Home I pakategorizuar Drejtoresha e Sami Frashërit: Nuk lejoj askënd të bëjë propagandë LGBTI në...

Drejtoresha e Sami Frashërit: Nuk lejoj askënd të bëjë propagandë LGBTI në Shkollë!

Jo vetëm opinioni publik por edhe drejtues të shkollave kanë dalë kundër takimeve që komuniteti LGBTI ka zhvilluar në gjimnazet e Tiranës. Teuta Dobi, Drejtore e gjimnazit “Sami Frashëri” thotë se nuk do të lejojë askënd që në shkollën që drejton të bëjë propagandë mbi orientimin seksual. Reagimi i saj ka qenë në fokus së nje letre që Aleanca LGBTI i ka drejtuar kryeministrit Edi Rama të cilit i kërkon të marrë masa.

Takimet që komuniteti LGBTI ka zhvilluar me nxënës të gjimnazeve në kryeqytet mbi temën e bullizmit kanë ndeshur në kundërshtinë e drejtuesve të shkollave.

Refuzimi që drejtorja e gjimnazit “Sami Frashëri”, Teuta Dobi i ka bërë këtij komuniteti i ka detyruar këta të fundit t`i drejtojnë një letër të hapur kryeministrit Edi Rama.

Rast flagrant që nuk duhet lënë pa përgjigje, theksojnë në letër drejtues te Aleancës LGBTI, teksa shtojnë se drejtorja Domi ka shkelur kodin e etikës.

“Një gjuhë e tillë jo vetëm që fyen qindra dhe mijëra nxënës të komunitetit LGBT dhe prindërit e tyre, por është treguesi flagrant se bullizmi në Shqipëri, për fat të keq, frymëzohet jo vetëm nga mungesa e programeve edukuese në shkolla, por nga shumë mësues të paditur, të cilët përbëjnë një rrezik publik për fëmijët dhe të rinjtë”.

Drejtorja e Aleancës LGBTI, Xheni Karaj, bën me dije në letër se do të njoftojë organizmat ndërkombëtarë ndërsa nga qeveria kërkon hapa konkretë në respekt të të drejtave të njeriut.

Në një reagim për Ora News, Drejtorja e gjimnazit thekson se nuk do të lejojë askënd që të bëjë propagandë në shkollë mbi orientimin seksual.

Domi: Mbështes politikat e qeverisë për komunitet sepse cdo njeri ka të drejtë të jetojë jetën e tij si dëshiron, por nuk lejoj askënd në shkollë që të bëjë propagandë mbi këtë temë. Shkolla është një qendër komunitare dhe reagimi i prindërve ka qënë negativ. Mendoj se orientimi seksual nuk ka pse të diskutohet në publik, aq më tepër në shkollë.

Prej një jave trajnimet e Aleancës LGBTI në gjimnazet e kryeqytetit mbi bullizmin kanë tërhequr vëmendjen e opinionint publik dhe medias.

Share: