Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka sqaruar sonte, përmes një postimi në Twitter lidhur me operacionin ku u kapën 613 kg kokainë. Xhafaj e mohon të ketë patur një përplasje me Kryeministrin Rama sa i përket deklaratave për bashkëpunimin me partnerët.
“Sa për spekulimin për “përplasjen” mes deklaratës time dhe asaj të KM për bashkëpunimin me partnerët, sqaroj se: identifikimi i kokainës dhe personave të lidhur me të, ishte falë Policisë së Shtetit dhe Hetimit Doganor. Pas sekuestrimit të drogës sot, Policia i ka kërkuar agjencive të huaja informacion dhe bashkëpunim për hetime të mëtejshme. Ky është bashkëpunimi me ta”, sqaron Xhafaj.
Statusi i plotë:
Një super operacion i Policisë së Shtetit dhe Hetimit Doganor u zhvillua në diskrecion të plotë dhe me rezultatin e pritshëm spektakolar, falë një punë me përkushtim dhe sakrificë njerëzore.
Falenderim dhe mirënjohje të thellë për punonjësit e policisë te përfshirë në këtë operacion, si dhe për përfaqësuesit e agjencive të tjera qeveritare ligj zbatuese që u bënë pjesë e tij. Inkurajim për të vazhduar në këtë rrugë.
Roli udhëheqës dhe ekzekutues i Policisë së Shtetit në kuadër të këtij operacioni është KONFIRMIM i aftësisë zbuluese dhe investiguese në rritje të Policisë së Shtetit dhe vullnetit të qeverisë shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar.
Keqardhje e madhe jo vetëm si Ministër, por edhe si qytetar i këtij vendi, për reagimet komplet absurde e kundër produktive, si dhe çdo për trillim të papërgjegjshëm të atyre që kurrë nuk thanë një fjalë të mirë për policinë.
Kam shpresë se Prokuroria, e cila tani ka kompetencën e hetimit do të jetë në lartësinë e detyrës për të çuar përpara drejtësisë këdo të përfshirë në këtë veprimtari kriminale edhe si mundësi për të larguar çdo spekulim politik dhe mediatik mbi këtë ngjarje.
Sa për spekulimin për “përplasjen” mes deklaratës time dhe asaj të KM për bashkëpunimin me partnerët, sqaroj se: identifikimi i kokainës dhe personave të lidhur me të, ishte falë Policisë së Shtetit dhe Hetimit Doganor. Pas sekuestrimit të drogës sot, Policia i ka kërkuar agjencive të huaja informacion dhe bashkëpunim për hetime të mëtejshme. Ky është bashkëpunimi me ta.
Faleminderit qytetarëve dhe partnerëve për inkurajimin dhe mbështetjen që po i japin Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit për çfarë ne jemi duke bërë. Mirënjohje për gjithçka!