Nga Artur Zheji
Gjithmonë e më tepër po duket se politika e “dorës së fortë”, po shndrrohet në politikën e parapëlqyer të qeverisë së sotme shqiptare.
Është kjo një përpjekje për të vendosur rregull, në rrumpallhanën shqiptare, apo është në të kundërt një përpjekje për të fshehur rrumpallhanen e mos qeverisjes reale, përmes tringëllimës së prangave dhe “dorës së fortë”?
Në të vërtetë ato që po prodhojnë “lajme” këto kohë, janë Prokuroria, Policia dhe burgjet, aktiviteti i të cilave është rritur shumë.
Sikur shqiptarët të kishin bindjen se kemi të bëjmë me një vullnet të mirë, për të vendosur rregulla shteti dhe rregulla ligjore, kundër korrupsionit dhe grabitjeve, do ti jetonin këto ditë, vërtet me gëzim.
Porse perceptimi, më së shumti është se kemi të bëjmë më shumë, me një skemë frikësimi, që po përparon vjedhurazi dhe po ze kryet e politikës shqiptare, në tentativë për të vendosur “sindromën e një shteti policor”.
Mirëpo shtetet policore, të gjitha çfarë ka parë eksperienca botërore dhe ajo shqiptare, përkujdesen që “hajdutët” e mëdhenj të mos kapen, madje të mbrohen ligjërisht, ndërsa mbi të vegjëlit bie rrufeja dhe kamzhiku i shtetit…
Kjo mungesë Peshoreje të barabartë, në zbatimin e drejtësisë së ashtuquajtur të dorës së fortë, e shndrron “dorën e fortë”, në një dorë të dhunshme të shtetit, që i njeh vetes, arrogancën mendjemadhe, për të vendosur egërsisht mbi jetën e shtetasve të vet.
Mirëpo duket se ndër shumë arësyet që po kërkohet vendosja e një “rregjimi autoritar”, janë edhe Sondazhet, të cilat kryeministri i porosit dhe i paguan çdo dy javë dhe që dëshmojnë një neveritje të popullit, nga fjalët e shumta dhe nga fukarallëku i shumtë, që pason ato fjalë.
Sondazhet e kanë zhveshur kryeministrin fjalaman, nga pushteti trushplarës që kishte deri dje mbi turmat shqiptare. Ato vërtetojnë përmes shifrave, se gënjeshtrat e përsëritura të kryeministrit, pamvarsisht artit verbal të përdorur, janë tashmë të pamjaftueshme, për të krijuar besimin se ai, po thotë të vërtetën, qoftë edhe një të vërtetë që do të mbrrijë sot apo nesër.
Prandaj dhe, “Dora e fortë”, frenimet e forta të makinave të policisë, prangat dhe burgjet, i duhen, si një plan “B”, për të patur kontroll fizik mbi turmat, pasi po e humbet përditë e më shumë, “kontrollin mendor” dhe hipnotizues, mbi bagëtinë popull, që ai mendon se kishte nën hyqëm si një barí fuqiplotë.
Dhe kryengritja e “deleve” duket se po afron dhe kjo e tremb Ramën, që kërkon tu japë kryengritësve që po zgjohen, fajtorë, sa më shumë fajtorë dhe përgjegjës, larg e më larg, stanit të çakejve të tij të papërmbajtur./360grade.al/