Nga Kasem Seferi
Përpjekjet e shoqatave të biznesit, në bashkëbisediminin e tyre thuajse të munguar me qeveritë, kanë pasur dhe kanë për qëllim gjetjen e mënyrave për përmirësimin dhe përmbushjen e kërkesave të legjislacionit tatimor, për ta adresuar vemendjen e politikbërësve te gjetja e përgjigjes për pyetjet që vijojnë:
A adresohet legjislacioni tatimor në ato drejtime që nuk e shtrembërojnë sjelljen e tatimpaguesve të biznesit të vogël, për të shtuar kujdesin që të shmangen ndryshimet e papritura që çojnë në ristrukturimin domethënës të shitjeve, gjë që ka sjellë pasoja për financat publike dhe ekonominë?
A nevojitet që sistemi tatimor të jetë më pak kompleks dhe më i qendrueshëm me qëllim që t’ua bëjë të mundur sa më shumë bizneseve të bëjnë pritshmëri pozitive?
A konsiderohet drejt dhe në kohë volumi i ndryshimeve të legjislacionit tatimor?
A i shërben legjislacioni tatimor kontekstit të konkurrencës tatimore në kuadër të integrimit rajonal dhe global?
A adresohet legjislacioni tatimor në ato drejtime themelore që e tërheqin investimin e huaj?
A është i thjeshtë dhe homogjen legjislacioni tatimor, me qëllim që t’i japë biznesit të vogël sigurinë që i nevojitet?
A i shërben politika tatimore stabilitetit afatgjatë të qëndrimit të biznesit të vogël në sistem, me qëllim që bizneset të adoptojnë strategji afatgjata?
A është zbatuar parimi: “mendo më së pari për biznesin e vogël” në ndryshimet e legjislacionit tatimor?
A e ka politika tatimore nivelin e duhur të transparencës dhe stabilitetit, që të risigurojë dhe inkurajojë biznesin e vogël?
A konsultohet qeveria në mënyrë të qendrueshme me komunitetin e biznesit të vogël mbi çështjet tatimore, veçanërisht, në çështjet e zvogëlimit të kompleksitetit dhe barrëve të përmbushjes së kërkesave të legjislacionit tatimor në këtë periudhë të ndikimit të krizës financiare dhe ekonomike?
Mbledhja e të ardhurave tatimore me anë të masave shtrënguese, ose me anë “të tatuarit me masa shtrënguese” nga tatimpaguesit, janë perceptuar dhe ende po perceptohen si metoda arbitrare, zhvatëse, të paqarta, ose më saktë me anë të forcës së shtetit.
Përse ka ndodhur kështu?!
Ka vetëm një përgjigje për këtë pyetje: tatimpaguesit, praktikisht, gëzojnë pak të drejta.
Cilat janë arsyet që nuk respektohen disa nga të drejtat e tatimpaguesve dhe përse veprohet me metoda arbitrare?
Së pari, arsyeja kryesore që ka rëndësi është struktura dhe organizimi i ekonomisë si dhe i biznesit.
Është e vështirë të mbledhësh tatime në vende me të ardhura të vogla dhe/ose të mesme, ose më saktë me një ekonomi kombëtare që karakterizohet nga ndërmarrje të vogla dhe të mesme (SME) që u mungon struktura zyrtare dhe burokratike, që operojnë pa përdorimin e gjërë të sistemeve bankare dhe të dhënave të regjistruara me shkrim, ose në formë elektronike për transaksionet ekonomike.
Në modelin e një ekonomie të tillë mbledhja e tatimit, sidomos këto vitet e fundit, ka qenë arbitrare dhe konfliktuale, për arsye se mungesa e të dhënave për transaksionet ekonomike dhe përdorimi i kufizuar i sistemeve bankare kanë inkurajuar ndërveprimin ballë për ballë (aksionet qesharake) ndërmjet tatimpaguesve dhe zyrtarëve tatimorë.
Sa ndikon mbi veprimet politike të tatimpaguesve niveli i kërkesës së të ardhurave?
Dihet se implikimet politike nuk janë të drejtëpërdrejta. Rritjet për mbledhjen e tatimeve nuk kanë të ngjarë të ndodhin në izolim.
Zakonisht, ato rezultojnë nga rritjet e shpenzimeve publike, të cilat si përgjigje mund të intensifikojnë proçeset nëpërmjet të cilave politika rreth shpenzimeve publike e ka “bërë konfuze” politikën rreth rritjes së të ardhurave.
Qeveria është më e përgjegjshme dhe iu përgjigjet qytetarëve të saj vetëm kur, për të ardhura, varet nga ata.
A nënkupton kjo pyetje se qeveria është e përgjegjshme dhe iu përgjigjet qytetarëve, pra atyre që paguajnë tatime?
A është implikimi i politikës ai që duhet të gjejë mënyra për sigurimin që të tatohen të varfërit për ta parandaluar qeverinë që të jetë e përgjegjëshme dhe t’i përgjigjet vetëm të pasurve në kurriz të të varfërve?
Përgjigja për pyetjen e fundit është: jo.
Ka dy arsye: e para, është e kujdesshme, pra, thjesht nuk dihet mjaft mbi efektet e të tatuarit mbi sjelljen politike për të justifikuar këtë lloj të eksperimentit shoqëror; e dyta, është se ka një arsye të mirë për të besuar se, normalisht, tërë politika dhe grupet shoqërore do të përfitojnë nga një përgjegjshmëri dhe gadishmëri më e madhe për t’iu përgjigjur tatimpaguesve të biznesit.
Përse?
Veçanërisht, në një vend si Shqipëria me institucione publike relativisht të dobëta, politika, rrallë ka qenë një lojë e arsyeshme e financës publike që politikanët dhe ekonomistët kanë dashur ta modelojnë, për të treguar se në të cilën një grup të veçantë, të përkufizueshëm, për shembull, sipërmarrësit e vegjël, do të jenë të kalkuluar në detaje në lidhje me përfitimet, le të thuhet, me të tatuarit me TVSH – së dhe tatimin mbi fitimin, për një angazhim ligjor më të fortë.
Kur qeveria përballet me presione më të forta për të financuar vetveten me anë të miklimit më saktë se sa të ardhurave të mbledhura nga qytetarët e tyre me masa shtrënguese, ka më shumë të ngjarë që të qeveriset në mënyrë demokratike, ose paratë të shpenzohen duke siguruar shërbime për qytetarët.
Është për të ardhur keq, por është i vërtetë fakti se në Shqipëri nuk ka beteja të mëdha intelektuale, ose organizative që nevojiten të bëhen para se qeveria të ndryshojë politikat tatimore në mënyrë që të përmirësojë qeverisjen.
Pra, të shfuqizojë disa tatime, t’i zevendësojë ato me alternativa më efektive dhe moderne, që mund të vendosen në mënyrë më pak arbitrare, të përdorë teknika të njohura që e bëjnë përvojën tatimpaguese më pak të detyruar me forcë dhe të gjejnë burime kombëtare të ardhurash për të zevendësuar teknikat e masave shtrënguese në një afat të gjatë.
Rasti i këtyre ditëve të fundit është rasti më flagrant i kësaj paturpësie kundrejt biznesit të vogël.
Kasem Seferi – ekonomist