Italia, laboratori tradicional politik, sapo është transferuar në një fushë të re dhe gjigante eksperimentimi.
Pas zgjedhjeve të mbajtura të dielën e kaluar, vendi ka hyrë në një territor absolutisht të panjohur për kontinentin e vjetër, të paktën që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.
Italia është shndërruar në shtetin e parë të Europës Perëndimore dhe BE-së ku vota “protestë”, vota kundër establishmentit politik fiton shumicën absolute.
Një në dy italianë, votoi për “Lëvizjen Pesë Yje” ose “La Liga”. Këto dy parti janë praktikisht në fronte të kundërta, por gjithsesi ndajnë të njëjtën përbuzje për politikën tradicionale, doza shumë të mëdha anti – europianizimi dhe të njëjtën mbrojtje për sovranitetin dhe të njëjtat kritika të pamëshirshme ndaj politikave të emigracionit, që ka ndjekur qendra e majtë gjatë pesë viteve të qeverisjes, shkruan Dita.
“Lëvizja 5 yje”, e themeluar nga komediani Beppe Grillo, ka arritur jo pak, por afro 32.6% të votave. “La Liga” ka marrë 17.4%, duke kaluar “Forza Italia” (partia e Silvio Berlusconit ) dhe duke u bërë forca e parë e qendrës së djathtë në Itali. Liga e Veriut, e transformuar nga dora Matteo Salvinit në Ligën kombëtare të së djathtës ekstreme që premton të dëbojë gjysmë milion emigrantë, ka katërfishuar votat, duke u bërë forca e tretë në Itali.
Është e vërtetë që rasti i Italisë nuk është një rast i izoluar, sepse në shumë vende europiane po rriten partitë anti-sistem dhe anti-establishment, të cilat ushqehen nga kriza ekonomike dhe proceset e transformimit social në vitet e fundit. Por deri tani Europa ka arritur t’i mbajë këto parti jashtë qeverisë (siç ndodhi në Holandë dhe Gjermani) apo të integruara në koalicione më të moderuara me partitë tradicionale (si në Austri).
Por mali gjigant i votave të korrura nga partitë anti-sistem e bën unik rastin e Italisë, sepse ato vota janë vendimtare në momentin e formimit të qeverisë duke e kushtëzuar atë.
o.j/dita