Ambasadori i Britanisë së Madhe, Duncan Norman deklaroi sot se pjesa më e madhe e të burgosurve shqiptarë në vendin e tij janë të dënuar për trafik droge. Nga Shkodra, ku ishte i pranishëm në një tryezë për krimin e organizuar ambasadori tha se janë 762 shqiptarë në burgje.
“70% vijnë nga Shkodra, Kukësi dhe Dibra. Ne e dimë pse ndodh kjo. Lidhjet datojnë që nga vitet 90. Shumica janë për shkelje penale dhe mbi gjysma për shkelje për trafikim të kokainës apo dograve të tjera. Nuk janë probleme të vogla. Kemi një numër që rritet të shqiptarëve që merren me krimin e organizuar. E kuptoj se një pjesë e shqiptarëve shkojnë në mënyrë ilegale për një jetë të mirë. Fokusi jonë nuk është të flasim për këto individë por për ata që janë të përfshirë në krimin e organizuar ose për ata që organizojnë emigrimin e paligjshëm. Ata që vijnë me varka ose kamionë dhe pjesa më e madhe janë me fat që kanë shpëtuar gjallë. Krimi i organizuar i bën shumë dëm shoqërisë shqiptare dhe sidomos veriut. Gjithçka është negative nga krimi i organizuar”, tha Duncan Norman.
Një ditë më parë deputeti David Lammy, i Partisë Laburiste në Britaninë e Madhe, ka deklaruar se bandat kriminale të trafikut të drogës, fshihen pas ngjarjeve të shumta kriminale në Londër.
Në një intervistë për “BBC Radio”, deputeti Lammy bëri një krahasim të thjeshtë për të treguar situatën e rëndë të krimit.
“Të blesh drogë është njësoj si të porosisësh pica. Ju mund t’i porosisni në Snapchat, WhatsApp. Fëmijët e moshës 12-vjeçare po rekrutohen nga bandat për të shitur drogë“, tha ai, duke akuzuar qeverinë se nuk po bën asgjë për të rregulluar situatën, ndërsa gishtin e drejtoi nga shqiptarët./opinion.al