Home KRYESORE A është e lirë media në Shqipëri? Ja çfarë thotë raporti i...

A është e lirë media në Shqipëri? Ja çfarë thotë raporti i Freedom House

Freedom House vlerëson në raportin më të ri për lirinë e medies së ajo është duke u përballur me kërcënime të reja në demokracitë e mëdha, si dhe në shtetet shtypëse, ku autoritetet po përqendrojnë përpjekjet e tyre në mediat sociale dhe platformat e tjera në internet pas goditjes së pavarësisë së medieve tradicionale.

“Udhëheqësit populistë sot paraqesin një sfidë të re dhe në rritje për lirinë e shprehjes në shoqëritë e hapura dhe ndërhyrja nga Rusia dhe Kina e ka shtuar kërcënimin”, tha Michael J. Abramowitz, president i Freedom House. “Sulmi ndaj lirisë së shtypit është një sulm kundër një institucioni thelbësor të demokracisë. Udhëheqësit e zgjedhur që përpiqen të diskreditojnë raportimin faktik dhe kritik po dëmtojnë llogaridhënien demokratike dhe debatin e arsyetuar politik”, citohet të ketë thënë ai.

Në raport theksohet se demokracia u përball me krizën më serioze në dekada në vitit 2017, pasi parimet themelore të saj – përfshirë garancitë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, të drejtat e pakicave, liria e shtypit dhe sundimi i ligjit – u sulmuan në mbarë botën.

Shtatëdhjetë e një vende pësuan rënie në të drejtat politike dhe në liritë civile, me vetëm 35 që shënuan përparim. Kjo shënoi vitin e 12-të radhazi të rënies së lirisë globale.

Sipas organizatës që ka analizuar të dhënat nga 195 vende, në vitin 2017, 88 vende radhiten në mesin e vendeve të lira, 59 janë me liri të pjesshme dhe 49 radhiten në mesin e vendeve jo të lira.

Shqipëria dhe Kosova radhiten në mesin e vendeve pjesërisht të lira, së bashku me Maqedoninë, Bosnje e Hercegovinën dhe Malin e Zi. Ndërsa Serbia dhe Kroacia, radhiten në mesin e vendeve të lira./opinion.al

Share: