Home KRYESORE Ku dhe kush e ngarkon “gomarin me dru” – ku bie barra...

Ku dhe kush e ngarkon “gomarin me dru” – ku bie barra tatimore

Nga Kasem Seferi

Do të flas përsëri për teoritë dhe praktikat e të tatuarit, derisa tatimpaguesit të më dëgjojnë.

Një thënie e një filozofi të lashtë thotë: “Ligjvënësi duhet të veprojë si bleta, që e mbledh mjaltin pa i shkaktuar dhimbje bimës.”.

Të tatosh (nga fjala latine taxo = “vlerësoj”) është vendosja nga shteti, ose barasvlerësi funksional i shtetit për një pagese financiare, ose një detyrimi tjetër mbi një tatimpagues (individ, ose entitet ligjor) i tillë që dështimi për ta paguar, ndëshkohet me ligj (me gjobë).

Përgjatë gjithë historisë, paraja e siguruar nga të tatuarit, është përdorur nga shteti për të siguruar shumë funksione publike, ku përfshihen: shpenzimet për mbrojtjen, zbatimin e ligjit me masa shtrënguese, rendin publik, mbrojtjen e pasurisë, infrastrukturën ekonomike (rrugët, masat shtrënguese për kontratat, etj), punët publike, çështjet sociale, sistemet e arsimit, sistemet e kujdesit shëndetsor, pensionet, ndihmën ekonomike, përfitimet për papunësinë, transportin publik, energjinë, ujin e pijshëm, kanalizimet dhe përpunimin e mbetjeve.

Për të krijuar një sistem të të tatuarit, çdo vend duhet të bëjë zgjedhjen e duhur në lidhje me shpërndarjen e barrës tatimore, pra, kush duhet t’i paguajë tatimet, sa duhet të paguajë dhe, si do të shpenzohen tatimet e mbledhura.

Në vendet demokratike, ku publiku zgjedh ato që e kanë për detyrë të vendosin sistemin tatimor, këto zgjedhje pasqyrojnë tipin e komunitetit që publiku dhe/ose qeveria dëshiron të krijojë dhe, në ato vende ku publiku nuk ka një masë domethënëse të influencës mbi sistemin e të tatuarit, ai sistem mund të jetë më shumë pasqyrim i vlerave të atyre që janë në pushtet, sikundër ka ndodhur dhe ndodh në Shqipëri gjatë viteve 90 – të dhe 2000 – jë.

Të tatuarit ka katër qëllim ose efekte kryesore: të ardhurat, rishpërndarjen, rivendosjen e çmimit dhe përfaqësimin e qytetarëve që votojnë.

Cili mund të jetë sistemi më i mirë tatimor?

Disa ekspertë besojnë se sistemi më i mirë tatimor, që mund të ketë një vend të mierituar, është ai që pasqyron mirëqenien e ekonomisë, nga i cili përfiton pjesa më e madhe e popullit të tij. Shpesh, ky sistem, është një vendim shumë i vështirë, për arsye se faktorë të tillë si barazia dhe cilësia janë koncepte të komplikuara për t’u konsideruar.

Shikoni politikat e Qeverisë Rama 1 dhe 2, që barrën tatimore po e zhvendosin nga biznesi i madh dhe, pjesërisht, ai i mesëm te tatimpaguesit e vegjël, duke përjashtuar një prej parimeve kryesore, njohur që në lashtësi, neutralitetin/paanësinë e sistemit tatimor.

Historianët tregojnë se qeveritë i kanë tatuar qytetarët e tyre për aq kohë sa ato kanë ekzistuar.

Tatimet mbi të ardhurat dhe pasurinë, në një formë ose tjetër, kanë ndjekun gjurmët deri 6 000 vjet më parë.

Por përveç kësaj historie të gjatë, mosmarrëveshja me, gjithëatë, ende ekziston mbi atë se si duhet të shpërndahet barra tatimore.

A duhet të pasurit të paguajnë më shumë tatime për të ardhurat e tyre, apo duhet që secili qytetar të kontribuojë në mënyrë të barabartë?!

Në të gjitha vendet, në mbarë botën, qeveritë kanë zgjedhur këtë të fundit.

John Hills, profesor i politikës sociale dhe ekspert tatimor në London School of Economics thotë se, shpesh, të tatuarit progresiv bëhet një rast moral. “Qartësisht, ata që interesohen më shumë në zvogëlimin e boshllëkut ndërmjet të pasurve dhe të varfërve priren të argumentojnë në favor të një sistemi progresiv, me qëllim që ata me “shpatulla më të gjëra të mbajnë peshën më të madhe”. Dhe ky argument moral mbetet i fuqishëm.

Për shembull, në SHBA propozimi i Presidentit George Bush për shkurtimin e tatimeve u kritikua shumë fort nga sa thuhe për përfitimin e të pasurve në kurriz të të varfërve.

Madje, kritikët thanë se, ndërkohë që fatura mesatare tatimore do të binte 1 000 US$ në vit, ose më shumë sipas planit, ata që do të fitonin me punë pagat më ulta, pothuajse nuk do të shihnin zvogëlime.

Hills thotë se ka gjithashtu arsye praktike për të tatuarit progresiv, për arsye se sistemet e ekonomisë së tregut, nga natyra e tyre, gjenerojnë pabarazi me anë të dhurimit që u bëjnë më të shkëlqyerve, ose punëtorëve më të mirë.

Këto pabarazi mund të jenë përçarëse, të çojnë në tensione sociale dhe krim.

Vitet e fundit kundërshtimi për të tatuarit progresiv ka fituar peshë në disa vende, dukshëm, në favor të sistemit përpjestimor, sipas të cilit të gjithë tatimpaguesit paguajnë një përqindje të sheshtë tatimore, pavarësisht të ardhurave të tyre.

Propozuesit e sistemit përpjestimor parashtrojnë disa argumente për të mbështetur pozicionin e tyre.

Ata thonë se përqindja e sheshtë është më e lehtë për t’u llogaritur nga tatimpaguesit, më efiçente dhe tek e fundit fare “më e drejtë” që nga koha kur të gjithë tatohen me të njëjtën përqindje.

Për më tepër mbrojtësit e përqindjes së sheshtë thonë se sistemi progresiv dekurajon krijimin e pasurisë për arsye se ai “ndëshkon” nivelet më të larta të të ardhurave me përqindje më të mëdha tatimore. Ata thonë gjithashtu se ai inkurajon mashtrimin pasi individët fshehin pasurinë e tyre për të shmangur të tatuarit.
Hills e pranon këtë pike, por argumenton se kërkimi tregon ndryshe:

“Efekti i parë është se njerëzit mund të thonë “Përse të shqetësohem [duke punuar më shumë]? Përse duhet ta drejtoj unë biznesin tim, përse duhet të shkoj dhe të bëj unë orë pune shtesë? Dhe kjo natyrisht mund të dëmtonte ekonominë. Megjithëatë, dëshmia priret të jetë se duhet të keni përqindje shumë të larta tatimi për atë lloj efekti për të hyrë në sistem.”.

Politikat aktuale fiskale të të gjitha vendeve janë udhëhequr në mënyrë të vetme nga ideja se tatimet duhet të shpërndahen për secilën “aftësi për të paguar” të qytetarit.

Në konsideratat që, përfundimisht, kanë rezultuar në pranimin e përgjithshëm të parimit të aftësisë për të paguar ka një koncept që të tatuarit e atyre që punojnë mirë, më fort se sa ato me mjete të moderuara e bën tatimin deri diku më neutral.

Parimi i aftësisë për të paguar, është ngritur për dinjitetin e një postulati të drejtësisë sociale.

Ashtu sikundër njerëzit i shohin objektivët fiskalë dhe buxhetorë të të tatuarit janë vetëm të një rëndësie dytësore, për arsye se funksioni parësor i të tatuarit është të reformojë kushtet sociale sipas drejtësisë.

Juristi i madh amerikan John Rawls, në veprën e tij “A Theory of Justice” (Cambridge, MA: Harvard University Press, 1971) thotë se drejtësia është i pari virtut i institucioneve shoqërore.

Që nga koha që sistemi tatimor i një shoqërie është një prej institucioneve shoqërore më bazë dhe thelbësor, drejtësia e këtij sistemi tatimor është subjekt i rëndësishëm për teorinë sociale dhe politike, si dhe për politikat praktike.

Megjithëatë, me qëllim që të vlerësohet drejtësia e ndonjë tatimi të veçantë, ose sistemit tatimor si një tërësi, thelbësore është të konsiderohet qëllimi i tatimit dhe sistemi tatimor në përgjithësi.

Në trajtimin e tyre “Një histori e të tatuarit dhe shpenzimeve publike në Botën Perëndimore” Carolyn Webber dhe Aaron Wildavsky vëzhgojnë se të gjitha kulturat politike janë përzierje jo të lehta të orientimeve dhe ndjenjave individualiste dhe kolektiviste.

Në kulturat individualiste, marrëdhëniet njerëzore, në mënyrë parësore, qeverisen nga parimet e rrënjosura në pronën private dhe lirinë e kontratës, ndërsa në kulturat kolektive qeverisja rrënjoset në pasurinë e përbashkët ose kolektive.

Të tatuarit është një instrument, në një formë vazhduese, e luftës së kulturës mbi atë se si duhet të themelohen marrëdhëniet njerëzore.

Ekonomistët bëjnë dallim ndërmjet pasurisë private dhe asaj të përbashkët, ose kolektive, për arsye se operacionet buxhetore e transformojnë pasurinë private në pasuri kolektive që, si rrjedhim, i ndryshojnë marrëdhëniet e qeverisjes që operojnë brenda një shoqërie.

Për shembull, një përqindje mesatare tatimore 40 për qind e organizuar nëpërmjet marrëdhënieve të pronës private, do të thotë se, përafërsisht, 60 për qind e ekonomisë organizohet nëpërmjet marrëdhënieve të pronës private dhe, me pjesën që mbetet 40 për qind, organizohet nëpërmjet pronës kolektive.

Kjo ndarje ndërmjet pasurisë private dhe kolektive ka një numër implikimesh domethënëse: një është se pasuria private, zakonisht, siguron efiçencë ekonomike më të madhe se sa pasuria kolektive për arsye se, me pasurinë private, qytetarët, të cilët marrin vendimet ekonomike bartin direkt vlerën e pasojave të vendimeve të tyre.

Në kontrast me këtë, me pasurinë kolektive ato vlera të pasojave shpërndahen anekënd njësisë së tërë politike.

Një tjetër implikim domethënës, lidh diferencat në karakterin e marrëdhënieve njerëzore, sepse kur ato marrëdhënie bazohen në pasurinë private, marrëdhëniet ekonomike ndodhin ndërmjet të barabartëve, në atë që çdo lloj i veprimtarisë së përbashkët duhet të jetë në ujdi në mënyrë të ndërsjellë.

Në kontrast me këtë, marrëdhëniet e bazuara në pasurinë kolektive janë ato të sundimit, duke pasur dhurues në njërën anë dhe lutes, ose kërkues në tjetrën.

Ja përse duhet të informohet qytetari përsa i përket politikave tatimore të çdo qeverie dhe, veçanërisht, të politikave tatimore të Qeverisë Rama 1 dhe 2.

Një i njohuri im, përfaqësues i një dhome tregtie të huaj, më tha se asgjë nuk ka ndryshuar në gjithë këto qeveri të fundit në këto pothuajse dy dekadat e fundit (2000 – 2018).

Me këtë rast, po kujtoj se në muzeun e prehistorisë në Londër, gjendet një tablet sumerian (ndoshta i kohës së Hamurabit), ku thuhet:

“Ke një Zot, ke një Mbret, ke dhe një Taksidar. Ruaju nga ky i fundit!“.

Kasem Seferi – ekonomist

Share: