Nga Kasem Seferi
Këto ditë të “ethshme“, kur zyrtarë të lartë amerikanë dhe britanikë (këta të fundit, si gjithnjë, “me vonesë“), po i ngrenë “kambanat e alarmit“ për ndërhyrjen gjithnjë e më të madhe të Rusisë në Ballkan më dhanë shtysën të rishkruaj disa fakte dhe opinione.
Që nga Lufta Ruso – Turke e vitit 1876, historia (natyrisht jo direkt dhe me gjuhë diplomatike), ka treguar se nuk mund të zhduken me një të rënë të lapsit përfundime dhe domethënie të tilla si ato të historianit francez Tokëvil se e gjithë bota do të ndeshet midis dy fuqive kontinentale: SHBA dhe Rusisë.
Edhe i Madhi Napoleon Bonaparti edhe pse pësoi disfatë në Rusi, botën e “lajmëroi” për ngritjen e Kinës me thënien e tij që në vitin 1880, por nuk harroi të tregojë se Rusia ishte dhe mbetet një fuqi e trashëguar kontinentale.
Natyrisht, edhe perandori të tjera që bënë histori në Ballkan, siç ka qenë Perandoria Austro – Hungareze dhe Perandoria Turke që nuk ekzistojnë më lanë të kuptohet se Rusia ishte një fuqi pa të cilën nuk mund të merreshin vendime të mëdha.
Harta e botës, me të gjithë ndryshimet që ka pësuar në shekuj, që prej Aleksandrit të Maqedonisë, Perandorisë Romake dhe perandorive të tjera, në një njëfarë mënyre, ka ruajtur prirje të përafërta shekullore.
I nisur nga deklarata e fundit e ambasadorit britanik, në lidhje me ndërhyrjen e Rusisë në Ballkan, po mundohem të risjell për çdo të interesuar atë që rrjedh nga interesi ekonomik.
Më konkretisht, Mesdheu Lindor dhe Europa Juglindore në vitin 2009 hynë tërësisht në çështjet strategjike të reja dinamike, pikërisht në një periudhë dhe në një rajon, në të cilin Rusia dhe jo Perëndimi, po merrte nismat hapëse dhe po kërkonte më shumë përparësi.
Një dukuri e tillë domethënëse vlente, veçanërisht, për të kuptuar se politikëbërja ruse mori pak vemendje në median e SHBA – së dhe në atë perëndimore dhe, pothuajse, po mbetej aq opake për analistët e Perëndimit, ashtu sikundër ishte gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë kur Rusia ishte mbuluar nga Perdja e Hekurt.
Të paktën, gjatë Luftës së Ftohtë, Perëndimi hodhi intelektet e tij më të mirë në përpjekje për të kuptuar Rusinë (Bashkimin Sovjetik).
Forcat madhore shtytëse të pasluftës së ftohtë të Rusisë, për një varietet arsyesh historike, ekonomike dhe të sigurisë, ishin ato që do të dominonin Kaukazin dhe vendet arabe, Basenin e Detit të Zi dhe Azinë Qendore, gjë që, veçanërisht, është dëshmuar këto dekadat e fundit nga nismat e Rusisë për të ndërtuar marrëdhënie strategjike me Turqinë dhe Iranin.
Thellësia e plotë e këtij transformimi nuk mund të nënvlerësohej dhe, bashkë me stabilitetin e BE – së në vetvete (i cili lidhet në mënyrë të pazgjidhshme me Rusinë për energjinë e saj), domosdoshmërisht, do të ndikonte mbi fatin e shteteve të Europës Juglindore dhe Mesdheut Lindor.
Politika e SHBA drejt rajonit vazhdonte të bazohej rreth një premise të një kërcënimi sovietik, i cili nuk ekzistonte më, por të cilin SHBA (dhe, për këtë problem, disa në Britani), nuk mund ta tërhiqnin, ose reviziononin.
Duke vazhduar ta trajtojnë Rusinë e pas Luftës së Ftohtë, sikur të ishte ende Bashkimi Sovietik, SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar, në një shkallë të madhe, bënë që Moska të veprojë në mënyra të kundërta me interesat e Perëndimit.
Udhëheqja e NATO – s nga SHBA, shkaktoi alarm në Rusinë post – sovietike, veçanërisht, me lëvizjen e ish shteteve të bllokut sovietik në NATO, me trajtimin e terrorizmit islamik në Kaukaz si diçka që Moska e meritoi.
Ndërkohë që 11 Shtatori ishte diçka, që SHBA nuk e meritoi.
Zhvendosjet e ngadalta të sistemeve të mbrojtjes raketore në Poloni dhe në Republikën Çeke, si dhe Azerbajxhan, më pas, e zemëruan mjaft Moskën me refuzimin (me mirënjohje) për t’u bërë pjesë e Perëndimit.
Gjithashtu, mbështetja e heshtur, ose aktive, në përpjekjet e Gjeorgjisë për të marrë kontrollin në Abhazi dhe Osetinë e Jugut, si dhe ndërhyrja flagrante në zgjedhjet e Gjeorgjisë, Ukrainës, të Republikës së Kirgiztanit dhe me krijimin e Kosovës si shtet i pavarur (me përpjekjet për të bërë të njëjtën gjë diku tjetër), ishin të gjithë shembuj të mëtejshëm të armiqësisë së perceptuar të SHBA të pas Luftës së Ftohtë drejt Moskës.
Ka edhe shumë ngjarje të tjera, të cilat e detyruan Moskën të kthehet në kursin e vetëm të veprimit në lidhje me sigurinë e interesave të veta të saj në një botë armiqësore.
Kosto e madhe e Perëndimit për ndjekjen e një politike të tillë të mumifikuar, pra politikës që ngul këmbë edhe pse premisat mbështetëse, qartë, dëshmuan se ishin të gabuara, u bënë dëshmi se si po binin ekonomitë e Perëndimit dhe influenca e tyre strategjike.
Ende shihej këmbëngulja e Washingtonit e bazuar në mitet rreth Mesdheut Lindor, Europës Juglindore, Kaukazit dhe atyre miteve që u bënë më të shtrenjta, ndërkohë që BRSS dhe përplasja e bazuar në mënyrë ideologjike kishte kaluar, Rusia ishte e detyruar t’i përgjigjej duke e konsideruar realitetin që Perëndimi nuk do ta lejonte fundin e Luftës së Ftohtë.
Si rezultat, Rusia duket e mori me mend mbrojtjen e vetes në rajonet e fqinjësive të reja, që përfshinin Europën Juglindore, Kaukazin, Azinë e Vogël, Levantin dhe Mesdheun Lindor.
Për këtë qëllim ishte e detyruar të rehatohej me Republikën Popullore të Kinës mbi Azinë Qendrore dhe, ndërkohë që disa prej këtyre vendeve ishin të ndjeshme për tregtinë globale si një e tërë, u shfaq Organizata e Bashkëpunimit të Shangait, pjesërisht, si regjim i dyanshëm sigurie e cila riforcoi rritjen fuqisë strategjike kineze si dhe ringjaljjen e influences hegjemonike rajonale të Rusisë.
Rënia e influencës strategjike të SHBA, do të nënkuptonte se tensionet e reja në Europën Juglindore, Azinë e Vogël, Kaukaz dhe Mesdheun Lindor, kishin dalë në shesh, shpërthyese dhe kishte pak të ngjarë që Washingtoni të përgatitej për ta qetësuar këtë situatë.
Realiteti ishte se, politika e Perëndimit drejt Turqisë dhe Rusisë, vërtitej rreth rrugëzgjidhjeve të vendosura nga Ministria e Jashtme Britanike, gjatë dhe pas fushatës së Krimesë, e cila mori fund në 1856.
Pikëpamjet në lidhje me Rusinë, si armik i përjetshëm dhe Turqinë si një kundërbalancë për Rusinë, kishin modeluar ndjenjat strategjike të amerikanëve dhe britanikëve, pikërisht ashtu si orientalizmi romantik kishte modeluar pikëpamjet perëndimore të Lindjes së Mesme dhe Azisë.
Perspektiva e kontekstit të interesave aktuale gjeopolitike dhe ekonomike perëndimore dhe realitetet e historisë, rallë kanë luajtur një rol dominant në politikëbërjen strategjike të SHBA – së dhe të Mbretërisë së Bashkuar, që prej fundit të Luftës së Ftohtë.
Në të njëjtën kohë, politikëbërja strategjike ruse, i është kthyer parimeve të vjetra gjeopolitike dhe gjeoekonomike të cilat e kanë dominuar sigurinë ruse për 500 vjet.
Duhet marrë gjithnjë në konsideratë konteksti mbizotërues në Basenin më të Madh të Detit të Zi, ku diskutohen histori që duhet të kuptohen mirë nga politikëbërësit.
Dinamikat Veri – Jug filluan në mesin e shekullit të 15 – të kur Rusia filloi të shtyjë hordhitë Mongole – Turke drejt jugut në një seri luftërash, ndërkohë që ushtritë otomane pushtuan Konstantinopolin, që solli fundin e Perandorisë Bizantine dhe nisi përparimin e saj drejt veriut gjatë brigjeve të Detit të Zi gjithë rruga për në Krime.
Mega – prirja Veri – Jug kapërceu një etapë historike herët në shekullin e 17 – të kur valët e kozakëve u përhapën gjatë brigjeve veriore të Detit të Zi (Ukraina e sotme) dhe kulminoi drejt
fundit të shekullit kur ushtritë e Pjetrit të Madh për herë të parë arritën brigjet e Detit të Zi (saktësisht Detit Azov).
Gjatë shekujve 18 – të dhe 19 – të, Rusia bëri një seri luftërash të hidhura me Turqinë dhe Persinë, të cilat përcaktuan kufijtë jugorë të Perandorisë deri në fund të shekullit të 20 – të, që konsoliduan gjithashtu pretendimin e saj për një rol të veçantë në rajonin e Ballkanit (në qoftë se ishte e mirëpritur).
Po ashtu, Rusia luftoi në mesin e shekullit të 19 – të kundër fuqive kryesore europiane të ditës, Francës dhe Anglisë, në brigjet e Detit të Zi me qëllim që të legjitimonte rolin e parapërmendur të Rusisë si fuqi rajonale; gjatë gjithë shekullit, ashtu sikundër bën sot, Rusia vazhdoi gjithashtu të shtypë rebelimet dhe kryengritjet në rajonin e Kaukazit.
Gjendja e përgjithshme e Rusisë u ruajt gjatë gjithë shekullit të turbulluar të 20 – të: (nëpërmjet) luftërave botërore dhe si rrjedhojë e Luftës së Ftohtë.
Dinamikave Lindje – Perëndim mund t’i kthehemi mbrapa në mesin e shekullit të dytë para Krishtit, në origjinat e të dhënave të para të Rrugës së Mëndafshit, e cila lehtësoi arritjen e parë të Kinës në Europë nëpërmes Persisë, sepse në formën e saj origjinale Rruga e Mëndafshit u konsolidua në njëfarë mënyre 300 vjet më vonë, në mesin e shekullit të dytë pas Krishtit.
Një karakter më modern i Rrugës së Mëndafshit mund të ndiqet në mesin e sshekullit të 13 – të, transformimit civilizuaes të Euroazisë në pasojën e invazionit mongol në Europë, kur Rruga e Mëndafshit u zgjerua dhe gradualisht evoluoi në një sistem të përgjithshëm të këmbimit të mallrave dhe gjithashtu të kulturës ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit.
Dinamikat lindje – perëndim ishin shumë të ngrira gjatë gjysmës së dytë të shekullit të 20 – të, si rezultat i paparashikuar i Luftës së Ftohtë.
Në vigjilje të shekullit të 21 – të dhe në një shkallë më të vogël madje në dekadën e fundit të shekullit të 20 – të, këto mega – prirje historike janë rigjallëruar dhe marrin me mend rolin e tyre dominant në gjeopolitikë dhe gjeoekonomi.
Në mënyrë domethënëse, mega – prirjet koinçidojnë me tregtinë madhore të shekullit 21: energjinë.
Varësia e Europës në energjinë nga dhe nëpërmes Rusisë, ose nëpërmjet Basenit më të Madh të Detit të Zi, që përfshin Turqinë, e udhëheq shumë politikën e BE – së drejt Rusisë dhe Turqisë. Në një shkallë të gjërë, është roli potencial i Turqisë si një kanal përçues i energjisë nga Baseni i
Kaspikut për në BE, gjë që ia ka bërë të mundur Ankarasë të përshkallëzojë rëndësinë e saj për Europën.
Kjo, më shumë se gjithçka tjetër, ka qenë një udhëheqje në mbajtjen e aplikimit të Turqisë për anëtarësim në BE, pavarësisht nga fakti se Turqia nuk po plotësonte kushtëzimet e hyrjes në BE.
Në mars 2009, në një raport të veçantë, vihej në dukje se tregtia bilaterale Ruso – Turke në vitin 2008 kishte arritur 32 miliard US$, duke e bërë Rusinë partnerin më të madh tregtar të Turqisë dhe tani Moska dhe Ankaraja shohin shtegun për të rigjallëruar përshtatshmërinë turke në modelimin e energjisë rajonale.
Turqia, nga nga një hapës i strategjisë së zhvillimit të furnizimit me naftë dhe gaz të Perëndimit, për të rrethuar “shtrëngimin për fyti” që Rusia i bënte dhe i bën Europës në lidhje me furnizimin e energjisë, u bë pjesë e qarkut rus.
Qartësisht, në matricën veri – jug, ajo që shihet është influenca e zvogëluar e SHBA mbi politikën e Turqisë dhe ngritje të influencës së Rusisë atje.
Megjithëse Ankaraja reziston (në mënyrë të heshtur dhe nëpërmjet shtrëngimit të dhëmbëve) presionet nga Washingtoni dhe Moska, ngritja e influencës së Rusisë dhe rënia e Washingtonit ka, gjithashtu, shenja paralajmëruese dhe domethënëse për marrëdhëniet SHBA – BE, sepse Europa është në ankth se Washingtoni nuk e shkatërron rrjedhën e energjisë nga Lindja në Perëndim, kryesisht nëpërmjet Rusisë.
Themelorja mbetet vetëm një gjë: Moska përpiqet të ngrihet në rajon.
Ndërkohë, Washingtoni i Trump – it, po përpiqet të ngrejë vlerën e tij në rajon.
Si economist mendoj se deklarata e ambasadorit britanik do parë, analizuar dhe mbajtur para syve në kënvështrimin e mësipërm.
Nuk duhen harruar kurrë ata që kombit shqiptar i dhanë mundësinë të bëhet dhe të ketë shtet.
Kasem Seferi – ekonomist