Home KRYESORE New York Times: Putinizmi po na pushton

New York Times: Putinizmi po na pushton

Bret Stephens – Pak siguri ka në politikë, por një prej tyre është rivendosja e Vladimir Putinit në krye të Rusisë, me një mandat të katërt e me zgjedhje sa për sy e faqe. Pyetja e vërtetë këtu është se sa zgjedhje të tjera do të fitojë Putini në vitet e ardhshme?

E ka nisur mbarë. Fituesit më të mëdhenj të zgjedhjeve në Itali këtë muaj – “Lega Nord” që shkon kundër emigrantëve dhe populisjta “5 Stelle” – të dyja kanë simpati për Putinin. Kancelari i ri i Austrisë, Sebastian Kurz, po qeveris në koalicion me partinë e ekstremit të djathtë, Partia e Lirisë, e cila nënshkroi një kontratë në vitin 2015 me partinë “kukull” të Putinit, “Rusia e Bashkuar”, me qëllimin “për të këmbyer përvoja” dhe “për të dërguar delegacione te njëri-tjetri”. Në Gjermani, ekstremistët e majtë e të djathtë fituan më shumë vota se herët e tjera, dhe të dyja janë shumë popullore mes votuesve të Putinit.

Dhe lista vazhdon: qeveria e majtë pro-ruse e Alexis Tsipras-it ka që në vitin 2015 që qeveris Greqinë. Partia e djathtë pro-ruse e Viktor Orbanit po e mban pushtetin në Hungari që prej vitit 2010. Marine le Pen doli në vend të dytë në zgjedhjet franceze. Donald Trump po ashtu, në zgjedhjet amerikane të vitit 2016.

Pastaj është Britania. Putini arriti fitore në vitin 2015, kur Jeremy Corbyn – njeriu që në vitin 2011 e quajti NATO-n rrezik për paqen në botë – u vendos kryetar i Laburistëve. Putini arriti një fitore tjetër edhe një vit më pas, me Brexit-in, që e izoloi Mbretërinë e Bashkuar dhe fuqizoi idenë e shpërbërjes së BE-së.

Nën dritën e këtyre ngjarjeve duhen parë edhe sulmet kundër ish agjentit të Shërbimit Sekret rus, Sergei Skripal, dhe vajzës së tij, Julia.

Ka shumë mënyra të fshehta për ta asgjësuar një armik pa rënë në sy. Vrasja nëpërmjet një lënde kimike që prodhohet vetëm nga një laborator në Bashkimin Sovjetik, nuk është aspak e fshehtë. Zgjidhen çaste të caktuara për ta kryer vrasjen pa rënë në sy. Vrasja në prag të rizgjedhjes së Putinit nuk është aspak e fshehtë. Kjo ngjarje kujton vrasjen e gazetares Ana Politkovskaja, kritike ndaj Kremlinit, që u ekzekutua më 7 Tetor të vitit 2006, në ditëlindjen e 54-t të Putinit.

Me pak fjalë, sulmi nuk ka qenë thjesht hakmarrje. Ka qenë shpallje supremacie. Përbuzjet pompoze që i ka bërë Kremlini qeverisë Britanike, pasi Tereza Mej ngriti akuzat kundër Rusisë në parlament, theksojnë edhe një herë mesazhin: “Po, ne mund ta bëjmë. Ju nuk na prekni dot. Ne po fitojmë. Ju jeni të dobët.”

Ndoshta kanë të drejtë. Vendimi i kryeministres britanike për të përjashtuar 23 diplomatë rusë ishte i dobët dhe i pritshëm. Është raportuar se qeveria e Mejit po studion masa më të ashpra, që të përfshijnë edhe sekuestrimin e pronave që oligarkët e afërt me Putinin zotërojnë në Britani. Mos prisni të ndodhë vërtet. “Do të zemërohemi vërtet shumë”, tha një deputet konservator në Parlamentin britanik, kur u pyet se çfarë masash pret të marrë qeveria e tij.

Përkthimi i kësaj është: “Rusia nuk do të ketë kënaqësinë të mirëpresë familjen mbretërore kur të organizojë Botërorin e Futbollit këtë verë.” Britania, Franca, Gjermania dhe SHBA dhanë një deklaratë të përbashkët, ku i bënë thirrje Rusisë të mbajë përgjegjësitë e saj për të ruajtur paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Veç këtyre, nuk ka asnjë pasojë tjetër serioze. Nuk do të ketë sanksione shtesë. Europa nuk do t’i shtojë shpenzimet për mbrojtjen. Nuk do të ndërmerret asnjë përpjekje për të hequr varësinë europiane nga energjia ruse. Nuk do të bëhet asnjë bojkot i Botërorit të çmuar.

Britaninë dhe pjesën tjetër të Europës nuk e ndihmon fakti që kanë një president amerikan që deri dje shprehte publikisht admirimin për Putinin, dhe që deri tani ka lejuar vetëm sanksione të padëmshme kundër Rusisë, për përfshirjen e tyre në zgjedhjet amerikane.

Nuk ndihmon as fakti që në garën për të fituar zemrat dhe mendjet e europianëve, Amerika e Trump-it nuk del dhe aq mirë sa Rusia e Putinit, siç ka shprehur Frank Bruni në një koment të botuar në NYT. Kur Amerika vendos një si Trump në Zyrën Ovale, dinaku në Kremlin do të duket më tërheqës.

Problemi më i madh i Europës përballë agresioneve në seri të Putinit nuk është një president amerikan që mund të jetë i trembur dhe i komprometuar. Problemi nuk janë as metodat që ka përdorur Kremlini për të ndryshuar rrjedhën e demokracisë në perëndim: “fermat kibernetike” që prodhojnë komentues të rremë për rrjetet sociale, kanalet e propagandës, kapja e e-mail-eve nga hakerat, protestat e paguara, huat e dhëna për parti ekstremiste, etj. Nuk është as çështje ideologjie. Kremlini është mëse i kënaqur po të ketë si aleatë qoftë fashistët, qoftë komunistët, tekno-anarkistët apo edhe ekstremistët e mjedisit.

Arsyeja më e madhe se pse Putini josh, është sepse ai beson te parimi i pushtetit. Ai vepron. Veprimet e tij me këtë pushtet janë kryesisht me ligësi, por kjo ligësi mund të shihet si cilësi e mirë, sidomos kur çiftëzohet me efikasitet politik, me forcë personale dhe kur jep idenë e një dinakërie të lartë.

Krahasojeni këtë figurë me udhëheqësit që ka nxjerrë Europa në dhjetëvjeçarin e fundit, si: David Cameron, Matteo Renzi, Nicolas Sarkozy, Jean-Claude Juncker e madje edhe Angela Merkel. Çfarë parimesh ka mbrojtur secili prej tyre? Çfarë kanë shfaqur me karakterin e tyre, përveç vendimmarrjeve të kota e të zbehta? Cili prej tyre ka aftësinë të tërheqë këmbëzën, për hir të mbrojtjes së vendit, apo edhe për mbrojtjen e vet? Sa prej tyre do të mbahen mend pas 20 vitesh?

Vladimir Putin është një president kriminel, një kërcënim i vërtetë ndaj shoqërive demokratike. Por askush nuk thotë dot se vendimmarrjet e tij janë të kota e të zbehta, apo që s’e ka aftësinë ta tërheqë këmbëzën. Është tërheqës për t’u parë, siç tërheq tigri që i lëshohet papritur presë. Për sa kohë që do ta lejojnë t’i lëshohet presë, ai do të vazhdojë të fitojë admirues edhe në zgjedhjet e tjera, dhe jo vetëm në vendin e tij.

Marrë nga New York Times

Share: