Katër ditë më parë në ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme hyri ambasadori i Rusisë në Tiranë, Aleksandër Karpushin.
Atij iu komunikua vendimi për largimin nga Tirana të atasheut ushtarak, Vladislav Filipov dhe sekretarit të parë të ambasadës, Alexey Nikolaevich Balashov. Përgjigjja e Moskës nuk vonoi.
Të enjten u mësua se qeveria ruse ka kërkuar largimin nga vendi i tyre të 150 diplomatëve nga të cilët 60 janë amerikanë. Burime diplomatike thanë se ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov ka thirrur në zyrë edhe ambasadorin e Shqipërisë në Rusi Arben Gazioni për t’i komunikuar masën e marrë.
Ende nuk ka një njoftim zyrtar për këtë çështje, por një ditë më parë Lavrov tha se përgjigjja do të jetë reciproke për çdo vend. Dëbimi i dy diplomatëve shqiptarë vjen si përgjigje që Rusia po u jep të gjithë vendeve të cilët mbështetën Britaninë e Madhe pas helmimit të ish-spiunit rus Sergei Skripal.