Duket se Qeveria po përgatitet të japë një tjetër licencë për Lotari Kombëtare. Ministria e Financave po përgatit legjislacionin e nevojshëm për tenderin e Lotarisë së re Kombëtare, dhe kushtet që duhet të plotësojnë pjesëmarrësit në garë.
Sipas programit zyrtar të kësaj Ministrie, brenda muajit prill do të jetë gati Projektvendimi për përcaktimin e autoritetit të autorizuar për zhvillimin e garës për Lotarinë Kombëtare, shkruan tv scan..
Po brenda prillit do të jetë gati edhe një Projektvendim i dytë, për miratimin e kritereve të vlerësimit të garës, të dokumenteve standarde dhe strukturës së komisionit të vlerësimit të aplikimeve, për dhënien e licencës.
Përmes tij do përcaktohen kushtet që do të të duhet të përmbushin pjesëmarrësit në garë dhe veçanërisht përbërjen e komisionit të vlerësimit të ofertave.
Koncesioni për zhvillimin e Lotarisë Kombëtare që u dha në vitin 2012 nuk pati sukses. Kompania austriake që mori licencën ekskluzive në atë kohë, gjatë tre viteve në vijim akumuloi një sasi të konsiderueshme humbjesh që u vlerësuan në 6.5 milionë euro.
Në vitin 2016, ajo ju shit për 1 euro një tjetër kompanie austriake që është prej vitesh në Shqipëri në biznesin e lojërave të fatit./360grade.al