Sot, në 55-vjetorin e lindjes së Azem Hajdarit, në një moment kur vëmendja publike është rikthyer sërish tek kjo ngjarje, vecanërisht pas vendimit të shtetit turk për t’i hapur udhë ekstradimit të Izet Haxhisë, Opinion.al, sjell pikëpyetjet dhe misteret e mbetura ende të pazbardhura nga kjo ngjarje.
Ato janë trajtuar me profesionalizmin e gazetarit investigativ Ferdinand Dervishi, në librin e tij “Pse e vranë Azem Hajdarin”, publikuar në vitin 2001.
Njëkohësisht ne fund te tekstit, ne sjellim edhe një video animim, realizuar nga emisioni Opinion qe tregon dhe rinderton skemen se si ka ndodhur e ngjarja.
Momenti i vrajes, shkëputur nga libri Pse e vranë Azem Hajdarin”, i gazetarit Ferdinand Dervishi.
Misteret e telefonatës së fundit
Sipas disa dëshmive të njohura, Azemi, pas ndarjes me familjen e vet, rreth orës 20.30, ka qenë gjithë kohën në brendësi të godinës së PD. Ai është shprehur se dëshiron të shohë, në lajmet e TV Shijakut, mitingun e Fierit. Ndërsa në brendësi të godinës, kanë qenë deri vonë pothuaj të gjithë krerët e PD. Një telefonatë, e realizuar me një telefon të thjeshtë, ose me celular, rreth orës 21.00 të mbrëmjes, sipas disa varianteve, ka qenë edhe shkaku i daljes së Azemit jashtë godinës. Por, kush ishte njeriu i telefonatës dhe rrethanat në të cilat ajo u krye? Sipas variantit të PD, dhënë ambasadës amerikane dhe botuar për herë të parë në revistën KLAN, më 12 dhjetor 1999, një gazetar i gazetës RD, i quajtur Fisnik Sina, ka komunikuar me Hajdarin në telefon dhe e ka lajmëruar për praninë e dy makinave të dyshimta, të parkuara në krahun e majtë të godinës së PD. Në shërbim të plotësimit të këtij varianti të PD, kohët e fundit është identifikuar edhe njeriu, që i pari ka dyshuar, pasi ka parë të parkuara pranë godinës së PD, makinat nga do të dilnin më pas vrasësit e Azemit. Ai quhet M. Daja dhe ka shërbyer për një farë kohe si punonjës i SHIK (Shërbimi Informativ Kombëtar), në kohën kur ky organizëm drejtohej prej Bashkim Gazidedes. Pra, Daja ishte pikërisht njeriu, që njoftoi gazetarin Fisnik Sina dhe ky i fundit telefonoi brenda godinës së PD. Por, sipas një varianti të botuar nga gazeta “Albania”, pak javë pas atentatit, më 17 tetor 1998, Sina nuk kishte komunikuar drejtpërdrejt me Hajdarin, por me F.SH, një tjetër njeri brenda selisë blu. Dhe vetëm ky i fundit, kishte përcjellë lajmin te Hajdari.
Në një variant tjetër (KLAN 10 shtator 2000), që i referohet të dhënave të prokurorisë, thuhet se kjo bisedë është e regjistruar dhe se Azemi e ka marrë vetë telefonin, duke i kërkuar njeriut në anën tjetër të kabllit telefonik, hollësi për vendosjen e makinës së dyshimtë: “Në anën e Bar Kalasë, ka pyetur Azemi. Jo, ‑ ishte përgjigjia, ‑ në anën tjetër”.
Vërtetësia e një bisede të tillë telefonike, mbështetet edhe nga pohimi i dëshmitarit anonin nr.1, botuar në gazetën R.D, të datës 14 dhjetor 1999 (për herë të parë publikohen pesë dëshmi të bëra nga dëshitarë anonimë, të cilat administroheshin nga Partia Demokratike). Sipas këtij dëshmitari: “Për mua ngelet enigmë, se kush i telefonoi i fundit Azemit. Një nëpunës i PD, mori përsipër që i ka telefonuar dhe e ka lajmëruar për makinat atje para selisë…”
Pra, pak a shumë, në këtë pikë, gjithçka është e qartë. Në godinën e PD, është telefonuar nga jashtë për rrezikun e makinave të dyshimta, nga persona që janë identifikuar dhe njerëzit brenda godinës i janë drejtuar më të guximshmit, Azem Hajdarit, për rrugëzgjidhje. Natyrisht që këtu është akoma shumë e zbehtë e vërteta në ishin apo jo në dijeni Berisha, nënkryetari Pollo dhe drejtues të tjerë të PD, për bisedën telefonike dhe veprimet që po ndërmerrte Hajdari.
Një telefonatë e dytë?
Deri në këtë pikë fakti, se përse Azemi doli jashtë, duket i sqaruar. Ai do të ishte pa diskutim përfundimtar, nëse disa dëshmi, nuk do të nxirrnin në dritë, apo aludonin, për praninë e një telefoni celular në duart e Azemit, në momentin që ky ishte shfaqur në hyrje të selisë së PD. Një fakt të tillë, që nuk ka lidhje me bisedën e parë telefonike, për herë të parë e ka pranuar gjatë një interviste për TV SHIJAK, pak orë pas vrasjes, Vili Minarolli, një nga krerët e PD. Sipas tij: “Azemi pati një telefon dhe u nis”. Ndërsa nuk dihet se sa i saktë është ky pohim, por prania e një telefoni celular, dhe e idesë se Azemi mund të ketë patur një telefonatë, që mund t’i jetë bërë atij momentet e fundit, por që edhe mund të jetë bërë prej tij, i ngatërron shumë gjërat. Pra, duhet sqaruar nëse Hajdari ka patur apo jo në ato momente një celular, dhe nëse është kështu, me këtë celular është realizuar telefonata e vetme, që nxorri Azemin jashtë, apo jemi parpara faktit të një telefonate të dytë? Dhe nëse jemi para faktit të një telefonate të dytë, atëherë mund të dilet edhe në përfundimin, se Azem Hajdari e dinte mirë që jashtë po e prisnin, dhe mbase po kaq mirë dinte, se kush ishin ata që e prisnin. Por, nëse nuk qendron, as njëri, as tjetri variant, mos jemi këtu para një manipulimi të kondicionuar të PD, e cila kërkon të maskojë faktin se Azemi në atë moment, në duar nuk kishte një celular, por një pistoletë? Apo më keq, Azemin e telefonoi, duke e futur në kurth, një njeri i PD?
Nëpër labirintet e dëshmive të bëra publike deri tani, të cilat janë larg një vije të vetme, është e lehtë të ngresh shumë variante të rrjedhjes së ngjarjeve, variante këto, të cilat mund të jenë edhe më të shumta se kaq.
Sipas pohimeve të dëshmitarit anonim nr.1, të botuar në gazetën RD (14 dhjetor 1999), thuhet: ” …pashë që të dera e selisë së PD, doli Azemi. Mbante celularin në dorë dhe dukej se sapo kishte mbaruar një bisedë telefonike”. Sipas pozicionit, që ky dëshmitar pretendon se është ndodhur në momentin e daljes së Hajdarit; “Kisha mbërritur te kryqëzimi i rrugës ku u vra Azemi, me sheshin e (para) PD, (atje ku rruga ndan me sheshin para PD) kur pashë që doli Azemi”, – duke marrë parasysh se ngjarja ka ndodhur natën, duket e dyshimtë që nga ajo largësi (rreth 30 m), ai të jetë i sigurtë në përcaktimin e sendit, që Azemi kishte në dorë.
Edhe sipas dëshmisë nr.2 të gazetës RD (14 dhjetor 1999), e cila, për shkak të ngjashmërisë me ato të bëra publike në emër të tij, duhet të jetë dëshmia e Sali Lushës, (një militant i PD, që dikur kishte qenë shoqërues i Sali Berishës), kemi të njëjtin konstatim: “Isha duke hyrë në selinë e PD, kur pashë Azemin që po dilte. Celularin e kishte në dorë”. Në këtë rast, dëshmtari nr.2, ka qenë afër dhe është më i saktë në përcaktimin e tij. Krahas këtyre dy dëshmive, kemi edhe një të tretë, të dëshmitarit nr.5 anonim të gazetës RD (14 dhjetor 1999). Sipas tij: “…kam parë dy njerëz që zbrisnin nga një makinë… që iu afruan kufomës. Njëri prej tyre e ktheu në shpinë dhe i futi duart në xhaketë, ku nxorri diçka nga xhepi (aludohet celulari), që unë për shkak të distancës dhe dritës së pamjaftueshme nuk e shqova dot mirë se çfarë ishte”. Kjo dëshmi, që duket se përpiqet të japë edhe zgjidhjen se si u zhduk celulari i Azemit, mund të quhet e diskutueshme, për arsye të vazhdimit të saj jo shumë të besueshëm, në të cilin thuhet se, dy personat që morën një send nga xhepi i kufomës së Azemit, u larguan në këmbë, ndërkohë që në variante, që mund të konsiderohen më serioze, thuhet se të gjithë ata që morën pjesë në vrasjen e Azemit janë larguar me makina.
Në vazhdim të plotësimit të kësaj tabloje, mund të rreshtohet edhe një variant i dhënë nga gazeta “Republika”, pak javë pas vrasjes, sipas të cilit, telefoni celular, me të cilin Azemi ka bërë bisedën e fundit, është zhdukur në rrëmujë e sipër, gjatë transportimit të tij për në spital. Një zhdukje kjo, ose humbje, që mund të cilësohet fatale, pasi aparati celular që përdorte Azemi, një “Ericson 788”, ishte në gjendje të regjistronte dhjetë numrat e fundit, që i kishin telefonuar, apo që ishin telefonuar prej atij vetë.
Mes dëshmive për përcaktimin e sendit, që Azemi kishte në dorë, më e vlefshme duket ajo e Sali Lushës, – natyrisht nëse është e saktë, – sepse Lushaj, në rrethana të ndryshme, ka dhënë dëshmi të ndryshme, rreth këtij fakti. Në një prononcim më të vonshëm (shkurt 2000), për revistën KLAN, Lushaj e përshkruan kështu këtë moment: “Nuk mbaj mend që Azemi të kishte gjë në dorë”.
Ndërsa gjatë një bisede midis miqësh, – natyrisht larg autocensurës, – Lushaj ka dhënë një variant krejt të ndryshëm. Kjo ka ndoshur në prani të vëllezërve Haxhia, – Ismetit, oficer policie, Isamedinit, ish-oficer i lartë i ushtrisë gjatë trezirave të vitit 1997 (ishin dy prej njerëzve që PD akuzoi si të pranishëm në atentatin ndaj Azemit), dhe Izetit, ish-shoqëruesit kryesor të Berishës. Ishte koha kur Izeti, së bashku me Lushën fshiheshin, pasi të dy kërkoheshin si pjesëmarrës në ngjarjet e 14 shtatorit. Këto dëshmi të Ismet Haxhisë, u bënë publike më 15 dhjetor 1999, vetëm tre ditë pas botimit në revistën KLAN të variantit të PD për vrasjen, dhënë ambasadës amerikane. Dhe mund të thuhet se në inat e sipër, vëllezërit Haxhia, nuk patën shumë kohë të ndryshonin fjalët e Lushës, pa marrë parasysh këtu momentet, kur ata duan të poshtërojnë vetë atë, apo të hedhin hije dyshimi mbi kryetarin e PD, Sali Berisha. Sipas këtij varianti të Ismetit, botuar në gazetën “K.Jonë”, Lushaj ka thënë: “Unë isha në katin e dytë të PD, kur Azemi del nga një zyrë tjetër dhe futet me nxitim në zyrën e tij, prej ku del me një pistoletë në dorë, duke montuar silenciatorin dhe më drejtohet: Sali merr automatikun dhe dil shpejt se dikush kërkon të hedhë PD në erë”.
Nëse kësaj dëshmie të Lushës, i shtojmë edhe të vërtetën se pas vrasjes së Hajdarit, policia ka gjetur në shesh edhe një pistoletë tip “Zastava” me silenciator, – që nuk ka lidhje me vrasjen sipas gazetës “Albania” (3 tetor 1998), – shtuar këtu edhe një fakt të kohëve të fundit që thotë se në Tropojë është identifikuar një person, që i ka bërë Azemit dhuratë një pistoletë identike, atëherë ky variant bëhet më serioz. Po atëherë përse në dëshmitë e kontrolluara nga PD, nuk ka hije dyshimi për fakte të tilla? Duket edhe kjo e ka një shpjegim. Nëse prania e armës në duart e Hajdarit (një armë e dyshimtë, jo ajo që i takonte si deputet), dhe kërkesa, që edhe Lushaj të armatoset, do të quheshin të vërteta, atëherë PD, duhej të jepte më vonë rreth këtyre fakteve të pranisë së armëve brenda selisë së saj, një barrë shpjegimesh të lodhshme. Prandaj është e drejtë të mendohet se PD, duke llogaritur se provat për vrasjen disponohen tërësisht prej saj, duket në këtë pikë ka manipuluar faktet.
Por, ka edhe një shpjegim, që mund të quhet oportun. Ka të ngjarë, që Azemi të kishte me vetë ato momente edhe celularin edhe pistoletën. Pistoletën, që ka marrë në zyrën e tij (sipas një dëshmie të Lushës thënë vëllezërve Haxhia), e ka fshehur në trup dhe duke zbritur nëpër shkallë, ka mundësi të ketë patur një telefonatë, që mund t’i ketë shpëtuar syve të ndonjë dëshmitari. Kjo ide e fundit, përforcohet edhe prej dëshmitarit nr.1 të RD, të cilit i ishte krijuar përshtypja, se pas shfaqjes së Azemit në hyrjen e selisë, ai sapo kishte përfunduar një telefonatë në celular. Dhe nëse pranohet se Azemi ka patur edhe një telefonatë të dytë atë natë, atëherë dalin pikëpyetje të reja. Kush ishte njeriu që foli me Azemin momentet e fundit, dhe ç’rol luajti kjo telefonatë në veprimet e mëtejshme të tij?
Përpara se kjo pikë të marrë ndonjë shpjegim, është e mira të kalohet për një çast në anën e atentatorëve, dhe të shihen veprimet e tyre para daljes së Hajdarit nga selia e PD. Ka të paktën tre dëshmi, që vërtetojnë se makinat nga dolën njerëzit që vranë Azemin, kishin një kohë të gjatë që prisnin në rrugën, që ndodhet në krahun e majtë të selisë së PD. Kështu, sipas një varianti të gazetës “Albania” (17 tetor 1998), thuhet se, brenda në zyrat e PD, është telefonuar nga jashtë, të kihet kujdes, pasi dy makina të dyshimta ishin parkuar, prej një kohe, pranë selisë së PD.
Akoma më saktë, këtë ide e ilustron dëshmitari nr.1 i gazetës RD. Ai thotë se, pas kohës kur Azemi është futur brenda, rreth orës 20.30, ai vetë ka qenë gjithë kohën jashtë dhe është shkëputur vetëm një çast, për pak minuta, pasi i është dashur të përcjellë disa të afërm të vet. Pasi ka bërë këtë veprim, ai ka vënë re, dhe i ka bërë përshtypje një makinë me shenja të policisë me targa të Vlorës. “U çudita se ajo lëvizte nga selia e Partisë së Unitetit Kombëtar, që është ngjitur me Partinë Demokratike, deri tek vendi ku u vra më pas Azemi. Ndërkohë, mu tek kryqëzimi i sheshit të PD, me rrugën ku u vra Azemi, pra tek trotuari i lokalit të Guximit (lokal përballë anës së majtë të PD), u ndal një makinë fuoristradë, me ngjyrë afërsisht blu me targa të huaja”. Këtë hollësi e përforcon edhe dëshmitari nr.4 i gazetës RD, i cili para atentait ka parë makinën fuoristradë të parkuar përballë vendit ku u vra Azemi. Më pas ky dëshmitar nuk ka asistuar në ngjarje, pasi është larguar. Në të treja këto dëshmi, duket qartë se vrasësit kishin kohë që prisnin prenë e tyre të shfaqej. Dhe ata nuk mund të shtinin fall, se Azemi do të dilte fare i pambrojtur nga ajo anë (në anën e majtë të selisë së PD), e të drejtohej për tek ata, si cjapi te kasapi. Për më tepër, Azemi lëvizte me makinë (atë ditë makina e tij kishte qenë gjithë kohën e parkuar para selisë së PD), dhe dilte gjithmonë nga ana e “Bar Kalasë”, që ndodhet në anën (e djathtë) tjetër të selisë blu.
Dhe së fundmi, fare mirë, nga dyshimet që mund të lindnin brenda PD, për praninë e tyre, atentatorët mund të përplaseshin me truprojet e krerëve të PD, apo edhe policinë. Por, ata duket kanë qenë të bindur, se Azemi do të dilte pikërisht andej, madje do të dilte pa marrë shumë masa mbrojtëse, sikur dikush të kishte dhënë besën, se asgjë e keqe nuk do të ndodhte.
Në këtë mënyrë, dyshimi se Azemi kishte dijeni më parë për identitetin e njerëzve që e prisnin, merr përmasa më reale. Një pjesë tjetër e dëshmisë së hollësishme të dëshmitarit nr.1, të gazetës RD, mund të vihet në funksion të kësaj ideje. Sipas tij, pasi kishte dalë dhe ishte rrethuar prej rojeve, Azemi bën shenjë nga rruga ku ishte ky dëshmitar (është i njëjti drejtim me makinën “Benz” të ndodhur pranë vendit ku u ekzekutua Hajdari), dhe me nxitim ka shkuar drejt e te kjo makinë, në një kohë kur mund të drejtohej për tek fuoristrada me targa të huaja, edhe kjo një makinë e dyshimtë, e cila sipas disa dëshmive, ishte më pranë godinës së PD, se makina tip “Benz”.
Në vazhdim të plotësimit të kësaj ideje, vjen në ndihmë edhe një moment tjetër i përshkruar nga dëshmitari nr.1. Sipas tij Azemi, pasi i’u afrua makinës, vuri këmbën te bordura e trotuarit pranë saj. Një veprim ky, që mund të konvertohet në fjalë: “Unë erdha dhe po pres. Tani është radha të shfaqeni ju”.
Por, edhe pas këtyre shpjegimeve, që plotësojnë idenë e një telefonate të fundit, e vërteta e saj mbetet e mbuluar nga misteri. Nëse pranohet për një çast ekzistenca e kësaj telefonate të dytë, atëherë kush ishte në anën tjetër të lidhjes telefonike? Pas ngjarjes, shumë nga njerëzit që e njihnin Hajdarin, mohonin kategorikisht mundësinë e daljes së tij jashtë, vetëm me anë të një telefonate të bërë nga një i panjohur. Atëherë kush ishte ky njeri, që arriti ta nxjerrë Azemin jashtë? Sipas të gjitha hamendësive, ai duhet të ishte një njeri shumë i besuar. Dikur në Tiranë u pëshpërit se ky njeri mund të ishte vetëm Izet Haxhia, ish shoqëruesi kryesor i Berishës dhe vëlla i Ismet e Isamedin Haxhisë, dy prej njerëzve që PD akuzoi se kanë qenë prezent në ekzekutimin e Hajdarit.
Hipoteza e telefonatës së Izet Haxhisë dhe fakti i akuzës për asistencën e tyre në vrasjen e Hajdarit, bëri që vëllezërit Haxhia të shpërthenin në akuza kundër Berishës e PD. Si kundërpeshë, dy prej tyre, Ismeti dhe Isamedini, sollën një variant tjetër përsa i përket zbardhjes së telefonatës së fundit, bërë Azemit mbrëmjen e 12 shtatorit. Sipas këtij varianti, telefonata nga jashtë, i është bërë Berishës në zyrën e tij, në një kohë që aty gjendej edhe Azem Hajdari. Pas bisedës, ka qenë Berisha ai që e ka nisur Hajdarin jashtë, për të bërë një verifikim.
Por, edhe kjo pandehmë e fundit e vëllezërve Haxhia, që është më pak e besueshme se dëshmitë e tjera të tyre, nuk arrin të zgjidhë asgjë. Telefonata e fundit e Azemit vazhdon të mbetet mister. Një mister që mund të zgjidhë shumë gjëra, por që edhe mund të çojë hetimet për vrasjen në drejtime të reja, më pak të njohura…/Opinion.al