Kreu i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili foli dje në një intervistë për “Standard” mbi ngjarjet e fundit të ndodhur në vend si edhe komentoi aktualitetin politik. Vasili e cilësoi kapjen e 613 kilogramëve kokainë në Maminas si një tregues që vërteton kriminalizimin e jetës ekonomike dhe politike të vendit. Po ashtu ai mbështeti idenë e dhënë edhe më parë për stacionimin e DEA-s amerikane në Shqipëri. Ndërkaq Vasili komentoi edhe ecurinë e reformës në drejtësi duke folur veçanërisht edhe për heshtjen e ambasadorëve ndaj atyre që kreu i grupit parlamentar të LSI-së i cilësoi si hapa antikushtetues. Pjesë e intervistës është edhe çështja e shanseve të hapjes së negociatave apo edhe paralajmërimet për gjyqet ndërkombëtare, fatura e të cilave sipas Vasilit shkon deri në 2 miliardë euro.
Intervistoi: Gëzim Saliu
Dy ditë më parë në Durrës u sekuestrua një sasi rekord e kokainës, ku sipas llogarive 613 kg drogë e kapura konvertoheshin me vlerën e tregut në rreth 180 milionë euro. Cili është mendimi juaj për këtë ngjarje?
Ështe një ngjarje tepër e rëndë dhe një provë madhore se Shqipëria është shndërruar në një nyje të trafikut boteror të drogës, gjeografia e të cilit lëviz me dhjetëra mijëra kilometra dhe ku qarkullojnë miliarda euro. Është pasoja më tragjike e qeverisjes se kryeministrit, i cili me një strategji kriminale të mirëmenduar , çoi në kriminalizimin e jetës politike ekonomike dhe shoqerore të vendit nëpërmjet drogëzimit kapilar të vendit. Shndërrimi i Shqipërisë në Kolumbinë e Europës është një fakt tronditës dhe kushdo që do të mbyllte syte, apo do të pajtohet me këtë, politikan, media apo individ qofshin, do të bënin një faj të rëndë në planin personal dhe do të demostronin një urrejtje pa kufi për vendin dhe familjen.
Është një situatë e cila kërkon një reagim shumë të fortë dhe pa asnjë kompromis pasi Shqipëria rrezikon sot si kurrë më parë shpërbërjen e saj më të rëndë shoqërore dhe kombëtare. Pasojat e këtij kriminalizmi janë afatgjata dhe dëmi i jashtëzakonshëm, si në planin institucional ashtu edhe atë moral, si në dekurajimin e rëndë të sipërmarrjes së lirë dhe të frymës së tregut ashtu edhe të rikrijimit të besimit pas një kriminalizimi ekonomik dekurajues dhe demotivues që thellon varfërinë dhe papunesinë në menyrë të skajshme. Kriminalizimi i thellë i ekonomisë ka përfshirë edhe sistemin bankar i cili nuk është barrierë e transaksioneve të drogës por jeton në mjaft raste falë tyre dhe kjo ka destrukturuar ekonominë, duke e bërë atë të pafuqishme përballë ekonomisë informale kriminale që qëndron përballë si dhe e bën atë që të jetë i detyruar të shohë drejt shteteteve të tjera për të mbijetuar, duke larguar kapitale të ligjshme nga vendi. Kjo e ka lënë tërësisht vendin në duart e parave te pista dhe të një aventurizmi si të piramidave që vjen natyrshëm si pasojë e kriminalizimit kapilar ekonomik. Tronditja e kursit të euros është lëkundja e parë tektonike e një tërmeti financiar që po mbërrin. Kushdo që mbyll sytë, që nga prokuroria shqiptare e deri tek agjensitë e inteligjencës vendase dhe të huaja, ngarkohen me një përgjegjësi tepër të rëndë pasi pasojat për Shqipërinë do të jenë fatale por edhe ato rajonale nuk do të jenë më të pakta.
Në një koment tuajin për rastin e kokainës në Maminas keni kërkuar që DEA te stacionohet ne Shqipëri. Sipas jush a jemi në rastin kur krimi i organizuar dhe trafiku i lëndëve narkotike janë kthyer në rrezik kombëtar e më tepër rajonal?
E kam kërkuar me bindje të plotë që DEA të stacionohet në Shqipëri pasi integriteti dhe fuqia e DEA-s janë të tilla dhe të vetmet që mund të përballojnë një luftë me një trafik droge të përmasave shumë miliardë euro. Njëherazi, standarti moral që DEA ka vendosur botërisht në luftën kundër drogës është jetik në një vend si Shqipëria ku morali i një policie thellësisht të inkriminuar në kokën drejtuese të saj si politike ashtu edhe operacionale. Ndaj nevoja për një profil profesional por edhe moral shumë të fortë është vendimtar për të fituar betejën me drogën dhe DEA do të ishte jo vetëm drejtimi i domosdoshëm por edhe mobilizimi i energjive vendase më pozitive. Rasti i Kolumbisë ku DEA bëri transformimin e madh, flet vetë. Por në Shqipëri situata është edhe më e rëndë, pasi në Kolumbi qeveria ishte shumë e rreptë e vendosur në vijën e parë të luftës kundër drogës, duke dhënë edhe jetën kandidatë për presidentë,ministra,qindra komandantë e drejtues policie si dhe një mjedis mediatik i cili ishte vendosur në bllok kundër narkotrafikut që solli edhe humbjen e jetës së dhjetëra gazetarëve reporterëve apo edhe shkatërrimin e selive të gazetave e televizioneve. Ndërsa në Shqipëri ka qenë krejt e kundërta pasi qeveria ka frymëzuar e mbështetur bile edhe drejtuar trafikun e drogës dhe mjaft media janë kapur nga narkotrafiku . Pra situata moralisht është shumë më e keqe se në Kolumbi.
Ndërkohë një tjetër diskutim i fortë në vend mbetet edhe ecuria e reformës në drejtësi për të cilën opozita pretendon antikushtetueshmëri dhe tendenca të kapjes politike të sistemit gjyqësor. Cilat janë hapat e ndërmarra sipas jush nga mazhoranca që e kthyen reformën në këtë situatë?
Për fat të keq po j’ua them që në fillim se reforma në drejtësi është shndërruar nga një ideal pozitiv që populli e priti si shenjë kthese të madhe, në një degradim pushtimi dhe kapje nga Kryeministri, shumë më vulgar dhe të rrezikshëm se sa drejtësia që donim të linim pas. Gjithashka ka ecur në të kundërt të ligjeve të sapo miratuara pasi ato janë shkelur e deformuar vetëm me një qëllim që të kapeshin nga qeveria. Zgjedhja e Kryeprokurorit si dhe zgjedhja e anëtarëve të KLP dhe KLGJ ishin shembulli evident i një ç’formimi në vend të reformimit. Duke goditur në kokë sistemin e drejtësisë me këto shkelje flagrante, ju e kuptoni që kemi të bëjmë tashmë me një drejtësi ku peshku është qelbur nga koka dhe si i tillë do të toksikojë të gjithë sistemin poshtë tij. Legjitimimi i antiligjit dhe krijimi i motos “se do ta shkelim tani ligjin dhe medemek do ta respektojmë rrugës” është jo vetëm dekapitimi i sistemit por edhe destrukturimi juridik dhe moral i drejtësisë.
Duke mbetur në këtë temë, është hasur një qëndrim kritik i juaji lidhur me mos reagimin e delegacioneve të BE-së e SHBA-së në Tiranë për ecurinë antiligjore të reformës në drejtësi. Pse sipas jush ekziston kjo heshtje?
Kam qenë shumë kritik ndaj ndërkombëtarëve për qëndrimin aktual ndaj reformës në drejtësi pasi ky destrukturim juridik dhe moral po ndodhte përpara syve të tyre dhe ata si garantet politike dhe morale të saj nuk folën ose akoma më keq përshëndeten edhe veprime që dhunonin haptas Kushtetutën dhe ligjin. Kam votuar reformën në drejtësi në atë kohë që të shkonte në Parlament, ju kujtoj se ishte vota që bënte diferencën pasi opozita nuk merrte pjesë në proces, jo se më bindi Qeveria dhe Kryeministri. Po të ishte për këta dy të fundit nuk do ta votoja. Votova pasi mora garanci shumë të forta nga ambasadori amerikan dhe kryetarja e delegacionit të BE-së në Tiranë që reforma do te repektonte pikë për pikë Kushtetutën dhe ligjin pa asnjë devijim dhe se garante do të ishin ata dhe jo qeveria. Besimi im tek ata ishte i përligjur pasi unë nuk shikoja ata si individë, por shtetet që ata përfaqesonin. Por kur pashë se si Operacioni Ndërkombetar i Monitorimit u nëpërkëmb pa asnjë droje nga Kryeministri dhe kandidatët e skualifikuar nga ONM u zgjodhën nga Qeveria dhe ambasadorët që më dhanë garanci heshtën, kuptova qartë se isha mashtruar. Në këtë moment kyç të reformës në drejtësi, kur ajo lindi me shkelje të Kushtetutës dhe përbuzje të ONM-së, që është instrument kushtetues i përbërë nga SHBA dhe BE, çdo heshtje ndaj kësaj është një ditë e errët që i paraprin ditëve akoma më të errëta të reformës në drejtësi.
Cili është opinion juaj për shanset që ka vendi për hapjen e negociatave me BE-në? A mendoni se janë përmbushur kërkesat e Brukselit apo sipas jush gjendja aktuale në vend nuk favorizon këtë hap?
I kemi kërkuar edhe me shkrim Brukselit që t’i hapë negociatat. Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi i është drejtuar komisionerit Hanh në mënyrë shumë të qartë me një letër ku i kërkon në emër të LSI, hapjen e tyre. Ky është vullneti ynë por krejt i kundërt është vullneti i kryeministrit që e sheh thjesht si një bonus për vehten, për ca ditë propagandë më shumë dhe shtyrjen për ca ditë të përgjigjeve për krizën ekonomike sociale ku ka hyrë vendi dhe kriminalizimin e skajshëm të Shqipërisë ku kryefjala vazhdon të mbeten droga dhe krimi i organizuar. Këto të fundit, të evidentuara qartë edhe nga presidenti i Komisionit Europian Junker. Nuk mendoj se Brukseli do të dhurojë një hapje të pamerituar të negociatave pasi kjo është në dëm të Shqipërisë dhe të Brukselit vetë. Ndaj mendoj se rruga e përmbushjes së vërtetë dhe serioze të prioriteteve të vëna përpara është e pashmangshme ndonëse duket thuajse e pamundur për një qeveri të kriminalizuar si kjo.
Një tjetër shqetësim i ngitur nga Ju, në fakt që në kohën kur ishin ministër i drejtësisë, ka të bëjë me rrezikun që i shfaqet Shqipërisë nga gjyqet ndërkombëtare, i cili sipas jush mund t’i kushtojë vendit 2 miliardë euro. Sa emergjente është kjo situatë sipas jush?
Është një rrezik shumë serioz dhe me pasoja katastrofale në rrafshin ekonomik por edhe atë politik. 2 miliardë euro që rrezikon Shqipëria në gjyqe dhe arbitrazhe ndërkombëtare do të ishte një tragjedi ekonomike e dimensioneve të frikshme. Ja kam bërë prezent këtë çështje me shkrim kryeministrit, kur sherbeja si ministër i Drejtësisë si pasojë e raportimit të avokatit të shtetit. Kryeministri nuk ka kryer asnjë veprim që me marrjen e këtij informacioni dhe nuk kam pasur as edhe një minutë të vetme diskutim me të për këtë çështje ndonëse ai gjente kohë që të interesohej për çëeshtje nga më të rendomtat, edhe emërime krejt të parëndësishme. Gjithashtu nuk pati asnjë akt qeveritar në reflektim të këtij informacioni apo informim dhe tërheqje vëmendje të Këshillit të Ministrave dhe anëtarëve të qeverisë për këtë çështje me dimensione të mëdha e të rrezikshme për nga pasojat. Dukej si një kënaqësi për Kryeministrin që Shqipëria do ti humbte ato para. Faktet provuan që brenda muajit që shkoi brenda dy javësh, Shqipëria humbi plot 71 milion euro dhe ky është vetëm fillimi. Kujtoj që kjo qeveri po takson edhe pensionistet për të mbushur arkën e saj dhe nga ana tjetër humbet miliona të tëra euro per faj direkt të saj dhe nuk luan as gishtin. Kjo është provë gjithashtu se inkriminimi dhe korrupsioni është i këtyre përmasave sa që ja lidhin duart dhe gojën qeverisë përballë këtyre çështjeve.