Viti 2018 duket se do të jetë viti i Rita Orës, e cila që nga ditët e para ka qenë jashtëzakonisht e angazhuar me projekte muzikore, filmike, promovime, koncerte, reklama dhe me linjat e saj të modës.
Hiti “Anywhere” vazhdon të kërkohet nga fansat e muzikës së saj, ndërkohë që bashkëpunimi me Liam Payne, “For You”, i realizuar për filmin “Fifty Shades Freed”, po arrin suksese të jashtëzakonshme.
Me albumin e ri që do të dalë gjatë këtij muaji, turneun e ri muzikor dhe promovimin e një filmi, këngëtarja shqiptare pritet ta shtojë gjithnjë e më shumë pasurinë e saj.
Kush është Rita Ora
Rita Sahatçiu 26 nëntor të vitit 1990 Prishtinë, ndërsa akoma pa i mbushur një vit, familja e saj u zhvendos në Londër. Ajo u rrit në Kensington dhe u shkollua në “Sylvia Young Theatre School” – shkruan Daily Mail në artikullin kushtuar jetës dhe karrierës së këngëtares shqiptare.
Me muzikë nisi të merrej që e re duke kënduar në një lokal në Kilburn, ndërsa në vitin 2009 deshi të konkurronte për ta përfaqësuar Britaninë e Madhe në Eurovision, mirëpo u tërhoq.
Menjëherë pas, menaxherja Sarah Stennett krijoi kontakt me ‘labelin’ e Jay-Z, Roc Nation, me të cilin nënshkroi kontratë dhe u paraqit në klipin e reperit, “Young Forever”.
Para se ta publikonte albumin e parë, Ora xhiroi disa ‘video-ditarë’ në YouTube duke kënduar këngë të yjeve tjera. Këto video tërhoqën vëmendjen e DJ Fresh, i cili kishte nevojë për një vokaliste për këngën “Hot Right Now”. Kënga u bë hit dhe debutoi në krye të top-listave britanike.
Pas lansimit të këngëve, si “R.I.P” dhe “How We Do (Party)” në vitin 2012, këngëtarja njoftoi se do ta titullonte “Ora” albumin e saj debutues, i cili u lansua më 27 gusht 2012 dhe po ashtu debutoi në krye të top-listave britanike.
Në vazhdim, Rita u zgjerua edhe në televizion dhe në film, ndërsa në vitet 2013 dhe 2014 ishte nikoqire e Teen Awards të BBC Radio 1 dhe u paraqit si trajnere në ‘The Voice UK’.
Këngëtarja e provoi veten edhe si aktore duke u paraqitur në disa filma duke përfshirë edhe aktrimin në trilogjinë, “Fifty Shades of Grey”, ku e ka portretizuar motrën e Christian Grey, Mia.
Në vitin 2015, ajo e paditi labelin Roc Nation duke thënë se kontrata që e kishte nënshkruar si 18-vjeçare nuk po zbatohej si duhet. Një vit më pas, dy palët u pajtuan për shkëputjen e marrëveshjes dhe në shtator të vitit 2016, ajo nënshkroi për Atlantic Records./opinion.al