Home KRYESORE Qytetarët çfarë presin dhe opozita çfarë duhet të bëjë – një koment...

Qytetarët çfarë presin dhe opozita çfarë duhet të bëjë – një koment dashamirës pa anësi

Nga Kasem Seferi

Ndër lajmet e fundit të dy – tre ditëve a më shumë, janë zhvillimet e mundshme në PD. Si një individ që kurrë nuk kam future në xhep në tesere partie, nuk mund t’a shmang të vërtetën se kam qenë dhe mbetem ithtar i së djathtës, duke pasur në sfond ëndrrën e Revolucionit Francez: Liri – Barazi – Vëllazëri.

Që të jesh ithtar i një filozofie të djathtë, nuk mund dhe kurrë nuk do të thotë që të jesh ende me idenë e Marksit dhe Engelsit, me praktikat e Leninit dhe Stalinit, pasuesve të tyre dështakë në ish – vendet socialiste dhe frymës që rrjedh/derivon nga ajo teori, e cila bartet nga e majta dhe, veçanërisht, nga rryma populiste, të cilën Mario Monti këtë natë të 8 marsit 2018, do ta etiketonte “populistët”, ku përfshinte si Berluskonin, Lega Nord dhe 5 Stelle.

Çfarë po ndodh në Shqipëri?

Ku ka arritur acarimi qytetar me qeverisjet Rama 1 dhe 2?

Ku është opozita që, për detyrë, ka marrjen e pushtetit dhe përmirësimin e jetesës së qytetarit?

Pyetjeve të mësipërme, po i përgjigjem nga këndvështrimi i ekonomistit.

Menjëherë sapo politika bëhet tërheqje litari për pjesë në kulaçin e të ardhurave është e pamundur një qeveri e këndshme.

Arsyeja njerëzore nuk mund të parashikojë dhe as të modelojë, në mënyrë të paramenduar, të ardhmen e vet.

Përparësitë e saj qendrojnë në gjetjen e asaj atje ku ajo ka qenë e gabuar.

Një thënie e një humoristi amerikan thotë “Në qoftë se një politikan nuk ia bën gruas atëhere ia bën vendit të tij.”.

Një përqindje e madhe e politikanëve shqiptarë i kanë dhënë vendit reputacionin më të keq.

Një politikan do të bënte çdo gjë për të mbajtur detyrën e tij, madje të hiqej si patriot.

I madhi Sharl de Gol do të arrinte në përfundimin se “… politika është një problem tejet serioz për t’ia lënë politikanëve.”.

Në këtë kuptim në vend që politikanit t’i jepen çelësat e vendit, do të kishte qenë më mirë t’i ndrronin bravat institucioneve.

Politikanët shqiptarë kanë treguar se janë njerëz që nuk shohin dritë në fund të tunelit, por dalin jashtë nga errësirë dhe hynë në një errësirë tjetër.

Por nuk duhet harruar se politikanët shqiptarë ashtu si magjistarët, kanë diçka të përbashkët: tërheqjen e vemendjes së njerëzve larg nga ajo që ata po bëjnë në të vërtetë.

“Përçaj e sundo, qajnë politikanët; bashkohu dhe udhëhiq është fjala treguese e urtësisë.” thotë Gëte.

Nuk besoj se politikanët e PD – së janë fajtorë për çfarë po ndodh së fundmi në gjirin e kësaj partie, për arsye se çdo anëtar i thjeshtë, duhej të ngrihej me kohë për të protestuar për atë që po ndodhte në PD.

Ka një nxitje dhe duf te politikanët e PD – së për të kritikuar liderin dhe lidershipin aktual të PD – së, ndërkohë që i gjithë populli, pa përjashtim, vuan një ndryshim të madh nga kriza e përgjithshme politike, ekonomike dhe shoqërore, që po përhapet duke shkatërruar gjithçka që është arritur dhe, që më pas, gjithçkaje duhet nisur nga e para.

Demokracia është ideja më revolucionare në botë.

Është pikërisht ajo që transferon fuqinë nga tregu në qendrën e votimit, nga kuleta te votimi i fshehtë.

Kjo do të thotë se njerëzit që nuk kanë para kanë njëfarë fuqie mbi jetën e tyre.

Mesazhi që ata u japin liderëve të tyre është ajo që ata duan dhe që ata t’i dëgjojnë.

E vërteta u bën bisht qytetarëve në qoftë se ata nuk perqendrohen me të gjithë vemendjen për ta ndjekur atë.

Madje, ndërkohë që ajo u bën bisht, iluzioni e vonon më shumë njohjen e saj dhe e çon në shumë keqkuptime.

E vërteta e tanishme është se shpifja, spekullimi dhe manipulimi në media janë shumë më të thella dhe për këtë e kanë prishur qetësinë dhe besimin te demokracia, janë më të thella se sa duken dhe nuk mund të kuptohen me një të parë.

Verbëria e “superioritetit/të qëndruarit më lart” të disa gazetarëve vazhdon dhe po mbështet idenë se qytetarët kudo në Shqipëri duhet të zhvillohen dhe të piqen në nivelin e shoqërive perëndimore, por harrojnë se, para së gjithash, çdo vend i veçantë gjykohet lidhur me meritën e progresit që ka bërë në drejtim të lirisë në të gjitha drejtimet e saj.

Dikush mund të transformohet në dikë tjetër pa përdorimin e dhunës, mashtrimit, spekullimit, manipulimit, sepse konvergjenca/të qënit në të njëjtin vend ose në të rrjedhë, në mënyrë të pashmangshme, nënkupton pranimin e difekteve të të tjerëve.

Por, një gjë e tillë pranohet, kur të gjithë pa përjashtim, respektojnë të vërtetën dhe jo shpifjen, hamendjet, thashethemet: gjithçka që përjashton të vërtetën.

Këto ditë, me përjashtim të disa individëve, po vihet re një rënie e kurajës, veçanërisht, ndërmjet grupeve të elitës intelektuale, duke shkaktuar përshtypjen se ka humbur kuraja nga e tërë shoqëria, por ende ka shumë individë kurajozë që nuk kanë influencë përcaktuese në jetën publike.

Burokratët e politikës dhe disa intelektualë po tregojnë depresion, pasivitet dhe pështjellim në veprimet dhe deklaratat e tyre, që ia lidhin gojën dhe i paralizojnë disa të tjerë kurajozë, kur merren me njerëz autoritarë, që kultivojnë vesin në opinionin publik, sikur duan të thonë se rënia e kurajës konsiderohet fillimi i fundit të luftës kundër vesit me metoda demokratike.

Biologjia është shkenca që pranon se siguria ekstreme e zakonshme dhe paprekshmëria te një qenie agresive që kultivon vesin nuk janë përparësi për një organizëm të gjallë.

Liria shkatërruese dhe e papërgjegjëshme, që u është dhuruar pa kufij gazetarëve të medias në Shqipëri, ka bërë të mundur që të mos ketë përgjegjësi morale për masën dhe deformimin e informacionit me të cilin ata ushqejnë opinioni public.

Përndryshe, çfarë lloj përgjegjësie mban një gazetar kundrejt lexuesve/shikuesve të tij, ose kundrejt historisë, kur e keqorienton opinionin publik me informacion të pasaktë, me trillime dhe me përfundime të gabuara?!

Shqipëria, për fat të keq, vazhdon të jetë viktimë e gabimeve të tilla, ku gazetarët e hedhin lumin pa i hyrë ferrë në këmbë, sepse ende askush nuk ka filluar të shkruajë për të kundërtën e asaj që është bërë deri tani.

Në median shqiptare shprehen gjykime të pamenduara, të papjekura, të sipërfaqëshme dhe çorientuse, pa ndonjë mënyrë për t’i verifikuar duke i hedhur lexuesit në rrëmujë, duke e simuluar opinionin publik si dhe duke e keqedukuar atë me ndërhyrje dhe dëshmi të paturpshme në jetën private të qytetarëve ndën sloganin: “çdo njeri ka të drejtë të dijë gjithçka”.

Një slogan i rremë, në raste të tillë, është karakteristik për një liri të rreme të fjalës së lirë, sepse qytetarët, sipas tyre, kanë të drejtën të mos dijnë gjithçka dhe kjo, në më të shumtën e rasteve, është më e vlefshme se e para.

E pamenduara dhe sipërfaqësorja, janë shprehje të sëmundjes fizike në Shqipëri.

Liria e pakufizuar për median ekziston, por jo për lexuesin sepse gazetat dhe televizionet në pjesën më të madhe e venë theksin mbi ato opinione të cilat, shpesh dhe në mënyrë aspak të sinqertë, shkojnë kundër qytetarëve dhe prirjes së përgjithëshme për demokraci.

Media shqiptare, me zorr, ka dëshmuar se një person i pranuar për sjelljen dhe kulturën e tij politike, i cili përpiqet të bëjë shumë për të rinovuar dhe shpëtuar vendin e tij nga llumi ku e ka hedhur sjellja e pacipë e politikës së vjetër, nuk mund të dëgjohet dhe lexohet nga njerëzit sepse media nuk është e interesuar për atë çfarë thotë ai, gjë që ka sjellë paragjykime të forta me shumicë, si dhe verbëri, të cilat janë më të rrezikshmet për dinamikën e periudhës së tanishme ku ka hyrë demokracia shqiptare.
Sepse ka krijuar një lloj korace të ngurosur që rrethon mendjen e njerëzve të thjeshtë dhe të ndershëm.

Sjellje të tilla, të kthejnë prapa në vitet e socializmit, korentit më fals dhe më të rrezikshëm të historisë njerëzore, të cilën shqiptarët duhet t’a lenë prapa njëherë e përgjithshmonë, për shkak të shkatërrimit që ai sistem i bëri shpirtit njerëzor të tyre, si dhe ku errësira gati e niveloi shoqërinë shqiptare deri në vdekje.

Mungesa e një ndërgjegje të tillë te disa gazetarë, është gur prove për gjykimin dhe vlerësimin e shkrimeve të tyre, sidomos tani që po përjetojmë pasojat e gabimeve të bëra që në krye të herës së demokracisë, sepse çdokush, tashmë, e ka të qartë që, në botën e demokracisë, ka vetëm një rrugë:

“Ec përpara!”.

Populli thotë se urrejtjen e udhëheq frika, lakmia dhe, madje, dëshira për të pasur gjithçka vetëm për vete.

Ky është konteksti që duhet të ketë parasysh çdo anëtar i PD – së, PS – së, LSI – së, si dhe çdo partie tjetër politike në Shqipëri.

Padrejtësitë shoqërore dhe ndjenja e pasigurisë, së bashku, krijojnë atë terren të favorshëm që frymëzon dhe mbështet një demagogji autoritare populiste.

Qytetarët po presin nga opozita ide, propozime dhe premtimet e saj për sot dhe për nesër.

Kjo është beteja për bashkimin, ose për ndarjen e PD – së.

Po të ndodhë ndarja, qytetarët, natyrisht, do të kërkojnë një zgjedhje të re politike, por jo populiste.

Mjaft me teorinë e “gurit në trastë“!

Kasem Seferi – ekonomist

Share: