Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se trupat amerikane së shpejti do të tërhiqen nga Siria.
“Largohemi së shpejti nga Siria. Le të përkujdesen të tjerët për të”, tha Trump gjatë fjalimit në Richfield në Ohajo.
Ai tha se vendimin e ka marrë duke iu referuar “humbjes së Shtetit Islamik”, por edhe nevojës që të mbrohen kufijtë amerikanë dhe të ndërtohet infrastruktura e shkatërruar.
Trump po ashtu përmendi “murin” prej 32.000 trupave amerikane, të cilat ndodhen në kufirin e Koresë Veriore dhe asaj Jugore, ndërsa kufiri me Meksikën nuk është mbrojtur në atë mënyrë.
Deklarata e Trump lidhur me Sirinë është e papritur, ndonëse ajo është në pajtim me atë që presidenti amerikan e kishte thënë në takimin me kryeministrin e Australisë Malcolm Turnbull muajin e kaluar.
“Atje jemi për një arsye: të mposhtim ISIS dhe të kthehemi në shtëpi”, kishte deklaruar ai.