Ish – Kryeministri Berisha reagoi për komentin e bërë nga Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë në lidhje me akuzat e tij se ambasadorja Vlahutin i kishte kërkuar ish – kryeprokurorit Llalla arrestimin e tij.
Zyra e Bashkimit Europian në Tiranë, në një përgjigje për Televizionin Klan, i quajti pretendimet si trillime dhe të pabaza.
Por ish – Kryeministri e përforcon qëndrimin e tij, duke thene se ato që delegacioni i quan si trillime, janë informacione që i kanë adhur nga diplomatë perëndimore apo burime tepër serioze.
Berisha shkruan në faqen e tij në Facebook se ne vitin 2015 ambasadori i njërit prej vendeve kryesore, më shumë se një herë është shprehur se ambasadorja Romana Vlahutin i ka kërkuar kryeprokurorit arrestimin e tij.
Ai thote se personalisht, edhe pse nuk mund ta merrte këtë si trillim, e ka injoruar totalisht si nje akt militantesk e qesharak.
Një tjetër konfirmim është ai që Berisha thotë se ka marrë nga Presidenti Nishani, i cili ishte informuar nga kryeprokurori Llalla.
Pas kësaj, shkruan ai, zonja Vlahutin kishte kërkuar ta takonte për ta sqaruar për këtë problem, por ai e kishte refuzuar.
Shprehet se këtë çështje e ka bërë publike së paku edhe dy herë të tjera dhe asnjë nuk e ka përgënjeshtruar.
Berisha thotë se dëshiron të sigurojë delegacionin e BE-së në Tiranë se qëndrimet e tij publike ndaj aferës së kontratës së vilës në Mullet, të blerë me 4 700 Euro metrin katror, mbi tre herë më shumë se çmimet ekzistuese në zonë, nuk kanë absolutisht asnjë lidhje me problemin e mësipëerm.
“Ato kanë në bazë bindjen time se aferat e dyshimta duhen hetuar kudo që shfaqen”, shkruan ai.
Përsa i përket frikës së shprehur nga ambasadorja Vlahutin, se zyra e saj mund të përgjohej nga zyra e Berishës që janë në të njëjtën ndërtesë, ish – Kryeministri thotë se edhe ai e ka konsideruar vërtet të vajtueshëm një pretendim të tillë, por siguron se ka bërë publike vetëm atë që është thënë nga burime tejet serioze, pa shtuar absolutisht asnjë fjalë apo presje!
Tv Klan