Home KRYESORE Rusi apo SHBA: Ku jetohet më mirë?

Rusi apo SHBA: Ku jetohet më mirë?

Marrë nga CNN, Angela Dewan. Grafika nga Henrik Peterson, CNN

Presidenti rus, Vladimir Putin, pritet të marrë një fitore të thellë në zgjedhjet e 18 Marsit, por kjo s’do të thotë që rusët janë të lumtur me situatën në vendin e tyre.

Masat kundër lirisë politike nuk kanë lejuar që Putin të përballet me një kundërshtar të vërtetë opozitar, dhe problemet ekonomike ndër vite kanë pasur ndikim të madh në jetën e përditshme të rusëve.

Por a jetohet më mirë në SHBA? Ky është një krahasim midis dy vendeve.

1. Për sa i përket lumturisë…

Niveli i lumturisë në SHBA është shumë më i lartë se në Rusi, sipas Raportit Botëror të Lumturisë, të kryer nga OKB. Elementë si të ardhurat për frymë, jetëgjatësia, liria për të vendosur dhe mbështetja sociale i renditin SHBA-të në vendin e 14-të mes 155 vendeve të botës, ndërsa Rusinë në vendin e 49.

Por hendeku midis dy vendeve sa vjen e zvogëlohet. Raporti thotë se Rusia renditet e shtata mes 126 vendeve për sa i përket përmirësimit të nivelit të lumturisë, për periudhën kohore nga vitet 2005-2007 e deri në vitet 2014-2016. Pra, përparimi i Rusisë gjatë këtyre viteve ka qenë më domethënës.

SHBA-të, në anën tjetër, kanë qenë mes 56 vendeve që kanë humbur pikë në këtë drejtim, duke u bërë më pak të lumtur e duke u renditur në vendin e 103-të. Rënia vjen kryesisht nga ulja e mbështetjes sociale dhe e lirive personale, sipas raportit.

2. Nëse do të kursesh para…

Çmimet në Rusi janë më të ulëta se në SHBA, por edhe rrogat janë më të ulëta. Po të merret parasysh fuqia blerëse, e cila mat se sa të përballueshme janë këto çmime për popullatën, amerikanët mund të blejnë më shumë gjëra me dollarët e rrogës së tyre sesa rusët me rublat.

Qiraja e banesave dhe shpenzimet e argëtimit, (një darkë në restorant apo blerja e një shishe vere) janë më të përballueshme për amerikanët. Sigurisht, në Rusi ka gjëra të tjera më të lira, si çmimi i taksive.

3. Nëse je grua…

Hendeku gjinor për sa i përket numrit të grave në vende pune dhe në nivel arsimi nuk ndryshon shumë midis dy vendeve. Por një studim i Forumit Ekonomik Botëror për barazinë gjinore i ka renditur SHBA-të më lart se Rusia për një arsye kryesore: fuqizimin e gruas në politikë.

Gratë amerikane kanë një rol më të rëndësishëm në qeverisje se gratë në Rusi, edhe pse Rusia ka më shumë gra në nivel ministrish. Megjithatë, asnjë nga të dy vendet nuk ka pasur një udhëheqëse femër në krye të shtetit.

Rusia nuk ka ligje që t’i adresohen dhunës në familje në veçanti. Madje, në Shkurt të këtij viti u paraqit një ligj i quajtur “Ligji i Shuplakës”, që hiqte nga lista e krimeve shumë trajta të dhunës në familje.

4. Nëse do të bësh pushime…

Pushimet e paguara garantohen me ligj në Rusi. Të gjithë kanë të drejtë të bëjnë të paktën 14 ditë pushimi për festa kombëtare. Nëse festat bien për ditë të marte, rusët mund të bëjnë edhe të hënën pushim.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të vetmet mes vendeve të zhvilluara që nuk garantojnë me ligj pushime të paguara. Megjithatë, amerikanët në profesione që nuk paguhen sipas orëve të punës, por me rrogë fikse vjetore, presin që punëdhënësit të garantojnë pushime vjetore dhe ditë festash.

Por shumë rusë nuk i marrin pushimet që u takojnë, gjithsesi. Shumë thonë që nuk e përballojnë dot të shkojnë diku për pushime. Kjo varet gjithashtu nga fakti se shumë rusë kanë të ardhura që u vijnë përtej rrogës. Kështu që, ndonëse rroga u paguhet njësoj kur marrin pushimet, ata humbasin të ardhura të tjera duke munguar në punë.

5. Nëse sëmuresh…

Nuk është e lehtë të vlerësosh shërbimin shëndetësor rus në sasi e në cilësi. Rusia ofron shërbim universal shëndetësor falas për të gjithë banorët, që do të thotë se qeveria paguan që njerëzit të vizitohen nga mjekët dhe të marrin trajtim. Rusia ka gjithashtu më shumë shtretër dhe mjekë për person. Por cilësia e shërbimit shëndetësor është aq e ulët, sa shumë rusë detyrohen të paguajnë nga xhepi.

SHBA-të shpenzojnë një pjesë më të madhe të PPB për shëndetësinë, por mbulojnë me fonde ose me subvencione vetëm qytetarët me të ardhura të ulëta (dhe familjarët e tyre); personat me aftësi të kufizuara dhe të moshuarit. Kështu, shumica e amerikanëve varen nga sigurimet shëndetësore private për trajtime mjekësore. Por një studim i botuar nga “The Lancet”, i cili rendit sistemet e shëndetësisë në botë sipas cilësisë dhe lehtësisë së qytetarit për t’i marrë, i rendit SHBA-të në vendin e 34-t mes 195 vendeve, ndërsa Rusinë shumë më poshtë, vendin e 72-të.

6. Nëse do të lindësh fëmijë…

Leja e lindjes për nënat e baballarët është një tjetër fushë ku SHBA-të mbeten pas vendeve të tjera të zhvilluara. Sipas ligjit, prindërit e rinj që kanë të paktën një vit që punojnë (për një kompani të përmasave të caktuara), marrin pushime kur lindin ose kur birësojnë fëmijë, por nuk ekziston asnjë detyrim me ligj që të paguhen ose që t’u ruhet vendi i punës për disa muaj. Megjithatë, disa shtete, si Kalifornia, kanë nisur të ofrojnë kushte më të mira.

Leja në Rusi është më bujare, por paguhen me pagë minimale. Gratë marrin 70 ditë pushimi para dhe 70 pas lindjes ose birësimit. Disa gra kanë raportuar diskriminime dhe pasiguri për vendin e punës, pasi kanë mbaruar lejen.

Për burrat nuk ka leje të përcaktuar me ligj, por meshkujt rusë mund të marrin leje vjetore të paguar dhe punëdhënësit duhet t’u ofrojnë orare të manovrueshme deri në tre vite pas lindjes. Një prind mund të qëndrojë në shtëpi për një kohë të caktuar, me një pagesë prej 12,555 rublash, (rreth 377 dollarë) dhe ta përdorë lejen brenda këtyre tri viteve.

7. Nëse je homoseksual ose lesbike

Pranimi i homoseksualëve në Rusi është tepër i ulët dhe vitet e fundit homofobia ka depërtuar deri në politikën qeveritare. Në vitin 2013 u miratua një ligj që u quajt “ligji kundër propagandës homoseksuale”. Ky ligj e quan të paligjshme që të miturve t’u shpërndahen materiale që flasin rreth marrëdhënieve seksuale jo-tradicionale.

Rreth një vit më parë u raportua se autoritetet në Republikën Çeçene të Rusisë kishin burgosur dhe keqtrajtuar meshkuj homoseksualë vetëm për shkak të orientimit të tyre. Qeveria çeçene i mohoi akuzat, por gjithashtu mohoi që në republikën e tyre të kenë ekzistuar ndonjëherë meshkuj homoseksualë.

Në SHBA, në anën tjetër, ka pasur përmirësime për të drejtat e homoseksualëve. Gjykata e Lartë Amerikane shpalli një vendim në vitin 2015 që hapi rrugën për lejimin e martesave brenda së njëjtës gjini në të 50 shtetet. Një tjetër vendim i Gjykatës së Lartë në vitin 2016 ligjëroi birësimin nga çiftet e së njëjtës gjini, në të gjithë vendin.

8. Nëse do të ndihesh i sigurt nga krimi

Niveli i krimit në SHBA është më i lartë se në Rusi, përveçse kur bëhet fjalë për vrasje. Në krahasim me SHBA-të, Rusia ka më shumë se dyfishin e vrasjeve të qëllimshme për çdo 100,000 banorë, por amerikanët rrezikojnë pesë herë më shumë të grabiten dhe 14 herë më shumë të sulmohen fizikisht, sipas Zyrës së OKB për Drogën dhe Krimin.


360grade.al

Share: