Këngëtari Ylli Baka, i ftuar në emisionin “Xing me Ermalin”, foli ndër të tjera për pazaret që artistët bëjnë herë pas here në kurriz të njëri-tjetrit nëpër koncerte. Për ta konkretizuar një gjë të tillë, ai tregoi një rast kur aktori i famshëm i humorit, Cekja i Beratit, tentoi të përfitonte para nëpërmjet tij.
“Ceken e kam mik shumë të vjetër. Më do dhe e dua shumë. Por njëherë, rastësisht ma futi. Po ktheheshim nga Greqia me Ceken dhe me Bes Kallakun dhe Cekja ikën për Roskovec, ne ikim për Tiranë. I them Besit ta marrim njëherë Ceken a vajti në shtëpi apo jo dhe i them të bëjë sikur është nga Gjirokastra dhe e donte për një koncert”, tregon Baka.
Më tej ai imiton Besin i cili duke folur tamam si një gjirokastrit, i thotë Cekes se e donte për një koncert në Gjirokastër dhe donte edhe një këngëtar nga Jugu. Cekja menjëherë kishte përmendur Yllin por ndërkohë që për vete kishte kërkuar 1000 euro, për Yllin kërkoi 1 milion lek.
“U mbyll pazari dhe për tre minuta Cekja më merr mua”, vijon më tej Baka dhe citon Ceken që i thotë për koncertin dhe i flet për pazarin. “Te kam si Ervinin tim dhe nuk të lë pa lekë. 500 mijë lekë do marrësh!”, i kishte thënë aktori Bakës, shkruan “xing.al”
Megjithatë, pavarësisht kësaj ndodhie që kishte përfunduar me të qeshura, të dy ata vijojnë të kenë marrëdhënie shumë të mira dhe këtë e dëshmuan në një telefonatë të bërë në emision./360grade.al