Një numër qytetarësh serbë janë mbledhur në Mitrovicën e veriut për të protestuar kundër ndalimit të hyrjes së zyrtarëve shtetërorë nga Serbia në Kosovë, ndërkohë që Policia e Kosovës në Jarinje ka ndaluar hyrjen e ministrit serb të Kulturës.
Ndalimi i tij është bërë në orët e paradites dhe ministri serb ndalimin e tij për të hyrë në Kosovë e ka quajtur lëshim të palës kosovare.
“Ne kemi përgatitur një vizitë në manastiret tona, trashëgiminë tonë kulturore dhe ky vendim paraqet një lëshim të madh dhe nuk kontribuon në gjendjen e përgjithshme. Pavarësisht rrethanave aktuale, trashëgimia kulturore serbe në Kosovë shkëlqen që 800 vjet dhe këtë do ta vazhdojë ta bëjë edhe në të ardhmen”, tha Vukosavleviq.
Ndryshe, më shumë se 20 pjesëtarë të xhandarmerisë serbe, në mesin e të cilëve edhe spiunë të Agjencisë Informative dhe të Sigurisë së Serbisë (BIA), kanë hyrë gjatë dy ditëve të fundit nga Serbia në territorin e veriut të Kosovës, bëjnë të ditur burime të KosovaPress-it.
Sipas këtyre burimeve, xhandarët serbë janë në rroba civile dhe kanë hyrë gjatë orëve të natës së shtunë dhe të diel nga kufiri i Jarinjes, ndërsa janë vendosur në konviktin e studentëve afër shkollës ‘Vuk Karaxhiq’ në Zveçan.
“Vllado Trebjeshanin, Miljan Dragoviq, Predrag Rakiç, Bato Llazareviq, janë vetëm disa nga emrat e xhandarëve nga veriu të cilët së bashku me kolegët e tyre nga Serbia ndodhen në veri”, kanë thënë burimet.
Në shoqëri të tyre janë edhe struktura tjera dhe njerëz të krimit, që janë nën urdhrat e bosit të ‘nëntokës’ Zvonko Veselinoviq, duke përfshirë edhe ‘Civilna Zastita’-n dhe kreun e saj Stevo Paviçeviq.
Ata janë mobilizuar në atë pjesë për sigurinë e drejtorit të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën pranë Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriqit, sekretarit të përgjithshëm të presidentit të Serbisë, Nikolla Selakoviq dhe ministrit të Kulturës, Vlladan Vukosavleviq.
360grade.al