Ministri i Punëve të Brendshme, Fatmir Xhafaj është nisur sot për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Siç bëhet e ditur, në Shtetet e Bashkuara, ai do të ketë një agjendë të veçantë dhe të ngjeshur, e cila është përgatitur me kujdes dhe do të jetë dëshmi e një bashkëpunimi të frytshëm mes Institucionit që ai drejton dhe strukturave përkatëse në vendin pritës.
Prej shumë kohësh është folur se Ministri i Punëve të Brendshme është, më shumë se gjithçka tjetër, një përzgjedhje e Shteteve të Bashkuara. Si duket, këmbëngulja e tij në ndërtimin dhe Miratimin e Draftit Kushtetues për Reformën në Drejtësi, që ishte kurdoherë në të njëjtën linjë me qëndrimin e Shteteve të Bashkuara, i kanë lejuar atij të krijojë staturën e një politikani të besuar.
Në fakt, veç takimeve zyrtare dhe mbështetjes së plotë që do i jepet atje, do të ketë edhe takime të tjera, të mbajtura brenda një grupi të caktuar, që lidhen jo vetëm me reformën në drejtësi, por edhe me çështje të tjera, për të cilat është e interesuar FBI, por ndoshta, edhe CIA e struktura të tjera të cilat janë tepër të interesuara për luftimin e krimit dhe të korrupsionit në Shqipëri, por edhe grupimeve të tjera, politike apo jashtë politikës, të cilat i bien ndesh strategjisë dhe politikës afatgjatë të Shteteve të Bashkuara në Ballkan e sidomos në Shqipëri apo në Kosovë.
Takimet e tij do të jenë mjaft frytdhënëse për përcaktimin e krimit që ka ndodhur dhe parandalimin në të ardhmen; për ndëshkimin dhe rihapjen e shumë çështjeve të mbetura në errësirë dhe forcimin e rolit të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me strukturat përkatëse të këtij vendi.
Edhe gjatë qëndrimit në Landin e Bavarisë, që është çelësi i hyrjes në shtetin gjerman, ai gjeti mbështetje të plotë dhe ranë në një mendje për vazhdimin e punës së përbashkët.
Por në SHBA, vizita e ministrit Xhafaj do të ketë një dendësi më të ngjeshur dhe frytet do të jenë më të mëdha. Nga ana tjetër, kjo vizitë do të dëshmojë se shteti dhe qeveria e SHBA janë në krahun dhe mbështetjen e plotë të aktivitetit të zotit Xhafaj.
Shumë gjëra kanë filluar të lëvizin nga vendi. Më në fund!
E.H/DITA