Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, të enjten, është shprehur se ndikimi rus në politikën shqiptare ka prekur kryeministrin e vendit, Edi Ramën.
Basha tha sonte në studion e emisionit “Opinion”, se kryeministri Rama është takuar fillimisht në zyrën e tij dhe më pas jashtë saj, me kompaninë e naftës Gunvor, konkretisht me themeluesin e kësaj kompanie Gennady Timchenko, i cili është në listën e zezë të autoriteteve amerikane.
“Gennadiy Timchenko ka hyrë në listën e zezë të autoriteteve amerikane për shkak të shkeljeve të saksioneve në Ukrainë”,- tha Basha.
Fevziu: E ke të konfirmuar?
Basha: E ka bërë dhe publike, përveç në mënyrë publike e ka takuar edhe jashtë zyrës, heto pak lidhjet ruse që ka Rama me kompaninë turke që ka caktuar për të ndërtuar aeroportin e Vlorës.
Shikoni tenderat që ka kjo kompani nëse doni lidhjet me rusët. Shiko pak lidhjen e Ramës me Vuçiç që blen armë në Rusi. Shiko pak tezat për shkëmbimbet e territoreve.
Kompania Gunvor
Gunvor është akuzuar drejtpërdrejtë nga qeveria amerikane si një kompani e lidhur me presidentin Putin. Zyrtarisht, aksionet e Gunvor zotërohen nga Torbjörn Törnqvist dhe Gennady Timchenko si dhe një palë e tretë e panjohur. Në mars të vitit 2014, Departamenti Amerikan i Shtetit deklaroi publikisht se pas kompanisë qëndron direkt Vladimir Putin duke e futur në “listën e zezë”.
Për shkak të lidhjeve me presidentin rus, në vitin 2014 presidenti amerikan Barack Obama, pezulloi operacionet financiare të Gunvbor në Shtetet e Bashkuara duke i sekuestruar llogaritë bankare. Kompania është në listën e zezë të qeverisë amerikane dhe bllokimi i llogarive të saj është goditja më e madhe që qeveria amerikane i ka bërë drejtpërdrejt Vladimir Putinit./opinion.al