Home KRYESORE I interrnuari në kampin e Tepelenës: Pëllumb Xhufi ka të drejtë!

I interrnuari në kampin e Tepelenës: Pëllumb Xhufi ka të drejtë!

Shefqet Dobra ka parë me sy dhe ka jetuar tmerrin në kampin e Tepelenës. Në kohën kur historiani Pëllumb Xhufi, përpiqet të minimizojë krimet e komunizmit, ai na sjell edhe një herë tablonë e trishtë të kampit famëkeq, ku e çuan në moshën 11 vjeçare dhe ka edhe një mesazh në fund për z. Xhufi

Shkrimi i plotë në facebook i Dobrës

PËLLUM XHUFI, KA TE DREJTË KUR FLET PËR KAMPIN E TEPELENËS…

Njeriu i ditur, i jep nder vetes, kur e thotë të vërtetën, edhe historiani ynë këtë bëri.

Mos u çuditni! Unë që po shkruaj, kam qenë në atë kamp, nga fillimi, kur shkuam nga Berati deri ne ’54-ën kur u shkri ai kamp i mallkuar. Isha njëmbëdhjet vjeç, mbaj mend çdo gjë e ç’do pëllëmb të atij vendi. Gjynah të qahemi, s’na paska munguar asgjë, më mirë e paskan ditur ata që nuk kanë qenë qenë atje.

Njerëz të panjohur, që flitnin jo vetëm dialekte por, edhe gjuhë të ndryshme, burra, gra, fëmijë e të vjetër, madje dhe të sëmurë psikik e sakatë, intelektualë e të pa shkollë, i grumbulluan në këto kazerma të mëdha me katër radhë krevatesh. Na vendosën partizançe, si lopët në stalla, flinin radhë familje pas familje, në ato krevate pa shkëputje. Ky ishte “kampi pushimit” të Tepelenës, ku këta njerëz, duhet të mësoheshin të bashkëjetonin me njëri tjetrin, në mungesë të lirisë dhe me rregullat e ashpra të burgut, por ky, nuk ishte një burg si do kudo, jo, jo, ky ishte burg familjar, aty kishte njerëz nga një vjeç deri në ndoshta nëntëdhejtë vjeç. I rrethuar me tela me gjemba, ruheshin me roje të armatosur. Kjo do ishte jeta e këtyre njerëzve të quajtur fajtor edhe pse asgjë nuk kishin bërë, e të pa dënuar me ndonjë vendim gjyqësor.

Puna e parë që do bënin këta njerëz, ishte: Të grumbullonin predhat që avionët e pushtuesve tanë, për të mos vrarë njerëz të pa fajshëm, nuk i kishin hedhur predhat në qytet, por në pyllin e Bençës.

Ne, burra e gra, fëmijë e të vjetër, na vunë t’i grumbullojmë, u bënë aq stiva, sa ai vend dukej si fushë drush. Shumë, sidomos fëmijë, u vranë nga ato të mallkuar. E ç’faj kishin pushtuesit, se vriteshim ne, ai ruajti qytetarët e Tepelenës, ne na vunë që të vriteshim, nuk ka arsye tjetër; duheshin njerëz të specializur për atë punë, jo ne. Edhe fusha brenda rrethimit ishte e minuar, shteti ynë nuk e kishte çminosur para se të na grumbullonin ne aty. Ato të mallkuara shpërthenin poshtë këmbëve tona, herë pas here, secila prej tyre, merrte një ose më shumë jetë njerëzish, si të qëllonin, kjo ishte: njerëzit të vriten, e fajtor të mos kishte.

Eh, ç’janë kujtimet e vegjëlisë, ato nuk shlyhen kurrë nga kujtesa jonë, ato janë si themeli i shtëpisë që, edhe nëse shtëpia shembet, themelet janë të gatshëm të ngrihen mure tjera, dhe vuajtjet e këtyre njerëzve, veçse përsëriteshin nga koha në kohë, gjithnjë më të vështira por, Tepelenën, nuk mund ta harrojmë.

Pasi mbaroi kjo punë e mallkuar, që u pagua me jetë njerëzish, nënat tona, duhet të bënin dy rrugë të ngarkuara me dru, nga mali i Luzatit, të furnizonin mencat, furrat dhe zyrat e qytetit. Këtu ne na kishin çu për të bërë “qejf” për të ngrënë, na jepnin vetëm 400 gram bukë misri thatë deri në vitet ’50.

Por, kishte edhe më keq; në 1950 një ditë, nuk na çuan në punë, na nxorën në fushë që në mëngjes, nuk dini çfarë prisnim… afër drekës, erdhën ca makina me të internuar të tjerë nga Cerriku, ata i rreshtuan veç nesh. Pastaj, thirrën të gjithë ata që ishin në moshë pune, nga kampi ynë, i hipën në makinat që prunë tjerët.

Dita e ndarjes ka qenë dita më e zezë; nënat qanin se po linin fëmijët në mëshirë të fatit, fëmijët ulërinin, kur prindërit i hipnin në makinat, ishte tamam si kur ndanin shqerrat nga delet, po, me një ndryshim, se për shqerrat kujdesej e i kulloste bariu, kurse për ne fëmijët, pleq e të sëmurët, nuk kishte më kush të kujdesej.

Ne fëmijët, e hanim atë pak bukë që në mbrëmje, pritnim kur të merrnin racionin mbrëmjen tjetër, të hanim, se nuk kishte prind të na e raciononte. Por, bujaria e shtetit, nuk mbaronte, kishte punë edhe për ne të vegjlit, kur vinim nga shkolla, na vinin të pastrojmë gurët, kur plugohej ekonomia ndihmëse e repartit. Ishte punë e rëndë për ne, ti nxirrnim nga dheu dhe ti largonim me tezgë nga ara, ne ishim edhe të pa ngrënë, dhe nëse nuk kënaqej polici që na ruante, na dënonin me birucë, ose, na prisnin racionin e bukës.

Sot duket e pabesueshme, por jemi shumë që akoma jetojmë dhe i mbajmë mend këto mizori të atij kampi “dëfrimi” si thotë historiani i “nderuar” shoku Xhufi.

Kur ishim në Turan, ishin varret e italianëve shumë të rregullt, kurse në kampin e Beçës, ata që u vranë nga predhat ose nga minat, që ishin të mbuluar në fushën para kazermave, nga sëmundjet apo pleqëria, të cilët varroseshin, xhelati, mëkëmbësi i komandantit të madh: toger Hakiu, çdo pranverë, i plugonte.

Pra, ne shqiptarët, nuk duhet të kishim as varre. Ç’rëndësi kishte për ne, se ishin me tulla kazermat, ne ankoheshim për trajtimin, jo për muret. Në fund, të vdekurit, i varrosën te ura Bençës, atje i lamë, kur na larguan nga ky kampi i “qejfit” por më vonë edhe këta i kishin prishur, dhe e dini pse? Siç më tregonte një plak vendali, në 2010-ën, kur kthehesha nga Greqia, shkova ti shikoja varret e moshatarëve të mi, plaku kulloste delet aty dhe më pyeti ç’a po kërkoja; i thashë se këtu ka pas ca varre. Ai më tha: Po si mund rrinin ato varre aty more djalë?

Pse? -i thashë unë. Se ato varre ishin dëshmi për ekzistencën e atij burgu. Kur po shkonte, Enveri ynë i “dashur” në Gjirokastër, kishte pyetur: – Ç’janë këto varre këtu mo? Janë të atyre të kampit- i kishin thënë.
-Bah!- kishte bërë. Po, përse nuk i kanë prishur akoma? Kur të kthenemi nga Gjirokastra, nuk dua ti shëkonj më, më kupton apo jo? I plugoni, që mos u duket nam as nishan. Armiqtë tanë, edhe në varr do ti ndjekë ndëshkimi ynë! – kishte thënë. Dhe brenda asaj dite, i pluguan- tha plaku.

Këta ishin sundimtarët e pa dinjitet, që hakmerreshin ndaj të pambrojturve, të pafajshmëve – me motivin se këta, ishin fajtor vetëm se ishin fëmijë, nipa, stërnipa, apo kushërinj të “armiqve”. Dmth, këta ishin të dënuar bedela. Vetëm në Shqipërinë “demokratike” socialiste apo Shqipërinë lule, kishte tillë. Por ne nuk e paskemi ditur sa rehat paskemi qenë, paska të tjerë, që nuk kanë qenë në atë kamp, që e ditkan më mirë nga ne.

Po, si intelektual Pëllumi, të mbyllë sytë për disa minuta, të imagjinojë veten të ishte në moshën tonë, në atë në atë kamp “rehatllëku”, me nënë motër e tjerë, të vuante si ne, vetëm se është: djali, nipi, kushëriri apo dhëndër atje ku është, dhe të jetonte në ato kushte që ishim ne, si do mund të fliste sot vallë?

Pëllumi është një nga historianët më të mirë, në mbrojtje të së vërtetës kriminale, të asaj kohe. Si historian, e ka për detyrë, në fund të fundit, të lehtësojë barrën e të parëve të tij.

Share: