Home KRYESORE Lobimi i PD, Rama: Historia nuk mund të mbyllet pa u zbardhur

Lobimi i PD, Rama: Historia nuk mund të mbyllet pa u zbardhur

Basha ka folur në Opinion për lobimin, ku është shprehur se PD ka shpenzuar atë që ka deklaruar në raport me kontratat. Basha thotë se këto pagesa janë pasqyruar te KQZ.

Kryeministri Rama është pozicionuar kundrejt kësaj deklarate, nëpërmes një postimi në rrjetin social facebook. Rama ka thënë se forcat e huaja përdorin opozitën shqiptare në funksion të cenimit të imazhit të Shqipërisë, gjë që pengon integrimin në BE. Kryeministri është shprehur se shqiptarët nuk i meritojnë këto lloj mishmashesh politike.

Deklarata e plotë e Ramës:

Që është një mishmash financiar xhepash të errët, kjo nuk diskutohet sepse vetë mishmashi provohet edhe nga dy prononcime krejt të kundërta, në harkun e 3 muajve nga i zoti i mishmashit;

Që është një mishmash në shkelje të hapur me pasoja penale të disa ligjeve të vendit, as kjo nuk diskutohet dhe për këtë mjafton të dëgjosh qoftë edhe vetëm këto dy prononcime krejt kontradiktore;

Që është e habitshme që të gjenden disa rusë bujarë (dhe jo vetëm rusë) që të nxjerrin nga xhepat e tyre gjysmë milionë dollarë për një parti shqiptare, as kjo nuk diskutohet që e bën mishmashin edhe më skandaloz, ligjërisht e politikisht!

Por që kjo histori s’mund të mbyllet pa u zbardhur deri në fund, nëse ka apo jo, interferenca malinje forcash të huaja për ta përdorur opozitën shqiptare në funksion të cenimit të imazhit të Shqipërisë (drogëdrogëdrogëkrimkrimkrim), me qëllim pengimin e procesit të integrimit evropian dhe destabilizimin e vendit, kjo është absolutisht e padiskutueshme!

Shqipëria nuk mund të merret dot peng nga askush dhe shqiptarët pa dallim partie, nuk e meritojnë këtë mishmash papërgjegjshmërie politike, ligjore dhe kombëtare.

Share: