Banorët e Tiranës pritet të kenë një vit të vështirë duke filluar nga prilli. Dyqanet e vogla po mbyllen në masë për t’u zëvendësuar nga supermarkete që kanëçmime më të larta. Tarifa e re e ujit ose e dritave që u vendos nga 1 janari pritet t’u marrë afërsisht 1 mijë lekë të reja më shumëçdo muaj. Dhe taksa e pronës te fatura e ujit do t’u marrë një 1 mijë lekësh tjetër. Së bashku, këto dy rritje janë të barabarta me një rrogë mujore në vit.
Studimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar për vendosjen e një takse prone sipas vlerës së pronës në Shqipëri, i kryer në vitin 2014 dhe i mbajtur “konfidencial”, ka një rekomandim: për grupime të caktuara si të moshuarit, thuhet në raport, duhet të shihet ideja e mbledhjes së taksës për një periudhë të mëvonë.
Racionaliteti i këtij rekomandimi qëndron në faktin se në Shqipëri, taksa e pronës, e cila do të jetë e barabartë me 0.05% të vlerës së pronës çdo vit, mund të rezultojë një barrë e rëndë e me gjasa e papërballueshme për një pjesë të popullsisë që jeton me të ardhura të ulëta ose me pension. Duke i lejuar qytetarët që nuk kanë mundësi ta paguajnë taksën e pronës që të mos e paguajnë, një rekomandim i tillë mundëson lehtësimin e tyre pa ia ulur rëndësinë taksës. Nëse një pensionist nuk ka mundësi të paguajë 30-50 apo 80 euro taksënë vit, ai mund të vendosë ta lë këtë taksë trashëgim. Taksat e akumuluara të pronës, fjala vjen, përgjatë dhjetë viteve, do të duhet të paguhen njëherësh në rast se prona shitet, ose të shlyhen gradualisht në rast se ajo trashëgohet. Por së paku një gjeneratë shqiptarësh pensionistë, e cila sakaq është rraskapitur nga pensionet mizerabël dhe faturat sakaq të larta të dritave e të ujit, nuk do të torturohet edhe me një taksë tjetër.
Ministri i Financave Arben Ahmetaj shpjegoi të premten se qeveria e tij si dhe Bashkia e Tiranës, ku pritet të zbatohet fillimisht kjo taksë, nuk kanë ndër mend të ndjekin ndonjë logjikë të tillë. Përkundrazi, qeveria ka vendosur t’i bjerë shkurt, duke e ndarë taksën vjetore të pronës në 12 muaj dhe duke e shtuar te fatura e ujit ose te ajo e dritave. Kjo është një mënyrë aspak normale.
Shumë studime kanë kërkuar që pushteti vendor të zhvillojë aftësitë e veta në arkëtimin e taksave, duke krijuar sistemet e duhura të dërgimit të faturës te pronari përkatës dhe duke krijuar procedura e protokolle për arkëtimin me dhunë të taksës në rast se ajo nuk paguhet vullnetarisht. Në një rast të tillë, autoriteti ka në dorë edhe mekanizmin për t’i dhënë mundësinë qytetarëve në vështirësi ekonomike të zgjedhin ta paguajnë taksën më vonë. Bashkëngjitja e taksës te fatura e ujit ose e dritave është një lëvizje tjetër hileqare e një qeverie që sakaq ka rritur taksat ndërkohë që lejon klientët e saj të bëjnë evazion fiskal me tepri. Sa për krahasim, kompania IRTC, e cila menaxhoi me bekimin e qeverisë aktuale dy rafineritë e naftës, la pa paguar me dhjetëra milionë euro gjatë vitit të kaluar. Taksat e papaguara të vetëm kësaj kompanie janë të barabarta me të gjitha taksat e pronës që do të mblidhen gjatë një viti normal në të gjithë territorin e vendit. Qeveria, e cila nuk ka bërë asnjë përpjekje reale për të mbledhur taksat e papaguara të kompanive të naftës si IRTC, nuk bën as ndonjë përpjekje reale për të dërguar së paku një faturë normale taksash te pronarët e shtëpive, por ia shton faturës së ujit ose të dritave, e cila nuk i mbërrin të gjithë popullsisë dhe natyrisht, nuk i mbërrin pjesës më të madhe të pronave, tokës bujqësore ose pronave që nuk janë të lidhura me rrjetin e ujësjellësit.
Taksa e re vjen ekzaktësisht në një kohë kur qeveria nuk duket se ka ndonjë ngut për të ardhura shtesë. Ajo nuk ka qenë në gjendje të shpenzojë siç duhet buxhetin e shtetit tashmë prej vitesh. Në mënyrë të përsëritur, buxheti mbahet me suficit për pjesën më të madhe të vitit për të kaluar në deficit dhe për të ezauruar planin kaloi në një shpenzim shpërdorues 74 miliardë lekësh brenda muajit dhjetor.
Qeveria duket se e imagjinon Shqipërinë si shteti i unazës së vogël të Tiranës, ku njerëzit edhe kanë lidhje me ujësjellësin. Sipas të dhënave të Censusit 2011 [link], nga 710 mijë banesa që u regjistruan në atë kohë, 468 mijë ose 65% kishin rrjet ujësjellësi. Si do t’ia bëjë qeveria të mbledhë taksë prone për 35% që gjendet jashtë rrjetit të ujësjellësit?
Edhe në qarkun Tiranë, rreth 25% e banesave rezultuan jashtë rrjetit të ulësjellësit. Njëkohësisht, jo të gjitha banesat që kanë ujësjellës, janë të përfshira në të ashtuquajturin shërbim publik. Shumë ujësjellësash fshati konsistojnë në një tub qëçon ujë nga burimi për në shtëpi, por nuk kanë kompani ujësjellësi dhe fatura.
Banesat natyrisht nuk janë e vetmja pronë. Në Shqipëri ka edhe rreth 1.8 milionë tituj pronësie toke bujqësore të cilave ujësjellësi nuk u dërgon faturë si dhe ka një numër pronash të braktisura ku me gjasa nuk shkon fare uji, ose kanë lidhje ilegale.
Sistemi i quajtur “kadastra fiskale” nënkuptonte një inventar elektronik të titujve të pronësisë, me të gjitha të dhënat, përfshirë vendndodhjen, planimetrinë, përmasat dhe pronarin, dhe dërgimin e faturës së taksës te pronari sipas vlerës së supozuar që ka ajo pronë. Vlera e supozuar është sakaq një problem më vete. Një vlerësim i tillë nuk merr parasysh nëse prona është e sapondërtuar dhe me vlerë të lartë tregtare apo është e amortizuar dhe pa vlerë tregtare. Ajo që supozohet se do të jetë “taksë sipas vlerës së pronës” është në të vërtetë një taksë afrofe, si shumë taksa të vendosura nga qeveritë shqiptare përgjatë dy dekadave të fundit, me synimin për të fshehur paaftësinë administrative për të mbledhur taksat siç duhet.
Duke vijuar me stilin e “futjes te fatura e ujit ose e dritave”, qeveria duket e bindur të vijojë rritjen e taksave për atë pjesë të popullsisë qëpaguan, duke mos bërë asnjë përpjekje përveç spektakleve televizive për luftimin e abuzimeve, abuzime që janë të bollshme nga ana e qytetarëve, por duket se janë akoma më të bollshme nga ana e zyrtarëve.
Dhe më problematikja duket se konsiston te koha në të cilën kjo taksë po zbatohet. Nga janari i këtij viti, çdo familjeje në Tiranë (nga ata që e paguajnë ujin), u erdhi një faturë dy herë më e lartë se sa në dhjetor. Dyfishimi i çmimit të ujit ishte sakaq një lëvizje e papërgjegjshme nga një administratë që duket se ka humbur kontaktin me realitetin.
Të dyja taksat së bashku mund t’i rëndojnë xhepit të një familjeje të Tiranës këtë vit mbi 20 mijë lekë në vit. Duke marrë parasysh se pensioni mesatar [link]është 15 mijë lekë në muaj në qytet dhe 8,600 lekë në muaj në fshat, uji shtesë dhe taksa shtesë do të jenë të barabarta me 1.3 herë pensionin mujor urban dhe 2.3 herë pensionin rural.
Sikur të mos mjaftonte kjo, personi që ka përgjegjësinë për t’u kujdesur që ujësjellësit të mirëadministrohen dhe që tarifa e ujit të jetë sa më e ulët të jetë e mundshme, kryetari i bordit të Entit Rregullator të Ujit foli në parlament tre ditë më parë. Ai tha se sipas studimeve të tij, konsumi mesatar i një familjeje në Tiranëështë 73 mijë lekë në muaj dhe se ai beson se fatura e ujit “mund të rritet deri në 3,500 lekë në muaj”. [Link] Sipas logjikës së tij, qytetarët “mund të mbajnë” një faturë uji deri në 5% të të ardhurave mujore.
Kjo është një deklaratë sa e vërtetë aq edhe e pabesueshme.
ERRU është një institucion i njohur për ratifikimin e keqadministrimit të ujësjellësve. Për shembull, në vitin 2016, autorizoi rritjen e çmimit të ujit në Durrës me 5% me urdhrin që ujësjellësi i Durrësit t’i përdorte të ardhurat shtesë për të paguar faturën e dritave. Një vit më vonë, më 2016, ujësjellësi i Durrësit shkoi sërish te ERRU dhe me këmbënguljen e z. Shani, mori një rritje prej 15% tëçmimit të ujit, për shkak se paratë që kishte marrë një vit më parë i kishte shpenzuar për arsye të tjera dhe fatura e dritave që supozohej të paguhej nga ajo rritje çmimi, ishte shumëfishuar duke arritur në 3 milionë euro.
Argumenti i konsumit mesatar 73 mijë lekë në muaj është gjithashtu i paarsyeshëm. Me të vërtetë, INSTAT ka vlerësuar se kjo është mesatarja e konsumit për të gjithë vendin. Por INSTAT ka konkluduar gjithashtu se Shqipëria është një vend me pabarazi të madhe, ku 10 përqindëshi më i pasur i popullsisë ka konsum 2.5 herë më të lartë se sa 90 përqindëshi jo i pasur. Dhe ky 90 përqindëshi jo i pasur, i cili e ka konsumin mesatar 63 mijë dhe jo 73 mijë, nuk është një grup i barabartë. Ka plot mes këtij 90 përqindëshit që janë të varfër. Të bësh llogaritë e popullsisë duke i nisur nga “konsumi mesatar” do të thotë të mos bësh llogari fare.
A e kupton dot qeveria, bashkia dhe ERRU se çfarë peshe ka një faturë uji dhe një faturë takse prone për një familje në ndihmë ekonomike apo që jeton me pagë minimale?