Home KRYESORE Diçka më shumë për diplomacinë ekonomike në lidhje me Kinën

Diçka më shumë për diplomacinë ekonomike në lidhje me Kinën

Nga Kasem Seferi

Kina, nga një vend në zhvillim që e ka munduar tranzicioni nga socializmi, ka evoluar në një vend të pasur dhe të forte, mbrojtur nga statusi i saj si një ekonomi në zhvillim, që qendron “mbi ujë” me një forcë punëtore ultra – konkurruese dhe me një investim fizik tejet të madh.

Tashmë, është vërtetuar se Kina është më e fuqishme se sa ishte, por nuk njihet shkalla me të cilën zgjedhjet e saj politike, ndikojnë në të gjithë çështjet globale dhe në çdo rajon rreth e rrotull botës (me fjalë të tjera, shkallën me të cilën Kina është bërë një problem global për botën).

Kjo “pikëpyetje” kërkon një përgjigje globale, politik që marrin në konsideratë rolin e Kinës në çështjet globale dhe në rajone të ndryshme rreth e rrotull botës dhe që rrisin vemendjen e vendeve të Europës Juglindore, veçanërisht, vendeve të Ballkanit Perëndimor, për të punuar së bashku me SHBA, BE dhe të tjerë.

Sipas analistëve të politikës së jashtme një politikë e tillë globale e Kinës do t’i shtojë kërkesat mbi politikën e jashtme të Europës në krahasim me rrugëzgjidhjen e “angazhimit të pakushtëzuar” që Europa ka ndjekur deri tani.

Veçanërisht, kjo do t’i kërkojë Europës të përmirësojë bashkërendimin e marrëdhënieve të saj ekzistuese, gjithnjë, në kuadër të mundësive të reja, që ofron Traktati i Lisbonës.

Hapi i parë u konsiderua krijimi i procesit të politikbërjes dhe instrumenteve që do t’ia bënin të mundur Europës të përgatisë një politikë më tërheqëse dhe më të qendrueshme drejt Kinës.

Hapi i dytë u konsiderua identifikimi i qëllimeve të politikës dhe marrëveshjeve të perceptuara që mund të puthiten në mënyrë realiste me Kinën në disa çështje parësore, rrugëzgjidhje kjo që, pa dyshim, do të testohej nga Kina.

Në qoftë se Europa do të ishte dhe do të jetë e qendrueshme në kërkesat e saj, do ta detyronte Kinën të ripërqendrohej në Europë jo vetëm si një nga tregjet e saj ndërkombëtare kyç, por gjithashtu, si një negociator kompetent dhe një nga ruajtësit e sistemit ndërkombëtar.

Kina zinte vendin e tretë ndër vendet nga importon Shqipëria (të paktën të dhënat e vitit 2008 tregonin se rreth 424 milion US$ importoheshin nga Kina).

Kina i ka kushtuar dhe i kushton rëndësi të veçantë bashkëpunimit ekonomik dhe tregtisë me Shqipërinë, duke i ofruar lehtësi kompanive shqiptare për të bërë biznes në Kinë, pavarësisht se si kanë shkuar këto marrëdhënie në bilancin e tyre tregtar.

Qeveria kineze u ka dhënë mbështetje të veçantë tatimore, doganore, hua dhe sigurime të gjithë projekteve për investime të rëndësishme në Shqipëri.

Kina ka dërguar delegacione biznesi të nivelit të lartë për të studjuar tregun shqiptar.

Nga mbështetja, kryesisht në import dhe eksport, marrëdhëniet ekonomike dypalëshe të Kinës me rajonin e Europës Juglindore, janë prirur të zgjerohen në lidhje me tregtinë, investimin dhe bashkëpunimin prodhues.

Integrimi i rajonit në BE, për Kinën, paraqit një potencial shumë të madh.

Analistët e politikës së jashtme venë në dukje se pjesa më e madhe e vendimeve kyç në Kinë janë marrë nga aktorë të brendshëm të panjohur për të huajt, veçanërisht, nga Ushtria Popullore Kineze, kompanitë e mëdha shtetërore dhe Partia Komuniste; njohja e këtyre aktorëve është parakusht për të pasur një politikë të jashtme efektive drejt Kinës.

“A kërcënohet pozicioni i Amerikës në botë me rritjen e ekonomisë dhe shtrirjen e arritjeve politike të Kinës dhe Indisë?”.

Kjo është dhe mbetet pyetja që bëjnë analistë të ndryshëm në mbarë botën me qëllim që të marrin një përgjigje të qartë në lidhje me të ardhmen e ekonomisë botërore pas krizës së fundit financiare dhe ekonomike globale, për arsye se shumë prej tyre mendojnë se Kina dhe India, vërtetë, po ngrihen.

Por, kjo pyetje dhe një ose disa simptoma, nuk do të thonë se SHBA do të humbë kontrollin e çështjeve botërore me të cilat ajo tashmë është kaq e familjarizuar; SHBA nuk po vuan nga rënia relative e krizës së fundit financuiare dhe ekonomike.

Mbetet vendi i parë, sepse di si të përgatisë dhe ndërmjetësojë marrëdhëniet e vendeve të tjera, me mënyrën e Bismarkut, të pushojë dhe të përpiqet të diktojë, me mënyrën e George W. Bush, dhe/ose madje edhe me mënyrën e Bill Clintonit.

Ngritja e Kinës pa dyshim është një nga dramat e mëdha të shekullit 21 – të; rritja ekonomike e jashtëzakonshme e Kinës dhe diplomacia aktive (e vënë në dyshim nga rënia e ritmeve në këto vite të fundit) tashmë e ka transformuar Azinë Lindore.

dMadje, në dekadat e ardhshme, parashikohet të shihen rritje më të mëdha të fuqisë dhe influencës së Kinës.

Por, në mënyrë të saktë, se si do të luhet kjo dramë është një çështje e hapur.

A do ta përmbysë Kina rendin ekzistues, apo do të bëhet pjesë e tij?

Çfarë do të bëjnë SHBA për të ruajtur pozicionin kur Kina vazhdon të ngrihet?

Disa vëzhgues kanë menduar koha e SHBA po perëndon, për arsye se rendi botëror, i bazuar te Perëndimi, mund të zevendësohet nga një, që gjithnjë e më shumë, mund të dominohet nga Lindja.

Historiani i Universitetit të Harvardit, skocezi Niall Ferguson ka komentuar se, shekulli i përgjakshëm i 20 – të, dëshmoi “zbritjen e Perëndimit” dhe “një riorientim të botës” drejt Lindjes.

Nuk dihet a ka ndonjë ndikim prej ideve të të njohurit Jacques Attali?!

Realistët vazhdojnë të venë në dukje se, ashtu sikundër Kina bëhet më e fuqishme dhe pozicioni i SHBA – ve erodohej, dy gjëra këto që ata mendonin se kanë të ngjarë të ndodhnin.

Edhe në këtë rast, mendohet, se ndikon thënia e Napoelonit të Madh: “Lereni Kinën të flejë, por kur të zgjohet, do të trondisë botën.”.

Kina po përpiqet të përdorë influencën e saj të rritur për të rimodeluar rregullat dhe institucionet e sistemit ndërkombëtar (siç është vënë re në përpjekjet e saj në G 20, FMN dhe Bankën Botërore), për t’i shërbyer më mirë interesave të saj dhe, shtetet e tjerë në system, do të fillojnin ta shihnin Kinën si një kërcënim në rritje në lidhje me sigurinë.

Rezultati i zhvillimeve të fundit, parashikonin ata, do të ishte tensioni, mosbesimi dhe konflikti, tipare tipike të tranzicionit dhe të pushtetit.

Në këtë pikëpamje, drama e ngritjes së Kinës do të kishte tiparet e një Kine që ngrihej dhe një SHBA – je në rënie, pra, mbyllur në një betejë epike mbi rregullat dhe lidershipin e sistemit ndërkombëtar.

Forcat e tregut po bëhen më të forta; teknologjia po bëhet më bindëse, duke iu dhënë individëve autonomi më të madhe dhe, konflikti politik ndërmjet fuqive të mëdha, po bëhet më i kushtueshëm.

Shikoni lëvizjen e fundit të Trump në lidhje me neomerkantilizmin (rritjen e tarifave doganore për metalet nga Europa)!

Shikoni, gjithashtu, deklaratën e “të mërdhifurit” Juncker në lidhje me reagimin e politikës doganore Trump.

Beteja është në Paqësor … me Kinën.

Kasem Seferi – ekonomist

Share: