një letërporosi të Krimeve të Rënda drejtuar autoriteteve italiane në muajin shkurt, ku kërkohej ndihmë për hetimin e çelur ndaj ish-Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, theksohej fakti se gjatë qëndrimit në paraburgim në vendin tonë, Seiti ka refuzuar të japë shpjegime rreth çështjes.

Ndaj në këtë letër porosi u kërkua që të pyetej nga autoritetet e drejtësisë atje për llogari të hetimit që po zhvillohet ndaj Saimir Tahirit.

Nezar Seiti që konsiderohet si një nga njerëzit më të besuar të Moisi Habilajt, (i arrestuar ne Itali) u arrestua në Babicë të Vlorës më 19 tetor të vitit të kaluar gjatë një operacioni antidrogë ku u sekuestruan rreth 4 ton kanabis.

Përgjatë katër muajve që qëndroi në paraburgim, Nezar Seiti e kyçi gojën për hetuesit shqiptarë, ndërsa nuk dihet nëse do të veprojë njësoj përpara prokurorëve në Itali./Opinion.al

Share: