Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo e bëri të qartë të dielën se Presidenti Trump ka në plan të tërhiqet nga marrëveshja bërthamore me Iranin nëse nuk “ndreqen” problemet që sheh Amerika në këtë traktat.
Zoti Pompeo, i cili po vazhdon turneun në Lindjen e Mesme tha se presidenti e ka bërë mjaft të qartë se e konsideron këtë një marrëveshje me shumë të meta. Shefi i diplomacisë amerikane tha se zoti Trump kishte udhëzuar administratën të përpiqej për të ndrequr problemet, përndryshe Amerika do të tërhiqej nga marrëveshja.
Nga ana e tij Irani ka thënë se nuk ka në plan të ndryshojë marrëveshjen e arritur me Gjermaninë, Francën, Britaninë, Kinën, Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara apo të diskutojë një marrëveshje të re.
Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo ishte dje në Arabinë Saudite, ndërsa sot shkoi në Izrael ku u takua me Kryeministri Benjamin Netanyahu . Takimi u zhvillua pak javë para një sërë zhvillimesh të pritshme që mund të sjellin trazira të reja në këtë pikë të nxehtë të globit.
Presidenti Trump ka caktuar 12 majin si afat për të vendosur nëse Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të respektojnë marrëveshjen me Iranin. Dy ditë më pas, Shtetet e Bashkuara kanë në plan të hapin ambasadën e tyre në Jeruzalem. Ky akt shënon një zhvendosje domethënëse në politikën amerikane ndaj Izraelit dhe palestinezëve, të cilët duan ta shpallin Jeruzalemin kryeqytet të një atdheu të tyre në të ardhmen.
Palestinezët e kundërshtojnë fuqimisht hapjen e ambasadës amerikane në Jeruzalem.
Më 15 maj palestinezët shënojnë përvjetorin e “Nakba-s” – “Katastrofës” siç e quajnë ata largimin me forcë nga banesat e tyre gjatë luftës së 1948 që shoqëroi krijimin e Izraelit.
360grade.al