Home KRYESORE AKEP ultimatum kompanive celulare: Nga 1 qershori duhet të…

AKEP ultimatum kompanive celulare: Nga 1 qershori duhet të…

Vodafone dhe Telecom Albania do të jenë të detyruar që të rikthejnë sërish ofertat 30 ditë të paketave celulare nga data 1 qershor, ndërkohë që prej pak javësh operatori Albtelecom po ofron tashmë paketa 30 ditore.

Detyrimi për Vodafone dhe Telecom Albania ka ardhur nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), i cili në mbledhjen e fundit ka miratuar “Detyrimin e sipërmarrësve e komunikimeve elektronike Vodafone Albania dhe Telekom Albania që duke filluar nga data 1 qershor 2018 të rikthimit të vlefshmërisë së paketave standarte bundle të shërbimit celular me parapagim nga 28 ditë në mujore (30 ditore)”.

Ky proces u realizua nga AKEP në bashkëpunim me Autoritetin e Konkurrencës dhe rivendosja e kohëzgjatjes së vlefshmërisë së paketave tarifore celulare standard bundle me parapagim nga 28 ditë, në mujore (30 ditore), siguron aplikimin e tarifave për shërbimet e ofruara në përputhje me ligjin nr. 9918, datë 19.05.2008 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar, si dhe garanton trajtimin e barabartë të pajtimtarëve, sipas njoftimit zyrtar të AKEP.

Tre operatorët celularë, Vodafone, Telecom Albania dhe Albtelecom në mars dhe prill të vitit 2016 bënë ndryshimin e periudhës së përdorimit nga 30 në 28 ditë për 4-5 programe standard. Ky veprim u shoqërua me ankesa nga konsumatorët dhe shoqatat për mbrojtjen e konsumatorëve.

AKEP u kërkoi që në maj 2016 informacion nga tre operatorët celularë për ndryshimin e kryer në kohëzgjatjen e ofertave 30 ditore. Vodafone u përgjigj se gëzon lirinë ekonomike për të vendosur përvec të tjerave kohëzgjatjen dhe kushte të tjera për paketat/ofertat që hedh në treg. Edhe Telekom Albania tha se Praktika e zbatimit të vlefshmërisë 28 ditore (4 javore) përdoret gjerësisht nga operatorët mobile në nivel Industrie. Sipas Albtelecom, nuk ka asnjë kufizim ligjor apo rregullator që vendos kufij minimale apo maksimale të afatit të vlefshmërisë së ofertave dhe paketave të telefonisë celulare.

Autoriteti i Konkurrencës ka zhvilluar një procedurë hetimore në përfundim të së cilës Komisoni i Konkurrencës ka vlerësuar se ndryshimi i kohëzgjatjes së paketave standarde nga 30 ditë në 28 ditë bën që konsumatori të faturohet rreth 13 muaj në vit në vend të 12 muajve, duke çuar në një rritje vjetore prej rreth 6.5% të buxhetit të shpenzuar nga konsumatori për këtë shërbim.

Gjithashtu, KK ka vlerësuar se praktika e ndryshimit në kohëzgjatjen e paketave standarde nga 30 ditë në 28 ditë mund të prekë dhe tregje të tjera në fushën e telekomunikacionit si p.sh. interneti, telefonia fikse, paketat televizive, etj., gjë e cila do të shkaktonte probleme në terma të transparencës dhe krahasueshmërisë së informacionit për pajtimtarët e tyre në lidhje me tarifat e aplikuara për shërbimet e ofruara nga operatorët në sektorin e telekomunikacionit. Si rjedhojë, Konkurrenca i rekomandon AKEP-it, si organ rregullator i tregut të komunikimeve elektronike në kuadër të kompetencave të tij për mbrojtjen dhe garantimin e mirinformimit të konsumatorit kryerjen e vlerësimit të paketave 28 ditore dhe 30 ditore për të parë nëse ka efekte negative për konsumatorin.

I pari që ka reaguar ishte Sipërmarrësi Albtelecom, i cili pak javë më parë ka hedhur në sistemin RevZone përditësimin e afatit të periudhës së tarifimit të ofertave në të cilin shprehet se duke filluar nga data 10.04.2018 ka rikthyer afatit 30 ditor të vlefshmërisë për paketat standarte.

Ndërsa dy operatorët e tjera tashmë janë të detyruar nga AKEP që të të njoftojnë pajtimtarët për ndryshimin e paketave standarte nga 28 dite në mujore (30 ditore) të paktën 15 dite para hyrjes në fuqi të paketave standarte mujore (30 ditore), të cilat hyjnë në fuqi nga 1 qershori.

Një klient pagoi 908 lekë më shumë në vit

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka bërë një vlerësim të efektit financiar në dëm të konsumatorëve nga ndryshimi i kohëzgjatjes së paketave. Kështu në rastin e aplikimit të kohëzgjatjes 30 ditore të shërbimit të ofruar nëpërmjet paketave bundle (miks telefonata, mesazhe, internet) me parapagesë, përdoruesi faturohet rreth 12.17 periudha në vit (365/30), ndërsa në rastin e faturimit 28 ditor, përdoruesit do të faturohet 13.04 periudha në vit (365/28), çka sjell një rritje të periudhës së faturimit me 7.14%.

Duke ju referuar paketës me tipike mikse që ka një vlerë 1 mijë lekë nëse në rastin e faturimit 30 ditor përdoruesi do të paguante 12,167 lekë në vit, me ndryshimin e ri tashmë ai do të faturohet 13,075 lekë në vit, pra rreth 7 për qind më shumë./Monitor.al/

Share: