Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti sot në një takim Komitetin e Çështjeve Politike dhe të Sigurisë së Këshillit të BE-së, të përbërë nga ambasadorë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
Presidenti Meta theksoi se politika e jashtme dhe e sigurisë së Shqipërisë është plotësisht e harmonizuar me Bashkimin Evropian, dhe se e konsideron shumë të rëndësishëm bashkëpunimin operacional dhe strategjik ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në përballjen me sfidat dhe rreziqet e sigurisë.
Ai vuri në dukje rolin konstruktiv të Shqipërisë në kuadër të bashkëpunimit rajonal dy dhe shumë palësh, duke çmuar se ky është një kontribut i drejtpërdrejtë për të ardhmen evropiane të vendit dhe të të gjithë rajonit.
Kreu i Shtetit ripërsëriti kërkesën unanime në emër të të gjithë aktorëve institucionalë dhe politikë në vend drejtuar vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për hapjen sa më parë të negociatave të anëtarësimit, duke siguruar për vazhdimin e reformave në 5 prioritetet kyçe.