Home KRYESORE Vizita e Tsiprasit në Tiranë në axhendë, por ende nuk ka një...

Vizita e Tsiprasit në Tiranë në axhendë, por ende nuk ka një datë fikse

Burime pranë qeverisë greke refuzuan të komentojnë publikimet në shtypin shqiptar, sipas të cilave kryeministri Tsipras e ka anuluar vizitën në Tiranë.

Por burimet kanë thënë se përgjigjia pozitive e Aleksis Tsiprasit ndaj ftesës që i drejtoi në janar kryeministri Rama gjatë samitit të Davosit mbetet në fuqi dhe data e realizimit do të përcaktohet në rrugë diplomatike.

Në fakt, ka qenë një deklaratë e Ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kotzias, se vizita e shefit të tij në Shqipëri do të mund të realizohej para Pashkëve ortodokse që janë më 8 prill.

Por kjo deklaratë ishte bërë në fund të muajit janar, para se presidenti shqiptar Ilir Meta të refuzonte dhënien e plotfuqishmërisë për negociatat Tiranë-Athinë.

Supozohej se Tsipras e Rama do të takoheshin pikërisht për të “festuar” nënshkrimin e marrëveshjes paketë për problemet e nxehta midis të dy vendeve.

Mirëpo vonesa në fillimin e negociatave, duket se e zhvendosi afatin kohor që kishte deklaruar Ministri i Jashtëm grek, pra fillim prillin.

Por sipas analistëve grekë me të cilët komunikoi Ora News, ka dhe një arsye tjetër, më të fuqishme që mund ta shtyjnë për më vonë vizitën e Kryeministrit grek në Shqipëri.

Dhe kjo situatë lidhet me situatën tejet të acaruar në raportet midis Athinës dhe Ankarasë që është tensionuar edhe më shumë javët e fundit pas arrestimit dhe mbajtjes në burgjet turke të dy ushtarakëve grekë që kishin kaluar kufirin.

Sipas analistëve, situata me Turqinë është kaq e vështirë saqë nuk përjashtohet të pezullohen përkohësisht apo të shtyhen për më vonë, edhe negociatat që Athina po zhvillon me Shkupin për zgjidhjen e çështjes së emrit.

/Ora News.tv/

Share: